Connect with us

Kosova

SHBA: Serbia po çon ushtrinë në kufi me Kosovën, të tërhiqet urgjentisht

Shtetet e Bashkuara shprehen të shqetësuara teksa vëzhgojnë një grumbullim të madh ushtarak të Serbisë përgjatë kufirit me Kosovën, që përfshin artileri të avancuar, tanke dhe njësi ushtarake të mekanizuara. Në thirrjen lidhur me këtë zhvillim, Uashingtoni ashpërson tonet me Serbinë, duke i kërkuar të tërheqë menjëherë forcat nga kufiri. Ishte koordinatori për komunikime strategjike në Këshillin e Sigurisë Kombëtare Xhon Kirbi i cili shprehu shqetësimin e Uashingtonit duke thënë se po monitorojnë me vëmendje çdo lëvizje pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku dhe tre sulmues serbë.

“Ne do të monitorojmë dislokimin e madh serb përgjatë kufirit me Kosovën. Ne i bëjmë thirrje Serbisë të tërheqë forcat nga kufiri dhe të vazhdojë të ulë tensionet”, tha Kirby gjatë një bisede me gazetarë më 29 shtator.

Kirby u pyet nëse ky grumbullim i trupave ushtarake pranë kufirit është sinjal se Serbia po përgatitet për ndonjë pushtim ushtarak.

“Po e shikojmë, po e vëzhgojmë. Por, qëllimin e grumbullimit të trupave ushtarake serbe, nuk mund ta them tani”, u përgjigj Kirbi.

Zyrtari amerikan kërkoi pjesëmarrjen e Serbisë në hetimet për ngjarjen e 24 shtatorit, duke shtuar se sulmi kishte një nivel të lartë të sofistikimit. Kirby tha se gjatë bisedës që sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, zhvilloi më herët gjatë ditës me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, ka kërkuar që Serbia të ulë tensionet. Sipas tij, incidentet e dhunshme, sikurse ai i majit ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, por edhe ai në Banjskë, paraqesin rrezik jo vetëm për personelin e sigurisë së Kosovës, por edhe të NATO-s.

Ndërkohë më herët ishte presidenti i Serbisë, Vuçiç, ai që ka njoftuar se këtë të premte ka zhvilluar një bisedë telefonike me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Blinken rreth situatës në Kosovë pas sulmit të 24 shtatorit. Në bisedë, siç tregon Vuçiç, Blinken i ka përmendur disa masa që mund të merren nëse “Serbia nuk sillet siç duhet”, për të cilat presidenti serb është shprehur kundër. Ai e ka përshkruar bisedën me Blinkenin si jo të lehtë, “të gjatë” dhe se për disa gjëra nuk janë pajtuar.

“Nuk është një bisedë e lehtë me Blinkenin, për disa gjëra ramë dakord, disa jo. Nevojitet shtensionim, një rol më i madh i KFOR-it. Serbia gjithmonë do ta mbështesë atë rol, ne do të donim që të ishte ekskluziv, sidomos në veri. Mohova të pavërteta që thonë se kemi shkallën më të lartë të gatishmërisë të ushtrisë sonë. Unë nuk kam nënshkruar dhe nuk jemi pajtuar për natyrën e asaj që ka ndodhur, veçanërisht lidhur me sovranitetin e Kosovës.Blinken më foli gjithashtu për disa masa. Unë thashë se jam kundër”, ka thënë presidenti i Serbisë.

Edhe NATO-ja njoftoi të premten se ka miratuar forca shtesë për t’i dislokuar në veri të Kosovës për shkak të rritjes së tensioneve.

“Ne gjithmonë do të sigurojmë që komandanti ynë t’i ketë burimet dhe fleksibilitetin e nevojshëm, në mënyrë që KFOR-i [Misioni i NATO-s në Kosovë] ta përmbushë mandatin e tij”, tha përmes një deklarate sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Vendimin e NATO-s për të rritur numrin e trupave të saj në Kosovë e ka mirëpritur Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Tensionet në veri u rritën sërish nga 24 shtatori, kur grupe të armatosura serbe sulmuan policinë e Kosovës në fshatin Banjskë, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Të vrarë mbetën edhe tre sulmues serbë. Përgjegjësinë për organizimin e sulmit e mori Millan Radoiçiç, i cili tha se po jep dorëheqje nga Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila funksionon me mbështetjen e Beogradit zyrtar. Autoritetet kosovare fajësuan direkt Serbinë për sulmin, ndërsa Serbia drejtoi gishtin kah serbët e Kosovës. Por Raidoçiç thotë se ai i ka ndërmarrë vetë këto veprime, pa dijeninë e strukturave qeveritare serbe apo atyre politike lokale në veri të Kosovës. Pas kësaj deklarate Vuçiç, në një reagim tha se Radoiçiçi “do të duhet t’i përgjigjet” ftesës së organeve kompetente shtetërore. Kosova, përmes një rezolute të miratuar në Kuvend, ka bërë thirrje për hetim ndërkombëtar për Serbinë lidhur me rolin e saj në këtë sulm.

Advertisement