Kosova

OKB bën me “dhimbje koke” Serbinë, harton projekt-rezolutë për të njohur gjenocidin në Srebrenicë

Disa vende po punojnë në një projektrezolutë për të shpallur 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Kujtimit të Gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë, sipas një dokumenti që ka parë Zëri i Amerikës.

Ruanda dhe Gjermania po udhëheqin këtë përpjekje, por sipas informacioneve që ka siguruar Zëri i Amerikës, pjesë e kësaj nisme janë edhe Shtetet e Bashkuara, Shqipëria, Bosnja, Kili, Finlanda, Zelanda e Re, Turqia dhe vende të tjera.

Projektrezoluta bazohet pjesërsisht në rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të vitit 2004, që shpalli 7 prillin Ditë Ndërkombëtare të Reflektimit për Gjenocidin e vitit 1994 ndaj grupit Tutsi në Ruandë.

Projektrezoluta do të paraqitet në një takim më të gjerë me dyer të mbyllura të vendeve të OKB-së më 17 prill. Në këtë takim hartuesit e projektrezolutës mund të marrin parasysh propozimet e vendeve të tjera anëtare dhe të shohin se çfarë mbështetje mund të presin për nismën e tyre në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, e cila përbëhet nga 193 vende anëtare.

Në tekstin e projektrezolutës, që ka parë Zëri i Amerikës, mes tjerash dënohet çdo përpjekje për të mohuar gjenocidin në Srebrenicë dhe për të ngritur figurat e atyre, që janë dënuar për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid. Ajo gjithashtu thekson rëndësinë e përfundimit të procesit të gjetjes dhe identifikimit të vikimave të mbetura të gjenocidit në Srebrenicë dhe vazhdimin e përpjekjeve për të nxjerrë para drejtësisë autorët e këtij krimi.

Projektrezoluta i bënë thirrje Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres që të krijojë një program të quajtur “Gjenocidi i Srebrenicës dhe OKB-ja”, i cili do të merrej me përgatitjet për organizimin e aktiviteteve për shënimin e 30 vjetorit të Masakrës së Srebrenicës në 2025.

TRENDING

Exit mobile version