Aktualitet

‘Motra e nëna morën azil politik’/ Haxhiu: Më rrezikohet jeta nga banda e Aldo Bares

 Laert Haxhiu, një nga 5 personat më të kërkuar në Shqipëri, i dënuar për vrasjen e dyfishtë të Jurgen Hoxhës dhe Zamir Latifit në Lushnjë, ka refuzuar ekstradimin e tij në Shqipëri. Përmes avokatëve të tij shqiptar Detar Hysi, Laert Haxhiu ka pretenduar përpara gjykatës së Janinës se transferimi i tij në Shqipëri, do i rrezikonte jetën, jo vetëm sepse pretenton se po “përndiqet” nga shteti shqiptar, por edhe pse nga ka frikë nga hasmëria që ka të hapur me anëtarët e bandës së famëkeqit, Aldo Bare (Alfred Shkurti, kreu i bandës së Lushnjes).

Dhe për të bindur gjykatën se ai kishte të drejtë në pretendimet që ngriti, avokatët e Haxhiut vunë në dispozicion një vendim të autoriteteve gjermane, të cilat kanë miratuar kërkesën për statusin e azilantit politik nënës së Laertit, Florije Haxhiut dhe motrës Klea Haxhiu. E gjithashtu, në daljen e tij sot para Gjykatës, Haxhiu hodhi poshtë dhe akuzat e ngritura nga autoritet e Drejtësisë Shqiptare, duke i cilësuar ato si të pabazuara në prova dhe fakt, por të stisura qëllimisht nga kundërshtarët e familjes së tij në Lushnjë.

Sot, Gjykata e Janinës la 40 ditë në burg Laert Haxhiun, në pritje të procedurave të ekstradimit drejt Shqipërisë, ku e pret përballja me drejtësinë për akuzat e vrasjes dhe grupit të strukturuar kriminal. Laert Haxhiu është dënuar për vrasje të mbetur në tentativë me 18 vjet burgim për një ngjarje të regjistruar në 2016 dhe është në gjykim, në Gjykatën e Posaçme për vrasjen e dyfishtë në Lushnjë në 2017, ku humbën jetën Zamir Latifi e Jurgen Hoxha, si dhe u plagos Marjus Xhepexhiu. Në të dyja ngjarjet, hetimi tregoi se objektiv ka qenë Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares dhe shkak dyshohet se janë bërë përplasjet e vjetra të Bandës së Lushnjës.

TRENDING

Exit mobile version