Kosova

Mos guxoni ta bëni/ Vuçiç paralajmëron Perëndimin

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ka përsëritur se ekziston synimi që Marrëveshja e Ohrit të përfshihet në kapitullin e negociatave, që ka të bëjë me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Do t’ju shpjegoj se me çfarë teknikash ata duan të arrijnë qëllimin e tyre. Perëndimi planifikon që Marrëveshja e Ohrit të pranohet në tërësi, edhe me pjesët që ne i refuzuam, që të jetë pjesë e kapitullit 35 të negociatave të antarësimit me Unionin, dhe më pas të bëjnë një raport të posaçëm të Bashkimit Europian që do të përcillet në OKB, dhe për këtë as nuk duhet të na pyesin” –  ka thënë Vuçiç

Sipas fjalëve të tij, “është e palogjikshme të mos na pyesin, por ata nuk duan të na pyesin dhe ky dokument të bëhet pjesë e dokumentacionit të Kombeve të Bashkuara, pas së cilës shumë vende të tjera mund t’i referohen këtij dokumenti”.

“Ata janë të gatshëm t’i bëjnë të gjitha këto. Meqë paraprakisht unë do t’i paralajmëroj Kombet e Bashkuara për një gjë të tillë se kjo është e pamundur dhe të mos guxojnë ta bëjnë” – ka shpalosur “ëndrrat” e tij Vuçiçi, teksa dhe ka pretenduar se sesioni i ardhshëm i Këshillit Evropian do të jetë më interesanti deri më tani, për shkak të vendimeve që duhet të merren, por shprehu keqardhjen që për shkak të zgjedhjeve në Serbi, nuk do të ndiqet me vëmendjen që meriton.

I pyetur nëse do të ketë kërcënime nga Perendimi, presidenti serb tha se do të ketë dhe theksoi se Serbia “është në rrugën evropiane”, por, sipas propagandës së tij tashmë të njohur, ajo i ka dhënë vetes të drejtën të udhëheqë “një politikë liridashëse”.

Ai gjithashtu ka kujtuar se Serbia nuk iu bashkua sanksioneve kundër Rusisë, sepse ajo ka interesat e veta dhe ka pretenduar se detyra e tij është të udhëheqë vendin dhe “të jetë sa më i paanshëm”.

TRENDING

Exit mobile version