Kosova

Politico: Askujt s’i intereson çfarë mendon Europa

Gazeta e njohur amerikane “Politico” në një artikull të fundit ka shkruar në lidhje me impotencën e Bashkimit Evropian për t’i zgjidhur problemet në kontinent, duke përfshirë harkun e krizës që shtrihet nga marrëdhëniet e tensionuara mes Kosovës dhe Serbisë, në Azerbajxhan e Armeni, e deri në konfliktin e fundit ndërmjet Izraelit dhe Palestinës. Që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë dhe krijimi i BE-së, amerikanët dhe evropianët kanë trajtuar në mënyra të ndryshme prioritetet strategjike në politikën e jashtme. Prandaj, sipas artikullit të prestigjozes amerikane, mund të konkludohet se “iluzionet gjeostrategjike” janë shkatëruar ditët e fundit. “Askujt nuk i intereson se çfarë mendon Evropa, e cila përmes një sërë pikash shpërthyese globale nga Nagorno-Karabaku në Kosovë e deri në Izrael, është zhvendosur në rolin e një Organizate Jo-Qeveritare me qëllime të mira, kontributet humanitare të së cilës janë të mirëseardhura, por edhe “injorohet” – thuhet në artikullin e gazetës amerikane. Një shembull i pafuqisë gjeopolitike të Evropës, përveç rajonit të diskutueshëm të Nagorno-Karabakut të banuar me shumicë armene në Azerbajxhan, sipas gazetës amerikane, një model i ngjashëm ka ndodhur edhe në Kosovë, ku eurokratët në Bruksel janë përpjekur për vite me radhë të ndërmjetësojnë një paqe të qëndrueshme midis shqiptarëve dhe serbëve. Në artikulli ndër të tjera thuhet se Emisari Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ndonëse ka mbushur tri vjet në këtë pozitë, nuk ka arritur të zgjidhë ngërçin në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe, ndërsa Kosova dhe Serbia konsiderohen të jenë më shumë se kurrë më pare, larg njëra tjetrës. Duke iu referuar tensioneve të fundit në pjesën veriore të Kosovës, ku paramilitarët serbë kryen akte agresioni në fshatin Banjskë të Zveçanit, gazeta amerikane shkruan se, ashtu siç rëndom ndodhë, përfaqësuesit evropianë përdorën “mekanizmin e provuar” të zgjidhjes së krizave: Amerikë, apo ndryshe Xhaxha Semi, për shkak të kapaciteve që zotëron në zgjidhjen e konflikteve.

TRENDING

Exit mobile version