DOSSIER

Relacioni sekret: Si e vramë shkelësin e kufirit

Relacioni i kryetarit të Degës së Brendshme Shkodër / “Për shkak të organizimit të mirë të shërbimit, ata ranë në përpjekje me njësitin e shërbimit dhe realizuan asgjësimin e njërit shkelës kufiri, nga ushtar D.M., kurse tjetri u kap i gjallë”.

Nga Dashnor Kaloçi

Ndërsa akrepat e orës shënonin 01.30 minuta, të datës 2 tetor të vitit 1986, qetësinë e asaj nate të ftohtë vjeshte në skajin më verior të Shqipërisë, në zonën e Vermoshit, e prishën disa krisma arme automatike, të cilat u pasuan nga një pistoletë shënjëhedhëse, që ndriçoi të gjithë vendin në atë shpat të Malit të Bojës dhe më pas, të lehurat e një qeni e thirrje e brimat njerëzish…! Ishin ushtarët e postës kufitare Bashkim së bashku me forcat vullnetare të asaj zone, (apo siç njiheshin ndryshe “pushkatarët”),  si dhe forca të tjera të reparteve të Ushtrisë, Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Shkodrës dhe Batalionit të Kufirit, që mbulonte atë zone, të cilat që prej afro dhjetë ditësh, kur ishte dhënë një situatë alarmi, ndodheshin në pozicionet e tyre, duke bllokuar vijën e kufirit që ndodhej vetëm 400-500 metra larg nga aty, në pritje për të kapur të gjallë apo asgjësuar, dy shkelës kufiri, që thuhej se vinin nga thellësia, me qëllim për t’u arratisur dhe për të kaluar në Guci të Malit të Zi. Ushtari i njësitit kufitar që hapi zjarr, së bashku me një pjesëtar të forcave vullnetare u afruan në drejtim të siluetës së një njeriu, të cilin e gjetën duke rënkuar dhe të larë në gjak, nga plumbat që e kishin përshkruar trupin e tij.

Pak minuta më pas, ushtarët e atij njësiti kufitar dhe forcat e tjera vullnetare që u afruan me të shpejtë në vendin e ngjarjes, dëgjuan të lehurat e qenit të kufirit që shoqëruesi i tij e kishte vënë në gjurmë, për të bërë të mundur kapjen e shkelësit tjetër. Nuk vonoi shumë, kur qeni i kufirit, u hodh mbi një shkurre, ku qëndronte i strukur përmbys një person tjetër, të cilit ia nguli dhëmbët në kurriz, duke i grisur e shqyer xhaketën ushtarake që ai mbante veshur. Pas thirrjes; “duart lart, mos lëviz se do të qëllojmë”, njësiti kufitar, iu afrua duke e lidhur me duar prapa dhe menjëherë u afruan te grupi tjetër me ushtarë e oficerë, të cilët qëndronin në këmbë rreth shkelësit tjetër të kufirit, që dergjej i shtrirë në tokë, pa  shenja jete, pasi kishte mundur të shqiptonte vetëm dy tre fjalë, duke u thënë se; quhej Sokol Vreshti dhe ishte nga fshati Bajzë. Gjë të cilën e konfirmoi edhe shoku i tij, që u kap i gjallë pak metra më larg, i cili u tha se; quhej Gjelosh Gega, nga fshati Bogë i Malësisë së Shkodrës dhe bashkë me Sokolin, ishin ushtarë në një repart në Vërmik të Vlorës.

Pas kësaj, sipas urdhrave të shefave e kuadrove kryesorë të Degës së Punëve të Brendshme të Shkodrës, që prej një jave, drejtonin atë operacion kërkimi nga reparti i Batalionit të Kufirit, Gjelosh Gegën, e lidhën me pranga me shokun e tij, Sokol Vreshtin (tashmë të vdekur), dhe pasi i hipën në karrocerinë e një automjeti “ZUK” të Degës së Brendshme, i nisën për në Shkodër, të shoqëruar nga shumë forca të kufirit. Për këtë ngjarje të pazakontë, të ndodhur gati 37 vjet më parë, përveç disa mbledhjeve të reparteve të Batalionit të Kufirit që mbulonte atë zonë dhe atyre të Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Shkodrës, ku kufitarët që kishin asgjësuar dhe kapur të gjallë dy shkelësit e kufirit, u përgëzuan, shpërblyen (me leje të jashtëzakonshme) dhe u dekoruan nga Presidiumi i Kuvendit Popullor.

