Aktualitet

Mama Bar – si përballet bari kult me pandeminë?

2600 baret dhe restorantet e Berlinit janë duke kaluar kohë të vështira për shkak të pandemisë. Njëri syresh është edhe bari kult „mama bar“ në Berlin-Neukölln. Anila Shuka bisedoi me pronarin e lokalit, Petrit Hoxha.

Një dhomë e errët, mobilie retro, muzikë afrikane nga altoparlantët, pas banakut baristja letoneze me sytë e qeshur – goja e hunda të mbuluara sipas etiketës pandemike – kujdeset që të mos derdhet shkuma e dy birrave të porositura nga dy britanikët që kanë zënë vend në cep të lokalit, themelues të një start-up-i, siç më thonë. Dy te tjerët që janë ulur te dritarja duken si studentë. Një çift tjetër, me rroba hipish, njëri prej dy burrave me flokë të gjata dhe një grumbull byzylykësh në dorën e majtë, Sapo ka rënë muzgu dhe këta janë vetëm mysafirët e parë të barit të quajtur “mama”.

Petriti, pronari i lokalit, një shqiptar nga Gjakova, e ka quajtur kështu lokalin e tij për nder të nënës së tij, “por edhe të nënës si nocion, që dhuron jetën“. Petrit Hoxha është 43 vjeç dhe është bërë baba para një viti.

Bar kult 

Gjysmën e jetës e ka kaluar nëpër Europë: fillimisht në Çeki, pastaj në Barcelonë, e më pas në Berlin. „Këtu erdha për dhjetë ditë si turist dhe u dashurova aq shumë pas këtij qyteti, sa vendosa të jetoja këtu“, rrëfen Petriti për vizitën e tij të parë në vitin 2007. Në atë kohë ishte pronar i një bari në Barcelonë. Ëndrra e tij në Berlin ishte të hapte një kinema arthouse, por sa për fillim vendosi të bënte atë që dinte më mirë, një bar.

„Ne përpiqemi të jemi sa më autentikë”, shpjegon Petriti. “Muzika është e rrallë, përdorim thuajse vetëm pllaka gramafoni me muzikë afrikane të viteve ’70 e ’80, të cilat gjenden me vështirësi. Por edhe pikturat ose veprat e artit që janë të instaluara ose të pikturuara nëpër mure, janë diçka e veçantë edhe për Berlinin.”  Vepra e fundit rrjedh nga dora e piktorit të njohur kosovar Jakup Ferri.

Ndihmë simbolike

Deri në 3000 euro kompensim për këto masa ka ofruar Senati i Berlinit për rreth 2500 baret dhe pubet e Berlinit. Por fillimisht vetëm për muajin tetor. “Për ne çdo ndihmë është e mirëseardhur”, thotë Petrit Hoxha. Por shton, se nëse vazhdojnë këto vështirësi, dhe ndihmat mbeten në këtë nivel, pandemia do të marrë me vete ndoshta 50 përqind e jetës së natës së Berlinit.”

Edhe Dhoma e Industrisë dhe Tregtisë së Berlinit e ka kritikuar ndihmën: “Është më mirë se asgjë, por nuk është e mjaftueshme”, Për metropolin gjerman kjo do të jetë një humbje e madhe. Jeta e natës ishte një nga shtyllat kryesore të turizmit berlinez. Sipas një studimi të senatit të Berlinit, publikuar në vitin 2019, një e katërta e 13 milionë turistëve që vinin [do vit në Berlin, vinin për shkak të jetës së natës.

Petriti, i cili nuk ka dëshirë të ankohet, po punon tani për të realizuar një ide që e kishte edhe para se të vinte pandemia: Ndërkohe e ka përgjysmuar hapësirën e “mama bar”-it për ta bërë restorant. Ndoshta ky do të jetë shpëtimi për biznesin e tij, ose historia e re suksesit të shqiptarit në Berlin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TRENDING

Exit mobile version