Bota

Lufta/ Kim Jong Un mbërrin në Rusi, SHBA drejt dërgimit të raketave me rreze të gjatë veprimi në Ukrainë

Sipas katër zyrtarëve amerikanë, administrata e Presidentit Biden thuhet se po shqyrton furnizimin e Ukrainës me raketa me rreze më të gjatë veprimi, të mbushura me bomba thërrmuese dhe që mund të shkaktojnë dëme të konsiderueshme më thellë në territorin e pushtuar nga Rusia. Agjencia e lajmeve Reuters njofton se shkak për ndryshimin e qëndrimit është suksesi i muajve të fundit nga përdorimi i predhave thërrmuese të artilerisë. Uashingtoni po shqyrton dërgimin në Ukrainë të Sistemeve të Raketave Taktike të Ushtrisë (ATACMS) që mund të fluturojnë deri në 306 kilometra dhe të Sistemeve të Raketave të Udhëzuara të Shumëfishta (GMLRS) që kanë një rreze prej 72 kilometrash dhe janë të mbushura me bomba thërrmuese. Sistemi i raketave GMLRS do të jetë në gjendje të shpërndajë deri në 404 bomba thërrmuese. Prej disa muajsh Ukraina ka pasur në arsenalin e saj një variant të sistemit GMLRS. Administrata e Presidentit Biden prej muajsh po mendon lidhur me furnizimin e Ukrainës me sistemet ATACMS, nga droja se dërgesa do të shihej si një veprim tepër agresiv kundër Rusisë. Ndërsa kundërsulmi i Ukrainës ndaj agresorit rus tregon shenja përparimi, Uashingtoni është i prirur që ta përforcojë ushtrinë ukrainase në një moment jetik, thanë dy burime për agjencinë e lajmeve Reuters. Ndërkohë udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un ka mbërritur në Rusi me trenin e tij privat për një takim me presidentin Vladimir Putin, i cili ka të ngjarë të fokusohet në nevojën e Rusisë për të blerë municione për të rimbushur rezervat e shteruara nga lufta në Ukrainë.  Në këmbim të ofrimit të municioneve, Koreja e Veriut ka të ngjarë të kërkojë dërgesa ushqimi dhe energjie dhe transferime të teknologjisë së sofistikuar të armëve.

TRENDING

Exit mobile version