Connect with us

DOSSIER

Nënë Tereza, shqiptarja më e vlerësuar në Francë

Nga Mentor HOXHA- Paris

Nobelistja dhe shenjtorja shqiptare, Nënë Tereza apo Mère Teresa (1910-1997) siç shkruhet në frëngjisht është shqiptarja më e njohur në Francë. Emrin e saj e mbajnë më shumë se njëqind rrugë, sheshe, shkolla, libra, kisha, famulli dhe qendra humanitare, duke u bërë ndër personalitetet më të vlerësuara në Francë. Shoqatat me emrin e saj kanë ndihmuar në strehim edhe mjaft refugjatë shqiptarë. Institucionet publike dhe private me emrin e Nënë Terezës kanë njohur një rritje të madhe, veçanërisht pas shenjtërimit të saj më 19 tetor 2003 në Romë nga Papa Gjon Pali i Dytë. Për Nënë Terezën mbahen mesha të shumta në mbarë dioqezat dhe kishat katolike të Francës. Ajo ka miliona adhurues në Francë. Presidenti francez, Jacques Chirac (Zhak Shirak, 1932-2019) ishte ndër admiruesit dhe ndihmuesit më të mëdhenj të saj.

RRUGË NË FRANCË ME EMRIN E NËNË TEREZËS

Emrin e Nënë Terezës e mbajnë mbi 10 rrugë në Francë, të cilat gjenden në Paris (Rue Mère Teresa) dhe në qytete dhe komuna të tjera franceze, si: Rue Mère Teresa në Nice, Rue Mère Teresa në Avignon, Rue Mère Teresa në Essey-lés-Nancy, 54270, Rue Mère Teresa në Saint-Dié-des Vosges, 88100, Rue Mère Teresa në Olonne-sur-Mer 85340, Rue Mère Teresa në La Seyne Sur Mer, 83500, Rue Mère Teresa në Saint -Herblain 44800, Rue Mère Teresa në Le Rheu 35650, Toules, Rue Mère Teresa në Moirans-en Montagne 39260, Rue Mère Tresa në Toulouges Perpignan, Oçitanie, 66350, Rue Mère Teresa në Beaurains, 62217 etj. Brenda këtyre rrugëve ka pallate gjigande, parqe, shkolla, universitete, muzeume, biblioteka, institucione të rëndësishme kulturore, qendra tregtare, supermarkete, pika karburanti etj. Në këto rrugë mund të shkohet me tren, autobuz, tram dhe metro. Rue Mère Teresa (Rruga Nënë Tereza) në Paris ndodhet në rrethin e 17-të. U krijua në vitin 2014. Emri më 2013  ishte Voie CE/17 Route CG/17. Është një rrugë me një seksion për këmbësorët që fillon në 114 bis, rue de Saussure dhe përfundon në 7, rue Marie -Georges -Piquard. Itinerari i saj u krijua si pjesë e zhvillimit të Zac Clichy-Batignolles,brenda nënndarjes “Saussure Pont-Cardinet” nën emrin e përkohshëm të “rrugës CE/17”.

