Sport

Ndeshja me Çekinë/ Policia e Shtetit paralajmëron tifozët: Ruani qetësinë

Shqipëria dhe Çekia përballen me njëra tjetrën në orën 20.45 të enjten, në “Air Albania”.  Një ditë para, Policia e Shtetit publikoi masat e marra, por gjithashtu lëshoi një lajmërim për të gjithë tifozët. Në njoftim, Policia i kujton lojtarit të 12-të se është e detyruar të respektojë rregullat. Ndër të tjera, ashtu siç pritej, ndalohet futja në stadiumin “Air Albania”, e flakadanëve, lëndëve piroteknike dhe mjeteve të  forta. Përdorimi i dhunës, thyerja e stolave apo prishja e qetësisë, sipas asaj që shkruhet, janë të ndëshkueshme.

Njoftimi:

Policia e Shtetit

Të nderuar tifozë dhe sportdashës që keni vendosur të ndiqni në stadium apo në mënyrë të organizuar, në lokale, ndeshjen e futbollit Shqipëri-Çeki, ju rikujtojmë se:

 

 

•Jeni të detyruar të zbatoni me rigorozitet, ligjet e shtetit shqiptar, rregullat kombëtare, ato ndërkombëtare dhe udhëzimet e autoriteteve, për pjesëmarrjen në aktivitete sportive;

•Ndalohet futja në stadiumin “Air Albania”, e flakadanëve, lëndëve piroteknike, sendeve të forta dhe metalike, monedhave, sendeve/produkteve për përdorim kozmetik dhe banderolave me përmbajtje raciste ose diskriminuese;

•Ndalohet mbulimi i fytyrës që bën të pamundur identifikimin e tifozit/es;

•Thyerja e ulëseve apo e pajisjeve të tjera në stadium, dëmtimi i pronës private në lokale apo në ambiente të tjera ku do të ndiqet ndeshja, si dhe prishja e qetësisë publike në sheshe apo në rrugë, janë vepra penale dhe shtetasit që do t’i kryejnë këto veprime, do të përballen me sanksionet penale, konform ligjeve në fuqi në Republikën e Shqipërisë.

Policia e Shtetit, për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti sportiv me përmasa ndërkombëtare, ka angazhuar qindra punonjës policie, të cilët do garantojnë rendin dhe sigurinë publike, si dhe do t’iu ofrojnë ndihmë dhe informacion, në rast nevoje.

Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e qytetarëve, për respektimin e masave kufizuese për qarkullimin e automjeteve dhe të masave për hyrjen dhe qëndrimin në stadium, në mënyrë që ky aktivitet të mbyllet pa incidente.

TRENDING

Exit mobile version