Aktualitet

“Njollë e zezë për Shqipërinë”/ Lala: Sulmi i Ramës ndaj RAI 3 skandaloze

Gazetarja Klodiana Lala ka komentuar investigimin e emisionit “Report” në televizionin italian RAI 3 për Shqipërinë dhe qeverinë shqiptare.

Lala theksoi se investigimi i medias italiane ishte një njollë e zezë për Shqipërinë. Sipas saj, investigimi në fjalë tregon se lidhja e politikës me krimin e organizuar është në nivele të larta. Gazetarja shtoi më tej se ndërhyrja dhe telefonata e kryemistrit Edi Rama tek drejtuesit e RAI-t është skandaloze.

“Investigimi i RAI3 është njollë e zezë për Shqipërinë dhe tregon se korrupsioni dhe lidhja e politikës me krimin e organizuar është në nivele të larta. Qeveria shqiptare duhet të na tregojë rolin e Agaçit për trafikantët që kanë ardhur në Shqipëri dhe ata trafikantë e kanë bërë burgun që iu takon apo jo. Ndërhyrja e Ramës tek drejtuesit e RAI3 është skandaloze. Kjo sepse Rama pyetet nga gazetarët dhe ai nuk jep përgjigje. Imagjinoni ku ka arritur arroganca. Kryeministri e shikon median si një instrument në dorën e vet. Kryeministri duket i tronditur nga ky investigim. Fakti që kryeministri është irrituar, tregon se arroganca dhe korrupsioni ka shkuar në nivele të larta, shkojnë deri aty sa relativizojnë çdo gjë”, deklaroi gazetarja Lala.

Reportazhi i emisionit ‘Report’ në “Rai 3”, i publikuar mbrëmjen e 21 prillit ka bërë bujë në Itali dhe Shqipëri, pasi tha se marrëveshja për refugjatët mes Shqipërisë dhe Italisë është hartuar për interesa të errëta. Për realizimin e reportazhit, gazetari italian Giorgio Mottola ka vizituar edhe Shëngjinin ku do të ndërtohen edhe qendrat e pritjes së emigrantëve nga Italia. Sipas reportazhit, përmendet se personi kyç pas kësaj marrëveshje është Engjëll Agaçi, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, i konsideruar edhe si një ish-avokat të trafikantëve të drogës. Në reportazh përmendet se krimi ka arritur në nivele të larta të qeverisë shqiptare, madje edhe vetë vëllai i Edi Ramës, Olsi është i implikuar me kartelet e drogës.

TRENDING

Exit mobile version