INSTITUCIONE ARSIMORE

Emrin e Nënë Terezës e mbajnë mbi 10 institucione private arsimore (shkolla fillore dhe kolegje), të cilat ndodhen në disa qytete franceze. Disa nga këto shkolla janë: Ecole et Collège Mère Teresa në Villeurbanne, Lyon, École Mère Teresa në Le Marais, 60710 Chevrières, Collège Mère Teresa në Montaigu Vendée, École privée Mère Térésa në Saint-Marsault, Poitou-Charentes, École Primare privée Mère Teresa (Shkolla fillore private) në Roubaix, 44 rue Rollin, 59100, École primaire privée Mère Térésa në La Foret -sur Sèvre, 79380 (Académie de Poitiers) etj. Ecole et Collège Mère Teresa (Shkolla dhe Kolegji Nënë Tereza) në Lyon ndodhet në 37 Rue Gervais Bussière, 69100 Villeurbanne. Është institucion arsimor privat katolik dhe mirëpret nxënës nga kopshti deri në shkollën e mesme. Është krijuar në vitin 2009. Kolegji përbëhet nga 6 klasa për nivel dhe 4 klasa EGPA, një ULIS dhe një sistem për mirëpritjen e studentëve të sapoardhur në Francë (UPE2A). Mirëpret 550 studentë, 25 studentë për klasa mesatarisht, përveç klasave EGPA që janë në fuqi. Pranimi në ULIS ose EGPA: një komision i pavarur rekomandon, bazuar në një dosje të përpiluar nga shkolla e origjinës, shkollimin në ULIS ose EGPA. EGPA (Edukimi i Përgjithshëm dhe Profesional i Përshtatur). Ky kolegj mirëpret rreth 60 studentë në 4 klasa me maksimum 16 nxënës. Kjo strukturë, unike në arsimin privat në Rhône, edukon fëmijët me vështirësi të mëdha në të mësuar. Brenda këtij institucioni ndodhet edhe Shoqata e Prindërve dhe Nxënësve të Arsimit Falas (APEL) e Shkollës dhe Kolegjit Nënë Tereza që merr pjesë në jetën arsimore dhe edukative të këtij institucioni.

École Mère Teresa nw Le Marais, 60710 Chevrières, është një shkollë e pavarur, e krijuar në 2009. Ndodhet në fshat në një mjedis të bukur të gjelbër midis Compiegne dhe Senlis. Është një shkollë pa kontratë me shtetin dhe si e tillë është e lirë në metodat e mësimdhënies, në programet e saj dhe në zgjedhjen e ekipit arsimor.

Collège Mère Teresa në Boufféré (Montaigu -Vendée, 85600) ndodhet në Rue des Gorgendières, 85600, në rrethin Caillaudières. Është kolegj katolik privat. Strehon rreth 600 studentë. Drejtor është Christophe Durand. Kolegji bashkon 88 studentë të klasës së gjashtë nga qytetet Boufféré dhe L’Herbergement. U hap në shtator 2021. Sapo është krijuar edhe shoqata e prindërve të arsimit falas (Apel) me 11 anëtarë.  École cole Primare privée Mère Teresa në Roubaix ndodhet në 44 rue Rollin, 59100 /Académie de Lille. Është Shkollë private katolike me kontratë. Mirëpret fëmijë nga 2 vjeç deri në klasën TPS.

SHESHI NËNË TEREZA NË AJAÇIO

“Place Mère Teresa” (Sheshi Nënë Tereza) në Ajaço ndodhet përballë Katedrales së Mëshirës. Emri “Place Mère” Teresa u votua unanimisht nga këshilli bashkiak i Ajaços më 30 korrik 2018. U inagurua më 24 maj 2019. Në Cermoninë e inagurimit, Kryetari i Bashkisë së Ajaços, Laurent Marcangeli u shpreh: “Sot, më 24 maj 2019, qyteti i Ajaçios përuron një identitet të ri urban. Qyteti i Ajaçios i bën homazhe dhe i jep emrin e tij sheshit përballë katedrales.

Pas shkollës Simone Veil, qyteti po ofron edhe një herë një emër që përçon vlera në një vend publik. Nënë Tereza ishte një grua e jashtëzakonshme, një figurë e fortë femërore, e cila punoi gjithë jetën për më të varfërit”, tha krybashkiaku, duke nderuar murgeshën që mori Çmimin Nobel për Paqen. Më 24 maj 1937, ajo bëri betimin e saj të përhershëm dhe mori emrin Nënë Tereza. Duke marrë Çmimin Nobel për Paqe në moshën 69-vjeçare në vitin 1979, murgesha katolike indiane u bë gruaja e 6-të që merr këtë çmim. “Këtë vit, bota e ka kthyer vëmendjen ndaj gjendjes së vështirë të fëmijëve dhe refugjatëve, dhe këto janë pikërisht kategoritë për të cilat Nënë Tereza ka punuar me bujari, për kaq shumë vite,” tha Komiteti i Çmimeve në atë kohë. Me rastin e emërimit të sheshit Nënë Tereza, u zbatua edhe një plan i ri trafiku. Seksioni përballë oborrit të katedrales midis Avenue Eugène Maçhini dhe Rue Soeur Alphonse u mbyll për trafikun për mbrojtjen e këmbësorëve. U riparua trotuari para oborrit dhe u ndryshua drejtimi i trafikut në rrugën Forcioli-Cont.

