Kosova

Serbët s’kanë VIZION, Trajkoviç flet pa dorashka, i gjithë faji i diktatorit

“Mospjesëmarrja e serbëve në votimet për largimin ose jo të kryetarëve në komunat veriore, mund të reflektohet në dialogun Kosovë – Serbi. Qëllimi ishte që Kosova të shihet si e paaftë në menaxhimin e situatës në veri” – kështu janë shprehur njohës të çështjeve politike në Prishtinë, kurse Rada Trajkoviç, këshilltare e ministrit të komuniteteve në Qeverinë e Kosovës, u shpreh se bojkoti nuk ishte i mirë për interesat e serbëve që jeton në Kosovë.

“Organizimi i procesit të votimit në komunat veriore, në pamje të parë duket pozitiv për Kosovën. Por, mos dalja e serbëve në votime u bë qëllimshëm” – deklaroi profesori universitar, Dritëro Arifi.

Sipas tij, qëllimi është që në dialogun Kosovë- Serbi që zhvillohet me ndërmjetësimin e BE-së, Kosova të dalë e paaftë për menaxhimin e situatës, në veri.

“Ne, gjithsesi, do të duhej të gjenim një zgjidhje Nëse jo tani, ndoshta vitin e ardhshëm. Por mospjesëmarrja e serbëve në veri ishte e qëllimshme, në një të ardhme të afërt apo të largët që të shihet Kosova si e paaftë për të menaxhuar situatën në veri dhe në njëfarë mënyrë në dialog të ketë më shumë përparësi Serbia dhe serbët e veriut”, theksoi Arifi duke shtuar se varet nga zhdërvjelltësia diplomatike se si Kosova do të arrijë ta argumentojë situatën.

Kurse, Rada Trajkoviç, këshilltare e ministrit të komuniteteve në Qeverinë e Kosovës dhe kryetare e Lëvizjes Evropiane të Serbëve nga Kosova, u shpreh për Radio Kosovën se bojkoti për zëvendësimin e kryetarëve të komunave në katër komuna në veri të Kosovës nuk ishte i mirë për popullatën serbe që jeton atje.

Mendoj se bojkoti i serbëve dëmtoi vetë serbët, ndërsa populli, më nuk është duke kuptuar asgjë. Serbët as nuk kanë më vizion teksa dhe as liderët e tyre nuk mund t’ua ofrojnë këtë vizion. Ata vetëm janë duke zbatuar urdhrat për të mbijetuar sot për nesër. Lista Serbe është duke e përdorur pozitën në të cilën ndodhet populli serb, e cila tani si asnjëherë më parë tërë ekzistencën e saj e ka lidhur me politikën në Beograd, duke dalë nga të gjitha institucionet në veri të Kosovës, dhe e tërë ekzistenca e tyre financiare tani varet drejtpërdrejt nga Beogradi” – theksoi Trajkoviç.

Ajo gjithashtu fajësoi presidentin serb, Aleksandër Vuçiç dhe lidershipin politik në Beograd për situatën e krijuar në veri të Kosovës.

Ndërkaq, analisti Artan Muhaxhiri deklaroi se kjo situatë do të zgjasë edhe disa muaj dhe se do të vonojë në zgjidhjen e problemeve të tjera.

Qeveria ka vlerësuar se Kosova me organizimin e procesit të votimit për shkarkimin e kryetarëve në veri i ka përmbushur obligimet e saj dhe ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që t’i heqë masat e vendosura kundrejt Kosovës.

TRENDING

Exit mobile version