Politike

Një shkollë e re model/Pa grantin do detyroheshin të bënin një shpenzim jo të vogël

Një shkollë e re model hapi dyert për nxënësit dhe mësuesit në qytetin e Durrësit. Shkolla 9 vjeçare “Hasan Koçi” renditet për nga standerdet krah shkollave të qyteteve europiane, me kushte optimale për zhvillimin e procesit mësimor.
Mësimi vijon normalisht në shkollën e re dhe kujdesi ndaj shëndetit të nxënësve dhe mësuesve është parësor në këto ditë. Sot, shkollën “Hasan Koçi” e vizitoi Kryeministri Rama.
“Është një nga shkollat më të mira të ndërtuara pas tërmetit. Kanë qenë dy godina të vjetra. Tani kemi 18 klasa, katër laboratorë dhe të gjitha ambientet ndihmëse, duke përfshirë edhe palestrën”, – u shpreh ministri për Rindërtimitn Arben Ahmetaj.
Hapësirat e bollshme janë të parat që bien në sy, sidomos mjediset sportive, duke u siguruar nxënësve mundësinë të lëvizin lirshëm dhe të kenë mjaftueshëm vend për procesin mësimor dhe aktivitete të ndryshme.
“Kushtet mësimore janë sipas të gjitha standardeve. Oborrin, i cili do të shfrytëzohet për orarin e pushimit, do ta pajisim me stola dhe me ambiente qëndrimi, si dhe mund të zhvillohen edhe ndonjë orë mësimore. Gjithashtu ambiente të posaçme, përfshirë tualetet janë të përshtatura edhe për fëmijët me aftësi ndryshe, sipas të gjitha standardeve”, – nënvizoi Kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako.
Kryeministri vizitoi disa klasa, ku po zhvillohej mësimi, si dhe palestrën dhe mjediset e tjera sportive. Me urimin për shkollën e re, Kryeministri Rama inkurajoi nxënësit dhe mësuesit për rezultate të larta dhe angazhim maksimal në procesin mësimor.
Në Durrës po ecën me ritme të larta meremetimi i 94 pallateve në zonën e plazhit. Punimet e jashtme të pallateve jane drejt fundit. Kryeministri Rama inspektoi sot punimet në zonën e plazhit, i shoqëruar nga ministri për Rindërtimin Arben Ahemtaj dhe kryetaren e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako. Kryebashkiakia Sako informoi se “kanë përfunduar në gjithë Durrësin 145 objekte, të cilat përkthehen në 300 familje të hequra nga bonusi i qerasë dhe të sistemuara në shtëpitë e tyre”.
Në total janë 615 pallate në gjithë Bashkinë e Durrësit, të cilat do të restaurohen, ndërkohë që banorët po përfundojnë meremetimet e apartamenteve, falë grantit rreth 4 miliardë lekës, të dhënë nga qeveria për 9700 familje.
“Këto familje, pa grantin do detyroheshin të bënin një shpenzim jo të vogël”, – u shpreh Kryeministri Rama, teksa u mbështet me shifra nga ministri i Rindertimit që shtoi se “këto familje, pa grantin do shpenzonin 43 milionë dollarë për të rregulluar shtëpitë”.
Gjatë inspektimit të ambienteve të përbashkëta, Kryeministri Rama u ftua nga disa banorë në apartamentet e tyre tashmë të meremetuara dhe shumë më të bukura e të forta se ato që tërmeti i vitit te kaluar dëmtoi.​

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TRENDING

Exit mobile version