Kosova
17 vjet pavarësi, Kosova në festë, por beteja me Serbinë vazhdon

17 shkurtin e këtij viti shënohen 17 vjet nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës. Një sërë aktivitetesh janë planifikuar, ndërkohë flamujt e Kosovës dhe Shqipërisë valojnë në sheshet kryesore të Prishtinës. Siç është bërë traditë gjithçka nis me mbledhjen festive të Qeverisë së Kosovës, ngritjen e Flamurit të Kosovës, nderime te Monumenti i të Pagjeturve dhe Memoriali i Fëmijëve të vrarë dhe Monumenti Heroinat, homazhe te varret e ish-presidentit Ibrahim Rugova, veprimtarit të çështjes kombëtare Adem Demaçi, Kompleksin Memorial “Adem Jashari” Prekaz.
Në sheshin “George Bush” do të parakalojnë trupat e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës. Koncerti i Pavarësisë do të mbahet në Sheshin “Skënderbeu”.
Të hënën do të mbahet edhe konferenca e parë shkencore për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë. Pritja shtetërore nga presidentja, kryeparlamentari e kryeministri i Kosovës, dhe koncerti solemn i Filarmonisë së Kosovës.
Përpjekjet për liri 17 vjet më parë, u kurorëzuan me shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Rrugëtimi i popullit shqiptar deri në këtë datë u përcoll me sakrifica të shumta, e gjaku i shumë trimave u bë simbol i qëndresës heroike. Themelet e para të shtetit u vendosën, e u bënë edhe më të forta nga mbështetja e aleatëve të shtetit. 117 shtete i qëndruan prapa Kosovës e mbështetën krijimin e një shteti të pavarur.
Kosta Rika ishte shteti i parë që njohu pavarësinë e Kosovës më 17 shkurt të 2008-ës.
Një ditë pas, njohjet nisën nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca, Shqipëria, Turqia, Britania e Afganistani.
Dy ditë pas shpalljes së pavarësisë, numri i shteteve njohëse shkoi në 9-të me Australinë e Republikën e Senegalit.
Deri në fund të 2008-ës, 53 shtete gjithsej njohën Kosovën si shtet të pavarur. Numri i shteteve njohëse u rrit gjatë viteve pasuese. Shteti i fundit që njohu pavarësinë ishte Izraeli më 1 shkurt të 2021-ës.
Megjithatë në vitet e fundit pati ngecje në këtë drejtim, e këtu rol luajti edhe propaganda serbe. Gjatë gati dy dekadave, Kosova ndërmori hapa edhe rreth anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, ndonëse ende nuk i është dhënë drita e gjelbër nga BE, Këshilli i Evropës e NATO.
Mirëpo, vendi ka arritur të anëtarësohet në Bankën Botërore, Fondin Monetar Ndërkombëtar, Federatën Ndërkombëtare të Futbollit, në Komitetin Olimpik, në Organizatën Botërore të Doganave e organizata te tjera.
Së fundmi, Kosova ka arritur edhe marrëveshjen për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore.
Një nga arritjet më të rëndësishme të vendit ishte edhe ai i janarit të 2024-ës, kur qytetarët nisën të udhëtojnë pa viza.
Kosova do të vazhdojë edhe më tej përpjekjet drejt proceseve integruese e thellimit të bashkëpunimit me aleatët ndërkombëtarë.

