Politike

Rritje të çmimit të energjisë? Balluku: Fasha vetëm në rast…

Qeveria nuk po planifikon asnjë rritje të çmimeve të energjisë elektrike. Kështu ka njoftuar ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Pas fjalimit të kryeministrit Edi Rama në Foltoren e Kuvendit të Shqipërisë, në një intervistë për A2 CNN, Belinda Balluku ka hedhur poshtë mundësinë për planifikimin e një shtrenjtimi të tarifave, si pamundësi e buxhetit për të përballuar rritjen e pagave.

“Kryeministri nuk tha që do të diskutohet tarifa, pasi tarifën ne e kemi deklaruar në vitin më të zi për energjinë në mbarë botën, 2022, dhe treguam që ndryshe nga vendet e tjera europiane tarifa familjare dhe për bizneset e vogla dhe të mesme nuk u prek. Dhe kur nuk u prek vjet, imagjinoni sa mund të preket sivjet,”-deklaroi Balluku.

Më pas, zv.kryeministrja sqaroi se me ardhjen e sezonit veror, rrjedhimisht edhe të thatësirave, situata energjetike përkeqësohet për Shqipërinë dhe të gjitha vendet e tjera të rajonit që mbështeten mbi prodhimin nga hidrocentralet. Ndaj edhe do të analizohet edhe njëherë nëse do të aplikohen apo jo fashat, por deri më tani, sipas saj, probabiliteti që kjo të ndodhë është i ulët.

“Pavarësisht se kemi pasur prurje të mira, sot e kemi 296 metra nivelin e Fierzës, por nga ana tjetër, dihet që gjatë verës e gjithë zona e Ballkanit perëndimor fillon të vuajë sa i përket prodhimit të hidrocentraleve. Dhe kryeministri tha diçka që e kemi thënë edhe një vit më parë, që nëse kemi një moment vështirësie, do të na duhet të rishikojmë dhe të analizojmë çështjen e fashës. Në rast se tregu energjetik do të fillojë prapë të aplikojë çmime të çmendura. Por gjasat janë që këtë vit të jetë i qëndrueshëm,”- tha ministrja.

Ndërsa shtoi se nga viti i ardhshëm kur të përfundojë një pjesë e madhe e projekteve të energjisë së rinovueshme, edhe efekti i bursës së energjisë, do të jetë më i plotë në treg. Çmimi i blerjes së energjisë në bursat pranë Shqipërisë varion sot nga 76 deri në 100 euro për megavat orë, teksa një vit më parë çmimi më i ulët niste nga 208 euro për njësi./ A2 CNN

TRENDING

Exit mobile version