SHOQATA, QENDRA SOLIDARE, KISHA DHE FAMULLI

Emrin e Nënë Terezës e mbajnë shumë shoqata humanitare, të cilat presin, strehojnë dhe ndihmojnë financiarisht në strehim njerëzit më në nevojë (fëmijë të braktisur dhe të pastrehë, refugjatë, gra ta divorcuara dhe pa asnjë përkrahje etj.). Nga shoqatat me emrin e Nënë Terezës, veçohen: Association Oeuvres de Mère Térésa në Paris 11 (60 Rue de la Folie Méricourt, 75011, Paris 11), Association Oeuvres de Mère Térésa pour les enfants par Les Frères Missionnaires de la Charité (Paris 12, Shoqatë për fëmijët), Association des Association de Mère Térésa Missionnaires de la Charite à Paris 15 (75015, 10 Rue Violet, 75015), Chu Mere Teresa, Lyon (69002, 29 rue Auguste Comte 69002, Sante en France) etj. Më emrin e sajka me dhjetra kisha, paroisse (Famulli) dhe maison paroissiale (Shtëpi famullie), si Chapelle Mère Teresa në 74-78 Av.des Arènes de Cimiez 06000, Nice), L’Eglise Saint Saturnin de Reventin, Eglise Bienheureuse Mère Teresa, Eglise catholique (Crépy -en -Valois), Allée des Lys du Valois, Espace Mère Teresa de la Paroisse catholique de l’Alliance Nouvelle, Paroisse në Cysoing (86 Rue Salvador Allende 59830 Cysoing/ Lille), Paroisse Sainte Mère Teresa en Viennois në Estrablin, Maison paroissiale (854 Rue des Potiers/ La Rosière 38780, Estrabli), Paroisse Mère Teresa në Vienne (2 Pl, Saint -Paul, 38200 Vienne, Diocèse de Grenoble), Paroisse Mère Teresa në Doyenné de Belfort, Paroisse Mère Teresa du Mont në Belfort, Paroisse Mère Teresa në Sud-Loire (Diocèse de Nantes, anciennement ensemble paroissial StVincent de Paul-Les Sorinières -Pont Saint Martin), Paroisse Sainte Mère Teresa në Morinie (Diocèse d’Arras, Organizatë fetare), Paroisse Sainte Mère Teresa në Comunën e Reventin -Vaugris, Paroisse Mère Teresa (Commune de Jardin dans l’Isère), La paroisse Mère Teresa (Mairie de Houlle), La paroisse Mère Teresa (Mairie de Moulle), La paroisse Mère Teresa (Mairie de Serques), Paroisse Sainte Mère Teresa në Morinie, Éperlecques, Paroisse Mère Teresa në Beziers (34500), Paroisse Mère Teresa (Haute – Savoie, 251 Route de l’Eglise, 74410 Saint -Jorioz / Church in Haute – Savoie, Auvergne-Rhone-Alpes) etj.