Një version të saktë mbi vrasjen e Sokolit, nuk mund të japë as shoku i tij, Gjelosh Gega, (tashmë 58 vjeç) që u kap i gjallë nga forcat e kufirit dhe ato vullnetare, (i cili u dënua me 16 vjet burg, “për tradhti të lartë ndaj atdheut”), pasi ajo ngjarje, ndodhi në ora 01 e 30 të natës dhe në mes të pyllit, ku ai s’ka pasur mundësi të shihte asgjë! As familja Vreshti dhe as Gjeloshi, nuk mund ta japin një version të saktë, nëse; Sokol Vreshti, u qëllua pa paralajmërim nga njësiti kufitar, apo atë e qëlluan dhe e vranë, pasi iu kërkua të ngrinte duart lart, por ai ngaqë ishte i plagosur në njërën dorë, ngriti vetëm dorën tjetër dhe në atë moment, ushtarët e kufirit e qëlluan. Po kështu ata, ende nuk kanë një informacion të saktë dhe nuk e dinë rrjedhën e ngjarjes, pra; si dhe kur, Sokoli me Gjeloshin, bënë plane dhe vendosën që të arratisen nga Shqipëria, si e kaluan ata periudha afro dhjetë ditore, duke u endur maleve në zonën e Vermoshit, në tentativë për të kaluar kufirin për në Guci, kush ishin dy njerëzit që ata takuan rastësisht në pyll (në Vukël e Lëpushë) dhe që lajmëruan menjëherë organet e kufirit, për t’u vënë në ndjekje të tyre, kush ishin personat që udhëhoqën atë operacion kërkimi për kapjen e tyre dhe mbi të gjitha, cili ishte njeriu që qëlloi mbi Sokol Vreshtin, duke e lënë të vdekur?!

Lidhur me këto dhe të tjera, bëhen të ditura nga një dosje nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, (dosja formulare, hetimore dhe gjyqësore), ku është e sqaruar me detaje, gjithçka nga ajo ngjarje tragjike e ndodhur afro 37 vite më pare, në zonën e Vermoshit.

DOKUMENTI SEKRET I HARTUAR NGA KRYETARI I DEGËS SË PUNËVE TË BRENDSHME TË RRETHIT TË SHKODRËS, BARDHOSH LAMÇAJ, LIDHUR ME NGJARJEN E DATËS 2.X.1986, KU MBETI I VRARË SOKOL NDUE VRESHTI DHE U KAP I GJALLË SHOKU I TIJ, GJELOSH NDUE GEGA

S E K R E T

Ekzemplar Nr. 2

Shkodër, më 8.10.1986

P Ë R G J I T H Ë S I M

MBI VRASJEN E NJË SHKELËSI TË KUFIRIT DHE KAPJEN E DISA TË TJERËVE NË SEKTORIN E KUFIRIT TË D.P.B. SHKODËR

Më datën 2.10.1986, në orën 01. në sektorin e Pikës Kufitare Bashkim, u vra shkelësi i kufirit, Sokol Ndue Vneshta, i datëlindjes 1965, lindur në fshatin Jeran të rrethit të Shkodrës, aktualisht ushtar, efektiv i repartit Ushtarak 8791, Vërnik Vlorë.

Më datën 2.10.1986, po në sektorin e kësaj poste, u kap shkelësi i kufirit Gjelosh Fran Gega, i datëlindjes 1965, lindur në fshatin Bogë të rrethit Shkodër, aktualisht ushtar, efektiv i repartit Ushtarak 8791, Vërnik Vlorë.

Më datën 26.9.1986, rreth orës 09, qytetari N.B., nga fshati Vukël, në vendin e quajtur Kërtok, u takua me dy persona të panjohur, të veshur me uniformën e ushtarit, të cilët e pyetën se nga bie rruga për në Vermosh, pasi gjoja do të shkonin tek një kushëri i tyre.

Duke dyshuar në veprimtarinë e tyre, (sepse me vete kishin një bukë, një pako të mbështjellë në letër, si dhe ishin të parruar), Nika u nis për të lajmëruar pikën kufitare të Janës, por gjatë rrugës, takoi dy kufitarë të kësaj pike, të cilët po shkonin në Vukël dhe i informojë për dyshimet e krijuara ndaj këtyre dy personave. Njësiti kufitar, së bashku me N.B., u vunë në ndjekje të tyre.

Kur njësiti iu afrua në distancë rreth 1 km., shkelsat e kufirit me t’i diktuar, e shmangën drejtimin e lëvizjes për nga Vermoshi dhe u futën në pyll mbi fshatin Vukël. Në këtë kohë, njësiti jep sinjal postës dhe vihet në kërkim të tyre. Në vendin e ngjarjes, shkoi grupi i gatshëm me përgjegjës komandantin e pikës, Ali Hoxha dhe pasi u njoh me situatën, ngriti në kushtrim piketën dhe bllokoi kufirin, njoftoi komandën e postës për situatën e krijuar, si dhe kompaninë vullnetare të fshatit Vukël dhe Nikç.

