Kosova

“Serbia s’është e interesuar për paqe”/ Çfarë po planifikon Vuçiç?

Ekziston “një probabilitet i madh” i një sulmi tjetër terrorist ndaj Kosovës nga Serbia, pas paralajmërimit të kryeministrit Albin Kurti se Beogradi po  mobilizon grupin terrorist të ish-nënkryetarit të Listës Srpska – Millan Radoiçiç, i cili i priu grupit terrorist që më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit pas një tentativë të dështuar “për të aneksuar veriun e Kosovës”.

Dislokimi i sistemeve kundërajrore në afërsi të kufirit me Kosovën nga Serbia, për kryetarin i Lidhjes Socialdemokrate të Vojvodinës, Nenad Çanak, tregon që Serbia “nuk është e interesuar për paqe”, dhe ai kërkoi nga Qeveria e Kosovës që të ofrojë siguri për të gjithë qytetarët dhe të marrë të gjitha hapat e nevojshëm në këtë drejtim.

“Dislokimi i sistemeve kundërajrore pranë kufirit me Kosovën sigurisht që nuk është shenjë e de-eskalimit. Riorganizimi i terroristëve mund të nënkuptojë vetëm përgatitje për aksionin e radhës terrorist. Prandaj, kur këto të dhëna i shtohen paralajmërimit të Presidentit Zelensky se Moska po punon për de-stabilizimin e Ballkanit, është mjaft e qartë se ekziston një probabilitet i madh për një tentativë tjetër të aktivitetit terrorist në territorin e Kosovës” – tha Çanak.

Pos Kosovës, sipas Çanak, i cili ka qenë deputet i Parlamentit të Serbisë e ish-president i Kuvendi të Vojvodinës ndërmjet viteve 2000-2004, “një vatër e nxehtë” për tensione është edhe Bosnja dhe Hercegovina, teksa ka përmendur edhe afërsinë e presidentit ultra-nacionalist të Republikës Srpska Millorad Dodik me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.

“Besoj se në periudhën e ardhshme duhet të jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm pasi një pikë tjetër potenciale e nisjes së operacioneve luftarake (Republika Srpska) tashmë po punon hapur në këtë drejtim, siç dëshmohet nga komunikimi i shpeshtë mes Dodikut dhe Putinit. Gjëja më e rëndësishme aktualisht është të frenohen ekstremistët nga të gjitha anët me çdo kusht dhe të mos lejohet që asnjë akt ‘individual’ i dhunës të jetë pretekst për një konflikt të përmasave më të gjera” – theksoi Çanak.

TRENDING

Exit mobile version