Lexo edhe :  Këmbimi valutor/ Me sa shiten dhe blihen monedhat e huaja sot

JETA E NËNËN TEREZËS NË LITERATURËN FRANCEZE

Emri dhe vepra humanitare e Nënë Terezës ndodhet edhe në faqet e mijra librave dhe arikujve të botuar në Francë. Janë shkruar e publikuar në frëngjisht rreth 100 libra (monografi), qindra artikuj dhe dhjetra dokumentarë ku flitet edhe për kombësinë e saj shqiptare. Disa nga librat në frëngjisht për Nënë Terezën janë: Mére Térésa, le sourire de Calcutta (Nënë Tereza, buzëqeshja e Kalkutës. Nga Charlotte Grossetéte, 2021), Saints -15 vies extraordinaires de Pierre à Mére Teresa (Shenjtorët, 15 jetë të jashtëzakonshme nga Pjetri te Nënë Tereza. Nga Charlotte Grossetéte, Nans Grall, 2020), Mére Térésa (Nënë Tereza. Nga Patricia Crété, Bruno Wennagel, 2019), Sainte Mére Teresa, La Biographie de reference (Shën Nënë Tereza, Biografi e referencës: Nga Navin Chawla), Mère Teresa, Une Vie pour L’amour” (“Nënë Tereza, një jetë për dashuri”. Nga Navin Chawla), Le  mythe de Mère Tèrésa (Miti i Nënë Terezës. Nga Christophe Hitchens), Mére Teresa (Nënë Tereza. Nga Sandro Cassati, 2012), Mere Térésa (bibliographies, Nënë Tereza, biografi. Nga Sandro Cassati), Mére Teresa, is-nous en qui crois? (Nënë Tereza, a besojmë ne? Nga Bénedicte Delelis dhe Éric Puybaret 2016), Mére Teresa (Pettite et Grande, Mere Tereza, e vogël dhe e madhe. Nga Isabel Sànchez Vegara dhe Natascha Rosenberg, 2019), Bienheureuse Mère Teresa (E bekuar Nënë Tereza), Mère Teresa (Nënë Tereza. Nga Patricia Crété), La royame de nuit: Mére Teresa, le récrit d’une vie (Mbretëria e natës: Nënë Tereza, rishkrimi i një jete: Nga Olympia Alberti, 2016),  J’ai soif : De la petitte Thérèse à Mère Teresa (Unë kam etje. Nga Jacques Gauther, 2016) etj.

Krahas 30 librave dhe monografive të lartpërmendura kushtuar Nënë Terezës, asaj i janë përkthyer e botuar në Francë të gjitha librat që ka shkruar e botuar, si: Mére Teresa par elle-même (Nënë Tereza nga vetja e saj, biografi, Editeur Mediaspaul, 1994), Prières en poche (Lutjet në xhep), Viens, sois ma lumière (Eja bëhu drita ime), Quand l’amour est là, Dieu est là (Kur dashuria është aty, Zoti është aty),

ZHAK CHIRAK, ADMIRUESI MË I MADH I NËNËN TEREZËS

Shenjtorja shqiptare, admirohej shumë nga Presidenti i Republikës së Francës, Jacques Chirac (Zhak Shirak, 1932-2019). Vdekja e saj në Kalkuta të Indisë më 5 shtator 1997 e hidhëroi pa masë Zhak Shirakun. Në atë kohë, Chirac ishte President i Francës. Menjëherë sapo mori vesh vdekjen e saj, ai dha më 5 shtator 1997 këtë deklaratë:

“Sonte në botë ka më pak dashuri, më pak dhembshuri, më pak dritë. Nënë Tereza vdiq, duke marrë me vete entuziazmin dhe vullnetin e saj, një testament për jetë që u dha të vdekurve dhe që quhet hir. Ajo na lë një mesazh të fortë që nuk ka kufij dhe që shkon përtej besimit: ndihma e ndërsjellë, dëgjimi, solidariteti. Bota është në zi”. (Déclaration de M. Jacques Chirac, Président de la République, à l’annonce du décès de Mère Teresa, Paris le 5 septembre 1997).

Në funeralin e Nënë Terezës në Indi, mori pjesë edhe bashkëshortja e Chirak, zonja Bernadette Shirak, ku në prani në veçanti të saj, trupi i murgeshës u ekspozua dhe u filmua nga kamerat në Kalkuta.

