Aktualitet

OSBE dhe UT ngrenë qendrën e kërkimit për drejtësinë tranzicionale në Shqipëri

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Universiteti i Tiranës, gjatë një veprimtarie online, shpallën ngritjen e Qendrës për Drejtësi dhe Transformim – një qendër kërkimi shumëdisiplinore në fushën e drejtësisë tranzicionale.

 

Qendra do të fuqizojë kërkimin dhe debatin shkencor për shkeljen e të drejtave të njeriut gjatë regjimit komunist. Po ashtu, ajo do të përqendrohet në ndikimin që kanë masat e drejtësisë tranzicionale në çuarjen përpara të të drejtave të njeriut dhe të demokratizimit të institucioneve në  Shqipëri. Qendra është bashkëpunim i Fakultetit të Shkencave Sociale, Fakultetit të Drejtësisë dhe Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë dhe ndodhet në mjediset e Fakultetit të Shkencave Sociale.

 

“Ne jemi të bindur se kërkimi i së vërtetës dhe mbledhja e përhapja e informacioneve për shkeljet e bëra në të shkuarën janë thelbësore për të krijuar një mjedis të sigurt për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriu në vijimësi”, tha Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Vincenzo Del Monaco, në takimin online. “Si një pjesë themelore e shoqërisë shqiptare, brezi i ri i studentëve dhe kërkuesve ka të drejtë të marrë pjesë në diskutimin kombëtar për trajtimin e së kaluarës. Të rinjtë duhet të pajisen me mjete metodologjike shkencore, në mënyrë që të marrin pjesë aktivisht në përpjekjet për të kuptuar historinë shqiptare dhe ndikimin e saj në shoqërinë dhe kornizën institucionale të sotme. Kjo do t’i hapte rrugën një shoqërie ku nuk ekziston frika dhe që respekton plotësisht dinjitetin dhe të drejtat e njeriut”.

Edhe rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha, theksoi nevojën që brezat e rinj të njihen më mirë me të shkuarën e Shqipërisë. Ai falënderoi Prezencën për mbështetjen dhe tha se Qendra do të shërbejë si bazë që të tria fakultetet e përfshira të kenë një program ndërdisiplinor, i cili do të çojë në krijimin e një Masteri në Drejtësinë Tranzicionale.

 

Në takim morën pjesë përfaqësues të institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare që punojnë me drejtësinë tranzicionale, dekanët e fakulteteve, pedagogët e projektit, profesorë dhe përfaqësues të trupit diplomatik.

 

Nisma e Prezencës për ngritjen e Qendrës ishte pjesë e përpjekjeve të saj më të gjera për të ushqyer kërkimin dhe hulumtimin kritik në fushën e drejtësisë tranzicionale në Shqipëri, për të rritur analizën akademike dhe për të kontribuar për informimin e publikut dhe diskutimin akademik lidhur me trajtimin e së kaluarës. Projekti, që çoi në ngritjen e Qendrës, financohet nga qeveria gjermane dhe ajo zvicerane.

 

Që prej vitit 2015, Prezenca e OSBE-së ka mbështetur dialogun kombëtar në Shqipëri për shkeljen e të drejtave të njeriut gjatë regjimit komunist. Në veprimtaritë e organizuara kanë marrë pjesë aktorë të ndryshëm, përfshirë ish-të përndjekur dhe rreth 1 500 të rinj nga mbarë vendi. Më 2017 dhe 2018, Prezenca mbështeti funksionimin dhe rritjen e kapaciteteve të Autoritetit të sapokrijuar për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit. Më 2018, Prezenca, në bashkëpunim me Fondacionin Kondrad Adenauer, filloi mbështetjen për një koncept shumëdisiplinor kërkimor për drejtësinë tranzicionale

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TRENDING

Exit mobile version