Shkrime

Në vendin ku gomerët janë me shumicë/ Libri i luftës i Enver Hoxhaj

Nga Lorenc Vangjeli

Ajo çfarë u mendua si punë e ligë që do të shkonte afër fundit për punë ditësh, është kthyer në një makth botëror që po luhet në skenë me aktorë realë që prej një viti.

Kur makineria ruse e luftës, aeroplanët ushtarakë, raketat e tanket sulmuan Ukrainën, shumëkush gjykonte vetëm për kushtet poshtëruese të paqes që do t’i imponohej viktimës. Dhe, kur modestisht, në sallën e Parlamentit shqiptar apo dhe ndonjë zë tmerrësisht i vetmuar studiosh televizive pohonte se në kufirin më lindor të Evropës luftohej edhe për njohjen e realitetit të ri evropian, Kosovës, turma e pafundme e naivëve që ulërimën e konsiderojnë argument, ata që në epokën e kompjuterëve vazhdojnë t’i bëjnë me gishta llogaritë dhe që veshur me paturpësinë e padijes, e bëjnë me turp edhe vetë turpin, kishin bindje se në përplasjen e dy botëve, qytetërimi po numëronte shansin e ri të dështimit.

Fatmirësisht nuk ndodhi kështu!

Sot, e vetmja gjë e panjohur nuk është emri i fitimtarit të luftës, por çmimi që do të duhet të paguhet ende për paqen dhe cilët janë skenarët që do të luhen në Rusinë post-agresion.

Ky është një vit reflektimi edhe për kufijtë modestë të botës shqiptare. Këtej dhe andej Morinës, në Tiranë dhe në Prishtinë, mund të numërohen formalisht me qindra njerëz që konsiderojnë politikën si profesion të tyre.

Enver Hoxhaj, ish-ministër i jashtëm i Republikës së Kosovës dhe deputet i Parlamentit, botoi pas vetëm një muaji nga shpërthimi i luftës, një punë studimore kushtuar tragjedisë që po zhvillohet në skaj të Evropës.

“Përplasja e madhe: Si po e lufton Rusia Kosovën dhe Ballkanin”, është një manual i shkëlqyer për të kuptuar jo thjesht atë që po ndodh me mijëra kilometra larg, por sidomos vlen për dritën që hedh tek pikëtakimet e luftës me botën shqiptare në Ballkan dhe vetë rajonin në përgjithësi. Një udhërrëfyes praktik orientimi për të sotmen dhe një sërë propozimesh konkrete për të nesërmen shqiptare dhe rajonale.

Çdo libër ka fatin e tij dhe ai zakonisht nuk varet nga cilësia e të shkruarit poe nga shumë faktorë. Libri i Hoxhajt humbi zërin në zhurmë dhe nga shumë u duk i pavend si shala e kalit në vendin ku gomarët janë shumicë tronditëse.

Që në prillin e vitit të shkuar, Hoxhaj u bashkua, ndoshta si shqiptari i vetëm deri më tani, me atë klub ndërkombëtar studiuesish që u rrekën të shpjegojnë se çfarë po ndodhte. Autori dëshmon idenë e tij se dështimi euroatlantik në parandalimin e konfliktit u shoqërua me aftësinë e Perëndimit për reagim ndaj tij.

Rebusi i ri gjeopolitik, rishkrimi i rregullave të reja të bashkëjetesës dhe mbi të gjitha, ndikimi i kësaj tragjedie në gjithë hapësirën ballkanike e veçanërisht në Kosovë, merr përgjigje alternative në këtë libër. Njohja e shkëlqyer e historisë i ka dhënë fatmirësisht Hoxhajt instrumentin e duhur për të shpjeguar të ardhmen. Që nga qasja tradicionale ruse ndaj Kosovës dhe ajo personale e Putin, tek rikthimi i ambicieve ruse në Ballkan, që nga raportet me Serbinë në këtë trekëndësh me kulm vëllain e saj të madh sllav e deri tek e nesërmja e transformimit të Evropës si përgjigje për tragjedinë e sotme.

Riorientimi apo theksimi i prioriteteve formalisht të ndryshme të Kosovës pa ndryshuar objektivin final, janë një këshillë e librit që duhet dëgjuar me vëmendje, qoftë në Prishtinën zyrtare që duhet të veprojë, qoftë në Tiranë që duhet të mbështesë dhe mbështet pa kushte Kosovën.

Anëtarësimi i Kosovës në NATO, në Këshillin e Evropës dhe njohja nga pesëshja ende dyshuese evropiane, janë hapat e domosdoshëm në përgjigje të statusit të ngrirë jo vetëm të Kosovës, por të të gjithë rajonit. “Paqja është vetëm një mungesë e përkohshme e luftës”, është një paralajmërim për aktorët dhe faktorët politikë që situatën e ngrirë e shohin si qëllim të përhershëm dhe jo si stad të përkohshëm.

Lufta nuk është asnjëherë ajo që duket në lajmet televizive. Nuk është statistikë e thjeshtë që përfshin numërimin e raketave të hedhura, rreshtat e të vrarëve, të plagosurve apo karvanët e refugjatëve. Lufta nuk është as rrëfim ngjarjesh dramatike personale. Është shumë më tepër. Lufta është edhe një mundësi për të kuptuar vlerën e paqes dhe leksioni universal se ja vlen pagesa e çdo çmimi për luftën, për të mbërritur tek paqja.

Libri i Enver Hoxhajt jep përgjigjet e tij vetjake. Autorë të tjerë mund të kenë të vërteta alternative, të ndryshme me të. Por, në thelb, në një fare mënyrë Hoxhaj shpëtoi nderin e klasës së politikanëve që përfaqëson duke shkruar një libër që mbetet në epokën e fjalimeve që harrohen, teksa edhe pse nuk kemi mundësi që të diktojmë kushtet tona të lojës, së paku duhet të kuptojmë rregullat e saj. Ndryshe, jemi të humbur. Të gjithë të humbur!

TRENDING

Exit mobile version