Shkrime

Shpallja e zgjedhjeve në Serbi nga Vuçiç, “blerje kohe”

Pak ditë pasi mori mesazhe të qarta se duhet të bëjë hapa konkret në zbatim të Marrëveshjes Bazike, nga presidenti francez, Emmanuel Macron, kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç duke tentuar ‘’të blejë kohë’’ dhe ‘’të ulë presionin ndërkombëtar’’, vendosi të shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme të cilat pritet të mbahen më 17 dhjetor, duke e lënë kështu dialogun “nën hije’’, i cili u intensifikua pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.

Që do ketë prolongim të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë paskësaj, e pohon edhe Frank G. Wisner, ish i dërguar special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për bisedimet rreth statusit final për Kosovën, teksa shton se kreu i shtetit serb nuk është i gatshëm “për kompromise”.

“Zgjedhjet kanë ndikim në dialogun mes dy shteteve. Vuçiç vendosi për mbajtjen e zgjedhjeve në një fazë intensive të bisedimeve. Gjithashtu nuk e shoh Vuçiçin të gatshëm të lëshoj pe në dialog përsa i përket njohjes de facto të Kosovës. Vonesa, i shërben këtij qëllimi” –  tha Wisner.

Ndryshe nga ai, ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kroacisë, Miro Kovaç, bën një analogji interesante për këtë çështje, duke e lidhur mbajtjen e zgjedhjeve në Serbi si “blerje kohe”, për të pritur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale që pritet të mbahen në vitin e ardhshëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Shkuarja në zgjedhje të parakohshme të lë përshtypjen e blerjes së kohës dhe shpresës se Donald Trump do të zgjidhet president, në mënyrë që të arrihet një zgjidhje tjetër Serbi-Kosovë” – beson ish-kryediplomat kroat.

Muajin e kaluar, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, dekoroi ish të dërguarin special të Trump-it për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell me ‘’urdhrin e flamurit serb të shkallës së parë’’.

Përpos kësaj arsye, për frenimin e dialogut, në këndvështrimin e politologut Allen Meta, presidenti serb shpejtoi për t’i shpallur zgjedhjet, meqë “u frikësua edhe nga protestat masive” që u mbajtën kundër tij sivjet në Beograd, ku ndër të tjera protestuesit e akuzuan Vuçiç-in se ka ndikuar që të ketë një klimë urrejtje dhe glorifikimi të dhunës në vendin e tij. Sipas politologut, kjo ka vënë ‘’në presion skenën politike’’ serbe.

“Njëri aspekt ka të bëjë me blerjen e kohës. Duke shmangur për një periudhë dialogun, si rrjedhojë do të ulet edhe presioni ndërkombëtar ndaj Serbisë, dhe aspekti tjetër për të parë përkrahjen reale të qytetarëve dhe atë se për cilën anë politike  do të vendosin ata, dhe kjo pastaj do ta bënte më të lehtë edhe qasjen në dialog” – theksoi Allen Meta

TRENDING

Exit mobile version