Rajon

Na mashtroi hipokritja, çmënden Vuçiç dhe Daçiç, Serbia çartet

Jo vetëm në Marrëveshjen Bazike që tashmë ka mbushur një vit – por edhe në vetë Marrëveshjen e Parë të Parimeve për Normalizimin e Marrëdhënieve, Serbia – tekstualisht – ishte pajtuar të mos e pengojë as inkurajojë dikë tjetër të ndalojë rrugëtimin evropian të Kosovës.

Tashmë ajo që kishte nisur si prolog – pas përjashtimit të Federatës Ruse – po kthehet edhe epilog, në eventualitetin dita-ditës të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Beogradi zyrtar ka nisur kafshimin e dhëmbëve të vet në kundërshti të anëtarësimit të Kosovës në këtë paradhomë të Bashkimit Evropian.

Në dritën e shpalosjes së raportit – tashmë edhe publikisht tejet premtues – të Raportueses së Këshillit të Evropës për Kosovën, Dora Bakoyanis, ministri serb i jashtëm, Ivica Daçiç, i angazhuar me orar të plotë në luftimin e aplikimit të Kosovës, hodhi vrerë ndaj deklarimeve të saj.

Vetë pakica serbe, tha Bakoyanis, do të përfitojë “më së shumti” nga anëtarësimin e Kosovës në KiE, prandaj edhe tha se ka rekomanduar një “periudhë monitorimi” të Kosovës nga Këshilli.

“Unë do të rekomandoj monitorimin e Kosovës nga Këshilli i Evropës – një proces post-monitorues që mund të fillojë nëse Këshilli i Ministrave vazhdon me votën e tij ta aprovojë, sepse ata janë përgjegjës për marrjen e vendimeve. Raporti im për të gjithë kolegët paraqet situatën aktuale në raport për të drejtat e njeriut, progresin e arritur në zbatimin dhe miratimin e ligjeve. Nëse raporti miratohet, atëherë do të hyjmë në procesin e postmonitorimit” – ka treguar Bakoyanis , duke shtuar:

“Natyrisht që unë naive s’jam, jam krejt në dijeni që ka një listë të gjatë çështjesh të mbetura pezull në lidhje me demokracinë dhe të drejtat e njeriut në Kosovë, si dhe rezistenca e fuqishme e Prishtinës në fronte të ndryshme.

Edhe Këshilli e Evropës e di këtë fort mirë, por fakti që brenda pesë muajsh ia dolëm të zgjidhim çështjen e Manastirin e Deçanit…është arritje e madhe dhe kjo ngjarje dhe ky fakt, do të jenë në raportin tim”.

Nga ana tjetër, Ivica Daçiç, nuk vonoi shumë të hidhte vrer ndaj Dora Bakoyanis, deklaratat e të cilës me tonet më të ashpra i quajti “kulm të hipokrizisë” dhe “skandaloze”; duke i qëndruar linjës së Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, se “Perëndimi na mashtroi”.

”Ky është edhe mashtrimi për të cilin foli edhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe tregon se si perëndimorët thyen premtimet e tyre, teka patën thënë se Kosova nuk do të anëtarësohet në Këshillin e Evropës, pa themeluar Asociacionin e Komunave të banuara me shumicë Serbe”- ka thënë Ivica Daçiç.

Ministri i Jashtëm serb hodhi vrer ndaj ish-kryediplomates greke, Bakayonis duke thënë se deri tani, ajo fliste “për tri kushte” që kuahtëzonin anëtarësimin e Kosovës në KiE, “më e rëndësishmja prej të cilave ishte themelimi i Asociacionit”. Në dritën e këtyre zhvillimeve – premtueshmërisë së pranimit të Kosovës në KiE – Aleksandër Vuçiç, për të disatën herë, tha se Serbia “do të ndërrojë qasje dhe doktrinë” ndaj Kosovës, në ditët në vijim.

“Unë do tju tregoj se si jemi mashtruar, ku na kanë hedhur hi syve, dhe si na kanë gënjyer disa të ashtuquajtur miq dhe shumë të tjerë nga Perëndimi, dhe kjo ka të bëjë me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”- deklaroi Vuçiç.

Duke folur për këtë çështje, presidenti serb theksoi: Ne u thamë atyre se çfarë do të ndodhte nëse kjo do të ma mashtronin në lidhje me antarësimin e Kosovës. Sepse ata mendojnë se kanë të drejtë ta interpretojnë marrëveshjen e Brukselit në mënyrë të rreme, jo në mënyrë të gabuar ose si të duan, por në mënyrë të rreme.”

TRENDING

Exit mobile version