Komanda e Batalionit, pasi u informua nga komanda e postës, për situatën e krijuar, kaloj në gatishmëri shërbimi Nr. 2 postat kufitare Lëpushë, Budaç dhe Bashkim, dhe në vend, dërgoi shefin e Shtabit, Qemal Punavia. Shkelsat e kufirit, të cilët kishin ardhur me leje pranë familjeve të tyre, pasi kishin përpunuar që në repart, planin e arratisjes, takohen bashkë në fshatin Bogë dhe nisen për në drejtim Bogë-Vukël-Janë, Vermosh, për të realizuar qëllimin e arratisjes. Me vete kishin marrë bukë dhe sende të tjera ushqimore.

Më datën 29.8.1986, pasi kalojnë nëpër pyll në fshatin Vukël, në vendin e quajtur Kërtokë, takohen me qytetarin N.B., dhe e pyesin për rrugën që të çon në Vermosh. Pasi e kuptuan se, u diktuan nga njësiti kufitar, ndryshuan drejtimin e lëvizjes dhe u futën në pyll, të cilët qëndruan deri në datën 27.9.1986. Rreth orës 11.00 të kësaj date, ata vazhduan lëvizjen për të realizuar arratisjen dhe gjatë rrugës, takuan qytetaren Gj.B., të cilën e pyetën për rrugën që të çon në Qafën e Bordolecit, duke i thënë se; jemi ushtar në Qafën e Bordolecit.

Por Gj.B., duke qenë e njohur me situatën, ju tha ju çoj unë në Qafë, pasi e kam rrugën për andej, me qëllim që t’i çonte në piketën kufitare, ose në njësitet e bllokimit. Duke e kuptuar qëllimin e saj, shkelësit e kufirit u futën përsëri në pyll, duke qëndruar deri në datën 28.9.1986. Duke përfituar nga dendësia e madhe e pyllit dhe vendi tepër i thyer, natën e datës 29.9.1986, e kalojnë nga ky rajon dhe lëvizin nëpër pyllin e gropave të Selcës, e dalin mbi Qafën e Bordolecit dhe qëndrojnë të maskuar në pyll, duke studiuar terrenin e lëvizjes së forcave tona.

Natën datës 30.9.1986, për 1.10.1986, shkelësit e kufirit kalojnë nga Qafa e Zabelit, (mbi fshatin Budaç), në Malin e Bojës (mbi fshatin Vermosh). Rreth orës 18.00 të datës 1.10.1986, bien në një përpjekje të forcave vullnetare dhe duke përfituar nga pylli i dendur, arrijnë të shkëpusin kontaktin me njësitin dhe pasi orientohen nga dritat e fshatit Guci (Jugosllavi), lëvizin për në drejtim të kufirit.

Në orën 01, bien në përpjekje me njësitin kufitar, të Pikës Kufitare Bashkim, ku njëri vritet dhe tjetri kapet i gjallë. Komanda e Batalionit, pasi vlerësoi situatën e krijuar dhe arriti në përfundimin se; personat e dyshuar ishin shkelës kufiri, kalojnë repartin në gatishmëri shërbimi Nr. 2. U ndanë detyrat dhe kuadrot e komandës dhe të shtabit të Batalionit, shkuan në drejtime kryesore për drejtimin e veprimeve, për kërkimin e  kapjen, ose asgjësimin e shkelësve të kufirit. U organizua dhe u bë bllokimi i drejtimeve më të mundshme të kalimit të kufirit.

Në ndihmë të postave kufitare Lëpushë dhe Budaç, u dërguan ushtarë të marrë nga postat e tjera. Me forcat vullnetare e të armatosura të Degës së Punëve të Brendshme të thellësisë dhe zonave kufitare e forcat e Ushtrisë, u mbyllën drejtimet më të mundshme që të çonin në kufi dhe në thellësi, nga ku mund të kthenin shkelësit e kufirit. Për ndjekjen e situatës, nga Dega e Punëve të Brendshme, u dërgua zv/kryetari i Degës, ndërsa Punëtori Operativ dhe Punëtori i Policisë, gjatë tërë kohës, morën pjesë në situatë.