Chirak nuk ishte vetëm një admirues i madh i Nobelistes shqiptare, por edhe një nga përkrahësit më të mëdhenj të saj. Chirak dhe Nënë Tereza janë takuar disa herë në Paris. Për herë të parë janë takuar në mëngjesin e 7 korrikut 1985 në l’hotel de Ville. Në ata kohë, Shirak ishte Kryetar i Bashkisë së Parisit dhe Nënë Tereza ndodhej në kryeqytetin francez për të hapur një qendër bamirësie për motrat e saj, të cilat do të ndihmonin njerëzit në nevojë. Gjatë këtij takimi Shirak e dëgjon me shumë vëmendje dhe miraton kërkesat e saj. Ky takim u pasqyrua nga të gjitha mediat në Francë. Takimet e Nënë Terezës dhe shqiptares së madhe, i përmend edhe Mathilde de Robien në artikullin e saj me titull, “Jacques Chirac , un admirateur de Mère Teresa”, fr.aleteia.org, 26.09.19). Në këtë artikull ndër të tjera, ajo shkruan: “Nënë Tereza dhe Zhak Shirak u takuan shumë herë. Çfarë mund të jenë bashkë një bishë politike dhe ajo që donte të ishte më i përulura dhe më e vogla nga të gjithë? Një nga takimet e tyre kishte të bënte, ndër të tjera, me krijimin e një shtëpie për Motrat Misionare të Bamirësisë në Paris. Falë Zhak Shirakut, Nënë Tereza mundi të themelonte një shtëpi në lagjen Saint-Merri (rajoni 4). Në dëshminë e saj te libri “Jeta ime me Shën Terezën” (Botimet Bayard, Paris, 2016), Motra Mari shpjegon se pasi u përplas për herë të parë me Laurent Fabius, atëherë Kryeministër, i cili “nuk mund të jepte një vend”, ishte në fund Zhak Shirak ai që lehtësoi procesin: “Zhak Shirak na gjeti një shtëpi pranë Saint-Merri. Qëndruam atje për ca kohë dhe sot shtëpia e motrave të Misionareve të Bamirësisë ndodhet në rue de la Folie-Méricourt në lagjen e 11-të.”.

PESHKOPI NDIHMËS I LYONIT: TAKIMET E MIA ME NËNË TEREZËN, TAKIMET MË MBRESLËNËSE NË JETËN TIME

Shqiptarja e madhe, nuk admirohej vetëm nga presidenti i 22-të i Republikës së Francës, por edhe nga kardinalët dhe peshkopët e dioqezave katolike të Francës. Midis tyre është edhe Peshkopi ndihmës i Lyonit, Mgr. Emmanuel Gobilliard, Vikar i Përgjithshëm dhe Moderator i Dioqezës së Lionit (që nga viti 2016), Kryetar i Bordit Këshillimor të RCF dhe anëtar i Këshillit për Komunikim të Konferencës së Ipeshkvijve të Francës (2019 e në vijim). Mgr. Gobilliard, është takuar disa herë me nobelisten shqiptare. Këto takime, ai i ruan si momentet më mbreslënëse të jetës së tij dhe nënë Terezën si personin vendimtar në jetën e tij si prift. Me rastin e përvjetorit të vdekjes së Shën Nënë Terezës, ai rrëfen se si u kryqëzua me Nënë Terezën disa herë në vitet 1986, 1994 dhe 1996, në Paris dhe Romë.

