Shkrime

Mediat gjermanofone: Vuçiç me mesazhe agresive dhe ogurzeza kundër Kosovës

Mesazhi i presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç në “Instagram”, ku tha se “Serbinë e presin kohë të vështira, por, ne do të luftojmë dhe Serbia do të fitojë”, është komentuar nga shumë media gjermanofone. Emëruesi i përbashkët i artikujve dhe komenteve për këtë mesazh është cilësimi i tij si tejet “agresiv” në adresë të Kosovës dhe shteteve që po e mbështesin atë.

Gazeta zvicerane “Blick”, e ka cilësuar  “mesazh ogurzi”, dhe kërcënues postimin e presidenti serb Vuçiç,  duke nënvizuar se “Djalli zjarrvënës serb, deshiron t’i vendos përsëri flakën Kosovës”.

“A po paralajmëron një luftë të re ballkanike dhe kujt po ia vringëllon shpatën presidenti serb Vuçiç?”, pyet “Blicku” zviceran.

Njësoj pyet edhe portali gjerman “DerWesten”: A po shpall presidenti i Serbisë një luftë të re ballkanike?

Presidenti Aleksandër Vuçiç po shkakton nervozizëm dhe tension shtesë në rajon. “Postimi misterioz në Instagram, lë vend për lloj-lloj spekulimesh”, theksohet në artikull.

“Një fushë betejë e dytë në Evropë? Ky do ishte një front i dytë që do t’i vinte në ndihmë Putinit. Aleati i tij, Serbia, duket se po përgatitet për një konflikt ushtarak”, shkruan “DerWesten.”

Duke komentuar mesazhin e publikuar të Vuciçit, gazeta shkruan se “Presidenti serb pritet, që në ditët në vijim t’i drejtohet popullit serb për të treguar sfidat që e presin Serbinë”. Sipas kesaj medie, “vendimi pozitiv për anëtarësimin e Kosovës në KiE e ka acaruar Vuçiçin,  i cili ka kërcënuar se nëse Kosova anëtarësohet në Këshillin e Evropës, Serbia do të largohet nga kjo organizatë”.

Gazeta përmend edhe aktin terrorist të 24 shtatorit të vitit të kaluar, teksa nënvizon se “Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë mjaft të shqetësuara për veprimet e Serbisë”.

“Një përshkallëzim I ri në Ballkan do të shkonte në interes të Putinit, i cili do fërkonte duart, kurse NATO-ja, do sfidohej në rajon. Paskësaj, do kishte më shumë dhunë dhe paqëndrueshmëri në Evropë”, shkruan DerWesten.

Edhe “Frankfurter Rundshau”, shkruan për kërcënimet e presidentit Vuçiç.

Ky medium i njohur gjerman, shprehet kundër ledhatimit që BE-ja, po i bën Vuçiqit për ta larguar nga krahët e Rusisë dhe Kinës.

“Të gjitha këto përpjekje po bien në ujë”, thekson “Frankfurter Rundshau”, duke shtruar pyetjen: “A ia vlen që Bashkimi Evropian të zgjerohet me vende si Serbia, që ka një president si Aleksandar Vuçiq, ndaj të cilit të gjitha vendet e BE-së, kanë rezerva?”

“Frankfurter Rundshau”, citon edhe nënpresidenten e Parlamentit Evropian Katarina Barley, t’i ketë thënë këtij mediumi se “Kompromiset mes BE-së, dhe autokratëve si Vuçiq, janë humbje kohe” sepse  “zgjerimi i BE-së, është “një mundësi për të promovuar paqen, lirinë dhe prosperitetin në Evropë”.  Politikania gjermane nga radhët e SPD-së, partisë që qeverisë aktualisht në Gjermani, ka kritikuar Komisionin Evropian që shtatorin e kaluar, në mënyrë të njëanshme vendosi sanksione vetëm kundër Kosovës, duke dërguar kështu sinjale të gabueshme në Serbi dhe Ballkan……..

Një media tjetër gjermane “Merkur.de”, komenton postimin e një fotografie të presidenti Vuçiq me djalin e tij në rrjetet sociale: “ Presidenti serb ka postuar dje një fotografi në Instagram me djalin e tij Danilo, i veshur me një bluzë me konturet gjeografike të Kosovës në ngjyrat e flamurit serb me mbishkrimin “Nuk ka dorëzim”.

 

TRENDING

Exit mobile version