Në rajonin ku shkelësit e kufirit u zbuluan nga qytetarja G. B., veç masave të tjera, me forcat vullnetare të ushtrisë dhe banorët e zonës të fshatrave Nikç, Vukël, Selcë dhe Lëpushë, të drejtuar nga kuadrot e komandës e shtabit të Batalionit dhe të Degës, në datat 27, 28 dhe 29.9.1986, u organizua kërkim, për zbulimin, kapjen, ose asgjësimin e shkelësve të kufirit.

Megjithatë, për shkak të kushteve të vështira atmosferike (shi e mjegull), terrenit të pyllëzuar dhe të thyer, nuk u bë e mundur rënia në kontakt me shkelësit e kufirit. Prandaj, u ndalua kërkimi, u përforcua bllokimi i vijës së kufirit si dhe u organizua shërbimi në drejtimet më të mundshme të lëvizjes së shkelësve të kufirit, edhe në thellësi. Më datën 29.9.1986, për të ndjekur më nga afër veprimet, shkuan edhe shokët; Lahedin Bardhi, Fadil Cani dhe Ibrahim Tatani, si dhe komandantët e skuadrave nga Qendra e Stërvitjes.

Më datën 1.10.1986, për të ndjekur veprimet, vajti dhe kryetari i Degës. Pas rënies në kontakt të shkelësve të kufirit me njësitin vullnetar në malin e Bojës, (mbi Vermosh), të gjitha postat kufitare nga Budeci deri në Velipojë, përforcuan bllokimin e kufirit. Ndërsa në sektorin e Postës Kufitare Bashkim, i cili ishte dhe drejtimi më i mundshëm, njësitet e bllokimit u udhëhoqën nga komandanti i Batalionit në vijën e kufirit, Vladimir Qirko dhe komisari i Postës, Rifat Çoka. Në vendin e ngjarjes, vajtën shokët Ibrahim Tatani, Zabit Lame, Qemal Punavija, së bashku me shoqëruesin e qenit të shërbimit, u vunë në ndjekje të shklesave të kufirit.

Për drejtimin e veprimeve në Postë, qëndruan Kryetari i Degës, Lahedin Bardhi dhe Fadil Canaj. Në këtë situatë të vështirë, shkelsat e kufirit, zgjodhën rrugën më të shkurtër, për të kaluar kufirin. Mirëpo, për shkak të organizimit të mirë të shërbimit, ata ranë në përpjekje me njësitin e shërbimit, i cili në ora 01, të datës 02.10.1986, realizuan asgjësimin e njërit shkelës kufiri, nga ushtar D.M. Ndërsa shkelësi tjetër, u kthye në anën e kundër të lëvizjes dhe pas një ore, me ndihëm e qenit të shërbimit, u kap në vendin ku ishte fshehur.

KRYETARI I DEGËS SË PUNËVE TË BRENDSHME

Bardhosh Lamçaj

DOKUMENTI SEKRET ME PROCES-VERBALIN E HETUESIT TË DEGËS SË PUNËVE TË BRENDSHME TË SHKODRËS, SOKOL PUTO, PËR KËQYRJEN E VENDIT TË NGJARJES

Proces-verbal i këqyrjes së vendit të ngjarjes

Në Vermosh, sot më datën 2.x.1986, unë hetuesi i Hetuesisë së rrethit Shkodër, Sokol Puto, pasi mora njoftim për ngjarjen e ndodhur në postën e Bashkimit, formova grupin hetimor të përbërë nga unë, eksperti kriminalist, Gjolek Ymeri, dhe dëshmitarët e pranishëm, Rifat Çokaj dhe Ndoc Laskaj, fillova këqyrjen e vendit të ngjarjes.

Vendi i ngjarjes ndodhet në territorin e Postës Kufitare Bashkim, në afërsi të vendit të quajtur “Stanet e Shurdhit”, në drejtim të vijës së kufirit, afro 500 metra larg saj. Në këtë vend duket një rrugë këmbësore që fillon nga posta kufitare dhe vazhdon përgjatë gjithë vijës kufitare të këtij sektori.

Në këtë rrugë dhe në të dy krahët e saj, shihen gëzhoja fishekësh model 56., gëzhoja fishekësh gjermanë si dhe disa gëzhoja fishekësh shenjëdhënës. Kjo rrugë, duket në faqen jug…(nuk kuptohet shkrimi) të malit të Bojës e …. (nuk kuptohet shkrimi) e mesit të tij.

Në këtë vend, vija e kufirit ndodhet në fundin e malit dhe në një luginë që përshkohet nga përroi i Vermoshit. Në drejtim për në majën e të cilit, sipër rrugës, faqja e malit është e veshur me shkurre deri në 2 metër lartësi dhe fieri shihet në këtë shpat.

