Kosova

Tensione në veri të Kosovës, alarmi “pushton” Mitrovicën e Veriut

Sirena alarmi u dëgjuan mesditën e së premtes në të katër komunat me shumicë serbë në veri të Kosovës, ndërkohë që para objekteve komunale në Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq u mblodhën edhe qytetarë.

Para ndërtesës së Komunës në Zveçan gjenden edhe makina të Policisë së Kosovës. Kjo e fundit nuk ka dalë ende me informacione se për çfarë bëhet fjalë.

Ish-këshilltari në Kuvendin Komunal të Zubin Potokut, Milija Bishevac, tha për Radion Evropa e Lirë se qytetarët janë mbledhur para ndërtesës së komunës të bindur se “kryetari i sapozgjedhur, Izmir Zeqiri, po tenton të hyjë në objekt”.

“Ka makina, ku besohet se gjendet ai [kryetari i qytetit] dhe se ai po përpiqet të hyjë në ndërtesën e komunës”, tha Bishevac.

Zeqiri nuk ishte i qasshëm për t’i konfirmuar këto informacione.

Bishevac tha se pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe të Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit, EULEX, gjenden rreth ndërtesës së komunës.

“Njerëzit janë mbledhur atje dhe do të presim të shohim se çfarë do të ndodhë”, shtoi ai.

EULEX-i nuk e konfirmoi se pse është i pranishëm në komunën e Zubin Potok.

Kryetarët e rinj të komunave të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut – që të gjithë shqiptarë – bënë betimin më 25 maj, duke marrë kështu pushtetin lokal në këto tri komuna me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Ceremonitë e betimit u mbajtën në objekte publike, sepse në objektet e komunave ka organe të përkohshme komunale, të cilat punojnë në sistemin e Serbisë.

Vetëm në Mitrovicë të Veriut ekziston një ndërtesë komunale që funksionon sipas sistemit të Kosovës. Kryetari i ri, Erden Atiq, u betua atje më 19 maj.

Zgjedhjet lokale në veri të Kosovës u mbajtën më 23 prill, pas dorëheqjes së kryetarëve të komunave nga radhët e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës. Kjo parti e kundërshtoi vendimin e Qeverisë së Kosovës për të kryer procesin e riregjistrimit të makinave me targa ilegale serbe.

Zgjedhjet u bojkotuan nga popullata shumicë serbe në atë zonë, e cila tani nuk i pranon rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj.

Pjesëmarrja në zgjedhjet e prillit ishte 3.47 për qind e numrit të përgjithshëm të votuesve të regjistruar.

Situata e tensionuar në veri, flet ministri Krasniqi: Qytetarët nuk mund të mbeten pa komuna

Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka thënë se sot fillon dita e parë e punëss së kryetarëve të katër komunave veriore të Kosovës pas dhënies së betimit të tyre një ditë më parë.

Krasniqi përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se kryetarët janë zotuar që do t’i shërbejnë të gjithë qytetarëve pa dallim

“Pas mbajtjes së zgjedhjeve të datës 23 prill, janë mbajtur seancat konstituive në Mitrovicën Veriore, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Dje u betuan edhe kryetarët e komunës së Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit. Për ta sot është dita e parë e punës. Punë dhe shërbim të cilin duhet ta kryejnë nga zyret e Komunave bashkë me shërbyesit civilë.

Ata janë zotuar që do t’i shërbejnë të gjithë qytetarëve pa dallim. Si ministri dhe institucione qendrore japim mbështetjen tonë të plotë në përmbushjen e obligimeve kushtetuese dhe ligjore të kryetarëve të rinj”, ka thënë Krasniqi.

Ai po ashtu u shpreh se si institucione qendrore e kanë për obligim që t’ua sigurojnë dhe mundësojnë përmbushjen e këtyre obligimeve.

“Komuna është e qytetarëve. Qytetarët nuk mund të mbeten pa komunë”, ka thënë Krasniqi.

Ndryshe, qytetarët serbë janë mbledhur për të kundërshtuar hyrjen në Komunë të kryetarit të ri të zgjedhur në prill.

Policia ka konfirmuar  se po asistojnë kryetarët e Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut për të ushtruar të drejtën e tyre në punë në objektet zyrtare të komunave.

TRENDING

Exit mobile version