Politike

Protestë para Bashkisë Tiranë/ Qytetarët përplasen me forcat e policisë, hedhin molo*tovë

Këtë të enjte ka pasur përplasje mes forcave të policisë dhe qytetarëve para Bashkisë Tiranë.

Qytetarë dhe deputetë të opozitës janë mbledhur para Bashkisë së Tiranës për të protestuar kundër kryebashkiakut Erion Veliaj  sa i takon rastit të Dosjes 5D, ku drejtorë dhe funksionarë të Bashkisë kanë rënë në rrjetën e SPAK.

Protestuesit kanë tentuar të thyejnë kordonin policorë, ku kanë hehdur edhe molotovë te dera e Bashkisë.

Qindra qytetarë dëgjohen duke thirrur “O hajdut, o hajdut”.

Gjithashtu kanë hedhur mollë dhe tymuese në drejtim të godinës.

Këshilltarët bashkiakë nuk lejohen të futen brenda, jo të paktën para se të mbarojë protesta.

Kështu kanë bërë me dije vetë këshilltarët, pas komunikimit me drejtorin e policisë Tiranë, Tonin Vocaj.

Lajmi për protestën u bë publik nga eksponentë të ndryshëm të opozitës, përmes mediave sociale.

Kujtojmë që, qytetari i parë i Tiranës, Erion Veliaj, në një reagim nga zyra e tij u ka dalë në mbrojtje ish-zyrtarëve të institucionit që ai drejton, të cilët tashmë ndodhen pas hekurave.

Sipas Veliajt, ish-drejtorët ishin në krye të detyrës dhe e kanë realizuar atë më së miri.

“Redi Molla e kthehu në funksion ndërmarrjen e falimentuar të Ujësjellësit. E kthehu Tiranën nga 7 orë në 24 orë të furnizimit me ujë. Taulant Tusha ka ndjekur në mënyrë të jashtëzakonshme punën. Ka ndjekur me prioritet projektet e Tiranës”, tha kryebashkiaku.

Ai e cilësoi të gjitha reagimet e opozitës si gjueti shtrigash.

Për Veliajn një kryebashkiak nuk mund të dijë çdo gjë.

“Në pritje të fjalës së fundit të tyre, unë vetë ju them se asnjë përfitim i paligjshëm i tyre nuk më ka lidhur. Gabime mund të kem bërë plot, por kurrë se kam vënë firmën për përfitim personal apo të paligjshëm”.

Ndërkaq, Gjykata e Posaçme ka vendosur të lërë në fuqi masat për ish-zyrtarët e bashkisë së Tiranës, duke lënë në burg 3 prej tyre dhe 5 të tjerë në detyrim paraqitje.

Kështu, në masën arrest me burg do te mbeten shtetasit Redi Molla, Margilen Qato dhe Taulant Tushe.

Sipas SPAK, Mariglen Qato dhe Redi Molla janë pronarë de facto të kompanisë 5D, e cila ka rezultuar fituese në disa tendera pranë bashkisë. Hetimi nisi kryesisht nga SPAK, më pas ka qenë Belind Këlliçi ai që dërgoi një kallëzim të ri për dosjen 5D.

Dy ditë më parë Prokuroria e Posaçme SPAK ka firmosur nëntë masa sigurie për ish-zyrtarë të Bashkisë së Tiranës.

Mësohet se masë sigurie është firmosur edhe për Mariglen Qato, ish drejtor i Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) në Bashkinë e Tiranës dhe ish drejtorin e UKT-së Redi Molla.

Nga masat e sigurisë, 3 prej tyre janë arrest në burg, ndërsa të tjerët arrest shtëpie e detyrim paraqitje.

SPAK mbi bazën e verifikimeve të kryera kryesisht, ka filluar hetimet lidhur me procedimin penal për veprat penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera dhe në ankande publike” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Po kështu, Prokuroria e Posaçme mbi bazën e kallëzimit penal të kryer nga shtetasi Belind Këlliçi, ka rregjistruar procedimin penal nr.121, datë 23.05.2023. Të dy procedimet penale janë bashkuar në një procedim penal të vetëm, të numërtuar me nr.75 viti 2023.

Lidhur me këtë procedim penal, për një periudhë disa mujore dhe në mënyrë të pandërprerë, janë kryer veprimet e nevojshme hetimore, ku janë përfshirë administrimi dhe verifikimi i informacioneve nga burimet e hapura, kryerja e veprimeve hetimore proaktive, kryerja e kontrolleve të vendeve dhe kontrolleve të personave, sekuestrime të provave materiale, administrimi i dokumentacionit të një sërë procedurash prokurimi, kryerja e ekspertimeve teknike e kompjuterike, shqyrtimi dhe analizimi i të gjitha provave dhe dokumenteve të administruara.

Nga burimet e provave të mbledhura në kuadër të hetimeve të këtij procedimi penal janë krijuar dyshime të arsyeshme se shtetasit R.M. dhe M.Q. janë ortakët e vërtetë dhe pronarët “de facto” të shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k. Shtetasit R.M. dhe M.Q. e kanë zotëruar këtë shoqëri tregtare  në mënyrë indirekte, duke përdorur persona të tjerë, shtetasit E.M., M.P. dhe N.M., si ortakë fiktiv në aktet e rregjistrimit dhe funksionimit të shoqërisë, me të cilët ortakët e vërtetë të shoqërisë kanë pasur lidhje shoqërore dhe lidhje miqësore.

TRENDING

Exit mobile version