Politike

Vula e PD-së, Gjykata e Lartë kthen çështjen për rishqyrtim në Apel

Gjykata e Lartë ka vendosur rikthimin për rishqyrtim në Apel çështjn e vulës dhe logos së PD-së.

Trupa Gjykuese e përbërë nga  Artur Kalaja, Ervin Pule dhe Dariel Sina kanë gjetur shkelje në vendimin e dhënë nga Gjykata Apelit, të cilët në datën 3 mars të këtij viti, pak përpara zgjedhjeve vendore, vendosi rrëzimin e vendimit të Agron Zhukrit dhe kthimin e çështjes për shqyrtim në shkallë të parë.

Sipas Gjykatës së Lartë, Apeli nuk i ka dhënë përgjigje kërkesave të palëve në ankimet përkatëse ndërkohë  që ka marrë në shqyrtim çështje për të cilat palët nuk kanë ngritur si pretendime në ankim. Çështja është kthyer për rishqyrtim në Apel po me një trupë të re gjykuese.

Njoftimi

“Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë njofton, se në datën 27.12.2023, mori në shqyrtim në dhomë këshillimi çështjen me nr. 90600-00296-00-2023 akti, me palë kërkues: Partia Demokratike e Shqipërisë, përfaqësuar nga Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit, me objekt: “Depozitim ndryshimesh statutore dhe vendimmarrje të Kuvendit Kombëtar.”

Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, Kolegji Civil arriti në përfundimin se Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr. 44, datë 03.03.2023 ka lejuar shkelje procedurale që e bëjnë të cenueshëm vendimin e dhënë prej saj.

Kolegji konstaton se, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë nuk i ka dhënë përgjigje kërkesave të palëve në ankimet respektive, ndërkohë që kryesisht ka marrë në shqyrtim çështje për të cilat palët nuk i kanë ngritur si pretendime në ankim, dhe që gjithsesi nuk përbëjnë shkak për prishjen e vendimit dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim.

Kolegji vlerëson se pretendimet e ngritura në ankimet e paraqitura pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë janë çështje të cilat mund të zgjidheshin vetë nga ajo gjykatë.

Në këto kushte, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, mbështetur në nenin 480 dhe nenin 485, pika 1, shkronja “c” të Kodit të Procedurës Civile, vendosi:

“Prishjen e vendimit nr. 44, datë 03.03.2023 të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe kthimin e çështjes për rishqyrtim në po atë gjykate, me një trupë tjetër gjykuese”

TRENDING

Exit mobile version