Kosova

PER KOSOVEN, Gjukanoviç godet pushtetin në Mal të Zi për votën kundër në KiE

Ish-presidenti dhe kryeministri malazez Milo Gjukanoviç në një intervistë për mediumin malazez Antena M , ka komentuar votën kundër që Mali i Zi pati për Kosovën në KiE. Ai tha se ky veprim, tregon qartë fillimin e heqjes së maskës europiane dhe shfaqjes së fytyrës së vërtetë antimalazeze.

I pyetur nëse pranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës dhe Rezoluta për Srebrenicën, e cila duhet të miratohet në OKB, është momenti kur të paktën një pjesë e qeverisë do të fillojë të heqë maskën evropiane, Gjukanoviç u shpreh se votimi në KiE tregoi “se nuk ka homogjenizim të vërtetë në radhët e krijuesve dhe zbatuesve të politikës shtetërore në Mal të Zi”.

“Për më tepër, asnjëri prej tyre nuk kujdeset për interesat shtetërore të shtetit. Sepse nëse do t’u interesonte, dhe po u interesonte marrëveshja e tyre e koalicionit, do të kujdeseshin për faktin që Mali i Zi e njohu Kosovën në vitin 2008 dhe do të kujdeseshin që në marrëveshjen e koalicionit të kenë deklaruar se do të ndjekin prioritetet e politikës së jashtme që përmban strategjia e zhvillimit shtetëror”, theksoi Gjukanoviç.

Ai beson se do të ishte gabim të pritet nga Perëndimi një “terapi shpëtimtare për të kuruar këtë kancer politik që po rëndon aktualisht në Malin e Zi. Sipas ish-presidentit malazez, gjithashtu shqetësim mbetet neglizhenca që po i bëhet Rusisë, e cila ka nxitur politika shumë retrograde në rajon, përkatësisht nacionalizmin dhe projektet e mëdha shtetërore.

“Ballkani Perëndimor po merret me të njëjtat çështje që trajtonte në vitet ’90 si përshembull mbrojtja e anëtarëve, të supozuar të rrezikuar, të kombeve të caktuara jashtë kufijve të vendeve të origjinës, duke shkatërruar kështu sovranitetin e vendeve fqinje, duke prishur marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe në thelb duke rrezikuar stabilitetin, pra perspektivën evropiane të rajonit” – theksoi Gjukanoviç.

Kujtojmë se më 27 mars, Maja Vukiçeviç, kryetare e delegacionit malazez në Komitetin për Politikë dhe Demokraci në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, votoi kundër propozimit që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës.

Vukiçeviç është anëtare e Partisë Popullore Demokratike pro-ruse në parlamentin malazez, njëherësh deputete e ish-Frontit Demokratik, agjenda e të cilit përfshinte tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës, heqjen e sanksioneve kundër Rusisë dhe daljen e Malit të Zi nga Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior.

Partia e saj e konsideron Kosovën si pjesë të Serbisë, duke e quajtur atë “shtet të rremë” dhe “territor të pushtuar përkohësisht”. Kjo parti është pjesë e shumicës qeverisëse në Mal të Zi që nga ndryshimi i qeverisë në vitin 2020, kur u zëvendësua Partia Demokratike e Socialistëve, e cila njohu pavarësinë e Kosovës në vitin 2008.

TRENDING

Exit mobile version