DOSSIER
1200 burra të vrarë në Prizren dhe rrethina. Kufomat e tyre po i hanë qentë dhe zogjtë

Në raportin e datës 30 janar 1913, konsulli austriak Oskar Prochaska njoftonte mbi pasojat e pushtimit serbo-malazez në Prizren dhe rrethinë. Sipas Prochaskas popullsia e qytetit të Prizrenit ishte shumë e frikësuar nga sundimi i dhunshëm.
Në rrugicat e qytetit, sipas diplomatit austriak, shihen pothuaj vetëm ushtarë, muhamedanët dalin nga shtëpitë e tyre vetëm në raste urgjente dhe me perëndimin e diellit qyteti duket si i vdekur. Shumë shtëpi muhamedanësh janë të zbrazëta.
U vodhën edhe qilimat e Xhamisë së Sinan Pashës. Në qytet dhe rrethinë u ekzekutuan gjithsej 1200 burra.
Kufomat mbetën në qytet të pavarrosura me javë të tëra dhe u shërbenin qenve dhe zogjve si tagji. Edhe tani ekzekutimet po vazhdojnë herë pas here.
***
Burimi: Politika dhe shoqëria në Vilajetin e Kosovës dhe në Kosovën e sunduar nga serbët. Raporte të konsujve austro-hungarezë nga Ballkani qendror (1870-1914), botoi Akademia Austriake e Shkencave, Vjenë 2020. Edituar nga Oliver Jens Schmitt dhe Eva Anne Frantz. (Tekstet janë botuar në origjinal në gjuhët që kanë shkruar konsujt, gjermanisht dhe herë-herë frëngjisht).