“Ka qenë gjithmonë shumë e vështirë për mua të flas për Nënë Terezën, të gjej fjalët, aq shumë jeta e saj, shembulli dhe personi i saj kanë qenë vendimtare në jetën time si prift, deri në atë pikë sa kapelania e të rinjve që kam inauguruar në Le Puy në vitin 1998 nuk mund të kishte asnjë emër tjetër përveç emrit të saj. E kam takuar disa herë, në Paris kur erdhi në vitin 1986 dhe disa herë në Romë midis viteve 1994 dhe 1996. Vetëm një herë munda të flisja vërtet me të dhe ai moment ishte aq mbresëlënës saqë jam ende shumë i prekur kur e përmend. Në praninë e saj u ndjeva sikur isha i përshkuar nga dashuria dhe mirësia e Zotit në thellësi të shpirtit tim. Ajo pranoi që dy motra të vinin për të vizituar pacientët me SIDA në spitalin Spallanzani në Romë, ku unë ushtrova një shërbim baritor. Unë gjithashtu fola në një meshë ku ajo mori pjesë dhe qëndrimi i saj më bëri ta dua Eukaristinë shumë më tepër se çdo traktat teologjik. Një ditë, i ofrova librin e saj, “Një rrugë e thjeshtë” një gruaje të re në revoltë kundër Kishës dhe kundër vendit të grave në Kishë. Ajo u kthye në besim menjëherë pasi e lexoi, kërkoi pagëzim, zgjodhi të vinte rregullisht për t’u shërbyer më të varfërve në një manastir të Misionarëve të Bamirësisë në Romë. Nënë Tereza, pasi e mësoi këtë, shkoi ta takonte sa më parë, për ta falënderuar. (“Sainte Mère Teresa: le témoignage de Monseigneur Gobilliard” (Shën Nënë Tereza: dëshmia e Imzot Gobiliard, https.///eglise.catholique.fr).

DOSSIER

Procesverbali sekret, dëshmia e zbuluesit që përgjoi nusen e Mehmet Shehut

Kadri Hazbiu ishte ministër dhe drejtuesi më jetëgjatë i Sigurimit të Shtetit gjatë komunizmit.

Më 15 tetor 1982 arrestohet dhe nis procesi gjyqësor kundër tij, i cili ishte një ndër më të bujshmit e epokës së diktaturës, jo vetëm për numrin e madh të të dënuarve, por edhe për cilësitë e veçanta të të gjykuarve si ish-funksionarë të lartë të Policisë Sekrete.

Në mesnatën e 9 shtatorit 1983, Kadri Hazbiu dhe të dënuarit e tjerë shkuan para skuadrës së pushkatimit, diku në shpatet e kodrave të Linzës.

Më 10 shtator 1983 ekzekutohet pasi u dënua për tradhti të lartë ndaj atdheut si “armik i popullit dhe i Partisë”.

Eshtrat u gjeten ne netor 1995 e tij në afërsi të Selites dhe u rivarrosen nga familjarët.

Gjyqi pati deshmi te shumta, shumica e te cilave u kundershtua nga Hazbiu.

Dëshmia me poshte i perket zbuluesit Tahir Malo dhe u dha në seancën e 25 të gjyqit. Dosja e plote sekrete u botua nga gazeta DITA.

Malo që ka drejtuar për shumë vite ‘Sektorin për Kosovën’, në dëshminë e tij pretendon raste të ndëshkimeve sistematike të anëtarëve të ‘grupit agjenturor’ në drejtim të kosovarëve.

“Unë kam survejuar e dokumentuar takimet që bënte Marjeta Shehu, gruaja e Bashkimit, djalit të Mehmetit me zbuluesin e ambasadës franceze Alen Zherar. Takimet zhvilloheshin tek liqeni artificial, 15-katëshi dhe në plazh në Durrës. Kam informuar rregullisht të pandehurit Feçor Shehu e Kadri Hazbiu” -dëshmon mes të tjerave në këtë seancë zbuluesi Malo…

Kryetari(Aranit Çela): -Të kemi thirrur ty Tahir Malo për ato tre çështjet që ke dëshmuar në hetuesi. E para, lidhur me akuzat për të pandehurit lidhur me trajtimin e  elementit kosovar. E dyta, mbi heqjen e përgjimit nga ambasada franceze dhe e treta, lidhur me çështjen që ka të bëjë me zbuluesin francez Alen Zherar me këtë Marjeta Shehun? Këto tre çështje…

