Bota
14% e popullsisë së botës zotëron gjysmën e vaksinave
Vendet e pasura kanë blerë mjaftueshëm doza të vaksinave kundër Covid-19 për të imunizuar popullatat e tyre tre herë, ka thënë një vëzhgues ndërkombëtar i vaksinave, por vendet në zhvillim dhe të varfra po lihen prapa në përpjekjen globale për t’i dhënë fund pandemisë së koronavirusit.
Në 67 kombe më të varfra, vetëm një në 10 njerëz mund të shpresojnë të marrin një vaksinë deri në fund të vitit të ardhshëm, tha Aleanca e Vaksinave të Popullit.
Sipas raporteve, 14% e popullsisë së botës posedon më shumë se gjysmën e vaksinave.
Grupi u bëri thirrje kompanive farmaceutike të ndajnë teknologjinë dhe pronën e tyre intelektuale me Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe u bëri thirrje qeverive që të angazhohen për dërgimin e vaksinave edhe në vendet në zhvillim dhe të varfra, në mënyrë që të shmangen pabarazitë ekonomike midis kombeve.
“Askush nuk duhet të pengohet për të marrë një vaksinë shpëtuese kundër COVID për shkak të vendit në të cilin jetojnë ose shumës së parave që kanë në xhepin e tyre,” tha Anna Marriott, Menaxhere e Politikave Shëndetësore në Oxfam .