Kosova

SHTYLLAT E RREZIKUT, Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja, sipas politologut boshnjak

Politologu boshnjak, Jasmin Mujanoviç, tha se regjimi në Beograd dëshiron të kërcënojë integritetin territorial dhe sovranitetin e Bosnjës e Hercegovinës, Malit të Zi dhe Kosovës, prandaj këto tri vende janë “shtylla kurrizore strategjike e rajonit të Ballkanit Perëndimor”.

Që nga rënia e Milosheviçit deri në ardhjen e Vuçiçit, politika e Serbisë së madhe mbeti e njëjtë. Vuçiç është i njëjti radikal siç ishte në vitet 90’, kur ishte anëtari më radikal i Partisë Radikale Serbe” – tha Mujanoviç në forumin e Cetinjes “Fuqia e mprehtë dhe e butë në Ballkanin Perëndimor.

Sipas tij, nuk është një konflikt mes serbëve dhe shqiptarëve, serbëve dhe boshnjakëve dhe serbëve e malazezëve, por një konflikt mes nacionalistëve serbë dhe “pothuajse të gjitha” lëvizjeve dhe popujve të tjerë politikë në Ballkanin Perëndimor.

Siç shkruajnë mediat serbe, Mujanoviç ka vlerësuar se lufta për demokraci dhe kundër autokracisë në Serbi është shumë e rëndësishme për rajonin.

Nga ana tjetër, politikani slloven Roman Jakiç vlerësoi se ndikimi rus po “trondit Evropën, nga lindja në perëndim”, prandaj Evropa duhet ta kundërshtojë me forcë dhe së bashku, gjithashtu nga lindja dhe perëndimi.

Gazetarja nga Sarajeva, Xhenana Karup Drushko, vlerësoi se fenomeni i “post-fashizmit” mund të vërehet sot globalisht, pjesë e të cilit është edhe populizmi i djathtë.

“Ndër të tjera, është pasojë e faktit se Perëndimi në Ballkan donte t’i jepte fund historisë me çdo kusht, me çmimin e stabilizimit dhe mbi parimet e drejtësisë, të së vërtetës, shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut”- deklaroi Drushko dhe vlerësoi se Serbia është një “partner ideal” për Rusinë.

“Rusia ka një derë të hapur në Serbi për të bërë çfarë të dojë. Rusia vepron institucionalisht në Serbi. Ministria e Mbrojtjes e Rusisë hapi një zyrë në Ministrinë e Mbrojtjes së Serbisë, ka një qendër humanitare ruse në Serbi, të cilën ne e dimë se çfarë bën, e kështu me radhë”, – theksoi Xhenana Karup Drushko.

Kurse profesori universitar nga Sarajeva Rusmir Mahmutçehajiç vlerësoi se ideologjia gjenocidale mbijeton në rajon dhe “mund të shihet se si jeton çdo ditë”. Gjithashtu analisti politik Lubomir Filipoviç vlerësoi se në Mal të Zi është në veprim radikalizimi fetar, kur bëhet fjalë për Kishën Ortodokse Serbe.

Sociologu Senadin Laviç vlerësoi se ideologjia e “botës serbe” është në fakt një “ndërmarrje joracionale, imorale dhe kriminale e së keqes njerëzore”.

“E keqja është lëshuar hapur dhe në dritën e diellit. Kulmi i nacionalizmit serbomadh me thika, tela me gjëmba, gjenocid si dhe pretendimi se ‘nuk mund të jetohet me myslimanët’, janë slogane fashiste”, potencoi sociologu Laviç.

TRENDING

Exit mobile version