Tahiri: -Që nga viti 1964 deri në vitin 1975 kam punuar në drejtim të problemeve lidhur me Kosovën. Jo në kundërzbulim, por në zbulim dhe në degë të veçantë që ka qenë për Kosovën. Merreshim me trajtimin e  elementit kosovar në vendin tonë dhe me veprimtari të zbulimit. Gjatë këtyre viteve që kam punuar dhe në kohën e ardhjes së të pandehurit Feçor Shehu në ministri kam konstatuar ato probleme që trajtonim ose që kërkonim të trajtonim për një trajtim që ishin në kundërshtim me Drejtorinë e Parë të Sigurimit të Shtetit, gjithmonë shkonin në favor të kundërzbulimit. E kam fjalën, që disa djem kosovarë, disa djem të rinj që vinin nga Kosova, ose të atillë kosovarë që punonin në radhët tona, nuk trajtoheshin në vijën që kërkonte Partia. Për këtë unë kam vajtur disa herë tek Kadri Hazbiu. Por përfundimisht vendosej ashtu siç e kërkonte Feçor Shehu.

Ja një shembull. Ishte një person që kishte punuar aktivisht me organet e zbulimit, malazez me origjinë. Edhe babai i tij kishte punuar disa vjet në dobi të zbulimit tonë. Para vdekjes, i ati u dekorua me Medalje Trimërie. U nderua dhe djali për punën që kishte bërë. Në varrimin e të atit vajti një pjesë e madhe e efektivit të zbulimit, ku u mbajt dhe një fjalim. Pas 5 vitesh, djali i tij, me 7 fëmijë, propozohet për t’u arrestuar. Ne ishim kundër… U dënua për agjitacion e propagandë, na u tha se ishte agjent i jugosllavëve… Kështu, ka shumë raste të tilla…

Ndihmësgjyqtari: -Nga kush iu tha që është agjent ai?

Tahiri: -Nga i pandehuri Feçor Shehu, ishte drejtor i pandehuri në atë kohë. Më kujtohet një rast në Elbasan, ishte bashkëpunëtor i zbulimit. Bëmë gjithë ato kombinacione për t’ia sjellë familjen në Shqipëri. Ja prumë, i çuam dy fëmijët në universitet. U shkolluan, një ri u bë mjek, një u bë farmacist… U dekoruan të dy me Urdhrin e Punës… Na vjen një ekip në Elbasan që kryesohej nga Kadri Hazbiu. Ai vendos për t’i goditur dhe i goditi. U dënuan për agjitacion e propagandë…

Edhe një rast tjetër po u përmend, një djalë nga Kosova i ardhur në Shqipëri, i dërguar nga një organizatë revolucionare. E mbajtëm disa vjet në Gjirokastër për të mos rënë në kontakt me emigracionin që mund ta njihnin… Me kombinacion, i prumë këtu të ëmën dhe vëllanë. Mbaroi universitetin shtetëror dhe e çuam profesor në Lezhë. Pastaj me urdhër të Feçor Shehut e dënuam për agjitacion e propagandë…

Kryetari: -Po ti i shikoje këto, për agjitacion e propagandë…

Tahiri: -Unë nuk i shikoja dosjet, se nuk e kishim kundërzbulimin. E kemi ngritur këtë problem, por nuk na dëgjonin… Gjithashtu, edhe për riatdhesimin në Jugosllavi të mjaft kosovarëve, ne nuk kemi qenë dakord, por ata janë riatdhesuar. Pas ngjarjeve në Kosovë (viti 1981), ata na i kthyen përsëri. Për këta, i pandehuri Feçor Shehu kishte dhënë urdhër  të prerë që të gjithë këta do të rikthehen në Jugosllavi.

Kryetari: -Mund të ishin dhe vagabondë ata?

Tahiri: -Jo s’ishin. Ishin dhe pjesëtarë të ngjarjeve në Kosovë. Këta nuk ishin njerëz të tillë, ishin njerëz me pikëpamje politike të drejta, me dashuri të madhe për Partinë e shokun Enver…

Kryetari: -Lidhur me atë çështjen tjetër, të ambasadës franceze?

