Kosova

SHBA vendos shkatërrimin e ‘vendit të keq’, mllefi i Milorad Dodik

Presidenti i Republikës Srpska në Bosnjë e Hercegovinë, Millorad Dodik, tha se entiteti serb “ka forcë” dhe se ai mund të funksionojë edhe “nën trysnië e madhe dhe tinëzare” të ushtruar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi zyrtari i lartë Gabriel Escobar theksoi gjatë një deklarate, se ky entitet nuk ka kapacitet për t’u pavarësuar.

“Ata frikësohen se nuk po qeverisin këtu ashtu siç duan, dhe pikërisht këtu Republika Srpska e tregon fuqinë e saj. Ata po përpiqen të shkatërrojnë Marrëveshjen e Dejtonit për paqen, dhe për këtë na fajësojnë ne. Prandaj dhe Republika Srpska ka forcë” – tha Dodik në rrjetin social X.

Zëvendës ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar, tha të premten se nuk mendon që Republika Srpska ka forcë të ndahet nga Bosnja, me gjithë kërcënimet e Dodikut për ta bërë një gjë të tillë.

“Nuk mendoj që një entitet i varfër me 750.000 njerëz, që është në borxhe në rritje, do të ketë kapacitet për të sfiduar NATO-n apo për të shpallur pavarësinë, dhe për të qenë i qëndrueshëm” – tha Escobar.

Por Dodik theksoi të shtunën se qëllimi i Escobarit ishte ta shfaq Republikën Srpska “si një vend i keq, i cili nuk mund të jetojë pa ndihmën dhe mbështetjen e tyre”. “Nëse amerikanët po lobojnë që Kosova të jetë shtet, pse nuk i konvenon atyre që edhe Republika Srpska të jetë shtet? Republika Srpska ka paga më të mira, ekonomi më të sigurt dhe eksporte më të mëdha, më pak borxhe; ka gjithçka më të mirë se ai përbindëshi nga i cili ata po përpiqen të krijojnë shtet” – ka shkruar i mllefosur Dodik.

Ai pretendoi se Shteteve të Bashkuara janë përpjekur ta “dëmtojë” Republikën Srpska në Bosnjë e Hercegovinë “për tri dekada rresht”, dhe se deklarata e fundit e Escobarit nuk është rastësi dhe vjen në një kohë kur Bosnja e Hercegovina duhet të hapë bisedimet për anëtarësim në Bashkim Evropian.

“Ata na sanksionojnë, kërcënojnë bankat për të mos bashkëpunuar me Qeverinë dhe me autoritetet e Republikës Srpska, dhe pastaj janë të bezdisur me Dodik-un për lidhjet e krijuara me presidentin e Rusisë Vladimir Putin , kurse ne po nisim bisedimet me BE-në” – theksoi serbi Milorad.

Dodik është duke u përpjekur prej dy vitesh që entiteti i Bosnjë e Hercegovinës të marrë pushtetin e shtetit dhe të krijojë institucione paralele, duke kërcënuar se Republika Srpska do të ndahet nga Bosnja e Hercegovina përgjithmonë. Për shkak të “aktiviteteve të tij kundër marrëveshjes së Dejtonit”, Dodik është në listën e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe.

Ai më herët ka deklaruar se nuk ka frikë nga paralajmërimet amerikane dhe ka kërcënuar se do ta kthejë kufirin e entitetit në kufi shtetëror. Ambasada amerikane në Sarajevë ka paralajmëruar shpesh për rrezikun e politikës separatiste të Dodikut, duke deklaruar se “vë në rrezik perspektivën evropiane të Bosnjë e Hercegovinës, demokracinë dhe ekonominë e saj”.

TRENDING

Exit mobile version