Rajon

Tensionet në veri/ Pendarovski: NATO e ka nën kontroll situatën

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka reaguar lidhur me situatën në veri të Kosovës, duke deklaruar se trupat e KFOR-it mund ta mbanin situatën nën kontroll edhe në rast të përshkallëzimit të tensioneve.

Në një intervistë për mediat maqesonase tha se situata në veri nuk është për t’u nënvlerësuar, por beson në aftësitë e Aleancës për të menaxhuar situatën.

“Situata nuk është për t’u nënvlerësuar, por NATO-ja ka fuqi të madhe atje. Nëse NATO-ja me forcat e saj ushtarake mund të qëndrojë pas Ukrainës, një vend me 45 milionë banorë, i sulmuar nga një vend me 145 milionë banorë, pa e nënvlerësuar situatën, nuk mendoj se do të ketë ndonjë problem nëse ka ndonjë përshkallëzim të mëtejshëm të situatës në veri të Kosovës”, ka deklaruar Pendarovski.

Ai shtoi se për shkak të gjendjes që ishte krijuar në veri të Kosovës, kishte mbajtur kontakte të vazhdueshme me drejtuesit e KFOR-it. Çdo 10 ditë Pendarovski tha se kishte biseda të vazhdueshme telefonike me drejtues të KFOR. Presidenti maqedonas shtoi se nuk duhej të krijohej panik shtesë për shkak se NATO e ka nën kontroll të vazhdueshëm situatën.

Ndërkohë në veri të Kosovës, prej dy javësh barrikadat e vendosura nga banorët serbë kanë bllokuar çdo funksionim normal të institucioneve duke shkaktuar edhe tensione dhe përplasje me policinë e Kosovës herë pas here. Ditën e djeshme, mijëra qytetarë serbë morën pjesë në një protestë në fshatin Rudarë të Zveçanit. Ata i vendosen disa kushte për largimin e barrikadave përfshirë lirimin e ish-policit të Kosovës, Dejan Pantiq, i cili u arrestua si i dyshuar për organizim të sulmeve terroriste në zyrat e Komisionit Qendror Zgjedhor në Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok.

TRENDING

Exit mobile version