Një shteg, ka degët e fierit që janë të zhvilluara. Ky shteg, vazhdon në vijë të drejtë, perpendikular me rrugën e këmbësorëve. Në largësi 5.5 metër më tej në drejtim të këtij shtegu, nga vjen rruga këmbësore, shihen njolla gjaku, të madhësive të ndryshme, që vazhdojnë 2.8 metër në ngjitje të malit.

Gjithashtu shihen edhe degë shkurresh të prera, gëzhoja fishekësh të ndryshme, etj. Tjetër gjë nuk konstatohet. Këqyrja u zhvillua në kohë të lirë me dritë natyrale. U bë fotografimi i vendit të ngjarjes. Gjurmë të ngjashme nuk u gjetën. Këqyrja filloi në orën 8 e 30. dhe përfundoi në orën 9 e 30. Proces-verbali lexohet dhe firmoset.

Eksperti kriminalist

Të pranishëm

Hetuesi

Gjolek Ymeri

Rifat Çokaj e Ndue Laskaj

Sokol Puto

DOKUMENTI SEKRET ME PROCES-VERBALIN E HETUESIT TË DEGËS SË PUNËVE TË BRENDSHME TË SHKODRËS, SOKOL PUTO, PËR KËQYRJEN E KUFOMËS SË SOKOL VNESHTIT, NË VENDIN E NGJARJES, POSTA KUFITARE BASHKIM, NË VERMOSH

Proces-verbal i këqyrjes së një kufome

Në Vermosh, sot më datën 2.10.1986, unë hetues në hetuesinë e rrethit Shkodër, Sokol Puto, e në prani të Rifat Çokaj e Ndoc Laskajt, bëj kqyrjen e një kufome. Kufoma ndodhet e shtrirë në oborrin e Postës Kufitare Bashkim, me fytyrë lart. Është kufomë e seksit mashkull. Me një gjatësi rreth 180 cm., e veshur me rroba ushtari, me xhaketë të zbërthyer.

Flokët i ka të shkurtër në ngjyrë gështenjë dhe sytë gjysëm të hapur. Në shpinën e dorës së djathtë, ka një plagë shqyese, ku duken pjesë eshtrash. Edhe në dorën e majtë, ka  plagë të tej-përtejme. Gjithashtu jashtë dorës së djathtë, ka një plagë plumbi të tej-përtejme. Edhe në xhaketë, shihen vrima të tej-përtejme.

Tjetër gjë nuk konstatohet. Proces-verbali lexohet dhe firmoset.

 

Eksperti kriminalist

Të pranishëm

Hetuesi

Gjolek Ymeri

Rifat Çokaj e Ndue Laskaj

Sokol Puto

DOKUMENTI ME VENDIMIN E ARRESTIMIT TË GJELOSH FRAN GEGA, I MIRATUAR NGA PROKURORI I RRETHIT TË SHKODRËS, FERIAT BRATI

MIRATOHET

PROKURORI

FERIAT BRATI

VENDIM

“Arresti”

Sot me datën 4.10.1986 në Shkodër, unë hetuesi i hetuesisë Shkodër, Sokol Puto, pashë materialet e çështjes hetimore që bën fjalë rreth të pandehurit Gjelosh Gega.

KONSTATOVA

Se i pandehuri Gjelosh Gega, në bashkëpunim me ushtar Sokol Vreshtin, kanë tentuar të arratisen jashtë shtetit në Jugosllavi. Më datën 1.10.1986, në orën 24.00, në afërsi të vijës së kufirit, ata kanë rënë në përpjekje me forcat kufitare dhe si rezultat, Sokol Vreshti ka mbetur i vrarë, kurse Gjelosh Gega, është kapur i gjallë.

Vepra e kryer nga i pandehuri dhe vetë ai, paraqesin rrezikshmëri të theksuar shoqërore. Meqenëse vepra penale e kryer parashikohet nga neni 47/gj+11+13 të Kodit Penal, duke parë se ekzistojnë kushtet e kërkuara nga neni 50 i K.Pr. Penale,

VENDOSA

Të arrestoj Gjelosh Fran Gegën, ushtar dhe ta izoloj në dhomat e Degës së Punëve të Brendshme të Shkodër, duke njoftuar për këtë edhe të pandehurin Gjelosh Gega. Një kopje të këtij vendimi, ja dorëzoj përgjegjësit të dhomave të izolimit të Degës së Punëve të Brendshme.

HETUESI

Gjelosh Gega

Sokol Puto

Vendimi m’u njoftua më dt.4.10.1986.

(Memorie.al)

TRENDING

Exit mobile version