Kosova

URGJENT, O’Brien kërkon nga Albin Kurti “progress të shpejtë” për Asociacionin

Ndihmës-Sekretari Amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, i ka kërkuar Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, progres urgjent në themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Këtë kërkesë, O’Brien, Kurtit ia ka bërë gjatë takimit që ka pasur me të të mërkurën, ku edhe ka theksuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e mbështesin rrugën e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike.

Për të ecur përpara, ne kemi nevojë për zbatimin e zotimeve të ndërmjetësuara nga BE-ja, duke përfshirë progresin urgjent për Asociacionin. Për këtë, kam diskutuar hapat pozitivë dhe shumë të nevojshëm me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti” – ka shkruar top-diplomati amerikan në plaftormën X.

Progres në raport me Asociacionin nga Kosova ka kërkuar të martën edhe Presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Këtë e ka bërë pasi që ka zhvilluar një bisedë telefonike me Kurtin, me ç’rast është diskutuar anëtarësimi potencial i Kosovës në Këshillin e Evropës, ka njoftuar Zyra e Presidentit të Francës përmes një komunikate për media.

Macron gjatë bisedës ndërsa ka përshëndetur Kurtin për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, ka nënvizuar rëndësinë që Franca i kushton zbatimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, sidomos në kontekstin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Macron ndër të tjera, siç njofton komunikata për media, ka shprehur keqardhje për dështimin e fazës së dytë të procesit të largimit të kryetarëve shqiptarë nga komunat në Veri të banuara me shumicë serbe.

“Macron gjithashtu kujtoi se është i domosdoshëm organizimi i zgjedhjeve të reja sa më shpejt të jetë e mundur, me pjesëmarrjen e popullatës serbe”, potencoi komunikata.

Edhe presidentja, Vjosa Osmani, bëri të ditur se autoritete kosovare do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për draft-statutin e Asociacionit dhe se një hap i tillë është detyrë e Qeverisë së Kosovës.

Në anën tjetër NTV Televizion, ditë më parë raportoi se Qeveria e Kosovës është pajtuar në parim me komunitetin ndërkombëtar që pas përkrahjes që ka marrë me 16 prill nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë, të dërgojë deri më 10 maj për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese draft-statutin për Asociacionin. Ky hap do të jetë kushti për Kosovën që më pas edhe me 16-17 maj Komiteti i Ministrave, saktësisht qeveritë e shteteve anëtare të KiE-së ta pranojnë Kosovën shtet anëtar të organizatës.

TRENDING

Exit mobile version