Politike

Situata kritike e fasonerive/ Rama: Jo për shkak të euros, qeveria s’jep serume

Kryeministri Edi Rama është shprehur se situata e rëndë që po kalojnë kompanitë fasone në Shqipëri, nuk vjen si pasojë e forcimit të lekut kundrejt euros, por si pasojë e shfrytëzimit nga këto kompani të krahut të lirë të punës.

Komentet Rama i bëri nga Piramida e Tiranës, ku do të vendoset “Shtëpia e Biznesit”, një strukturë për të vendosur një komunikim institucional mes Qeverisë dhe bizneseve.

Rama tha se kompanitë fasone duhet të adaptohen dhe të ndryshojnë lojën dhe shtoi se subvencionimi nga ana e qeverisë nuk është zgjidhje për këto kompani, pasi sipas tij, thjesht do të zgjaste agoninë e tyre.

“Njeriu është ujk për njeriun. Çdo kompani, çdo realitet i tregut është një ujk, që kërkon prenë e vetë. Nëse është dele e ha ujku. Sot ka mundësi më shumë se asnjëherë tjetër që bizneset të nisin nga informimi. Informimi, adaptimi… po ju flas për një temë që është e dhimbshme, situate e kompanive fasone në Shqipëri. Por kjo mjafton t’i referohemi asaj çfarë ka thënë Delina dhe unë për këtë ditë që do vinte. Kjo nuk lidhet thjesht me euron.

Kjo ditë do të vinte sepse koha e shfrytëzimit të krahut të lirë të punës si avantazh konkurrues në treg ka vdekur. Kush e ka kuptuar, apo nuk i ka marrë masat për t’u adaptuar, sot e ka të pamundur të mbijetojë.

T’i kërkosh qeverisë të të japë serume është gabim, sepse nuk ka serum që të shpëton. Qeveria nuk mund të përdorë taksat që të zgjasë agoninë e një organizmi që nuk e kthen dot më në jetë, është një vdekje klinike e sigurt. Zgjidhja është të adaptohesh, të ndryshosh lojën”, tha Rama.

TRENDING

Exit mobile version