Tahiri: -Ambasada franceze, përveç godinës që kishte në rrugën e  Elbasanit, kërkonte një godinë të re, që e kishte pasur një ambasadë tjetër… Ambasada franceze, nëpërmjet Ministrisë së Jashtme kërkonte që të bënte disa riparime në godinë… Erdhën nja 3-4 specialistë francezë. Ne bëmë kujdes që mjetet, mikrofonët, mos zbuloheshin… I pandehuri Feçor Shehu, kur filloi puna, dha urdhër që mikrofonët e përgjimit të bllokoheshin. Sipas tij, urdhrin e kishte marr nga Mehmet Shehu. U bllokuan, u bë raporti, u firmos, por Feçori nuk firmosi, firmosi zëvendësi i tij.

Përsa i përket problemit të punonjësit të ambasadës franceze Alan Zherardit. Në verën e vitit 1981, shtator duhet të ketë qenë, një nga survejuesit, duke qenë në shëtitje, i tërhoqi vëmendjen ky punonjësi i ambasadës franceze… E merr në survejim këtë Alen Zherardin. Dhe konstaton në afërsi të universitetit Shtetëror të Tiranës, në krahun e stadiumit kombëtar ‘Qemal Stafa’, atje ku ka një pyll me plepa, konstaton se Marjeta Shehu me një fëmijën e saj të vogël ulet në një stol atje dhe takohet me Alen Zherardin. Qëndron një kohë atje me të. Raporti thoshte shprehimisht, ishte i shkruar raporti…

Pasi u shkëput nga zbuluesi francez, Marjeta Shehun e pret një makinë, makina që e përdornin familja e armikut Mehmet Shehu. Dhe ikën me makinë. Zbuluesi futet në hotel ‘Dajti”, e nga aty, në ambasadë. Këtë raport e ka shkruar nënkryetari i degës që merrej me survejimin… Me raportin, shkuam tek i pandehuri Feçor Shehu. Ja lexova raportin, se filloi vetë, po nuk e lexonte dot shkrimin e atij zbuluesit… Urdhëroi që të verifikohet, e pas ekspertimit, të shkonim t’i raportonim. Bëmë këto, shkuam e ja paraqitëm Feçorit. I pandehuri Feçor Shehu urdhëroi që Alen Zherardi të merrej në survejim të pandërprerë në Tiranë, në Durrës ku shkonte me makinën e barkën e vet, apo kudo që të lëvizte…

Zbuluesit e fiksuan gjatë dhe fiksuan gjithçka…

Fiksuan edhe një takim tjetër në Durrës, ku Marjeta Shehu dilte me motoskaf ndërsa francezi ishte në atë barkën e kanotazhit. Dhe takuan me njëri-tjetrin në det, ndërsa zbuluesit e vrojtonin nga toka. Dhe ky raport iu dha të pandehurit Feçor Shehu, i cili e lexoi dhe mori dijeni të plotë. Pasi u mbajt dhe ca kohë në survejim, Feçor Shehu urdhëroi që të hiqej nga survejimi ky dhe gjithë personeli i ambasadës. Këtë e argumentoi se gjoja po e fusnim Sigurimin e Shtetit në rrugë të gabuar, në gjëra që nuk ekzistojnë… Këto të dhëna nga survejimi, unë ja kalova Drejtorisë së Dytë. Pas nja dy muajsh, Drejtoria e Dytë na e ktheu duke u justifikuar se nuk kemi çfarë t’i bëjmë. “Kemi biseduar dhe me ministrin Feçor Shehu, por tha se këto të dhëna nuk qëndrojnë, keni bërë gabim që jeni marrë me gjëra të tilla” -tha Feçori. Ndërsa Komiteti Qendror i Partisë, nuk u informua për këto të dhëna.

Më vonë, kur dolën të dhëna të tjera për takimet e Alen Zherardit me Marjeta Shehun, kur pati dhe një informacion nga Komiteti Qendror i Partisë për një takim në hotel ‘Tirana’ pra, kur kishte kaluar një vit e ca, atëherë Feçor Shehu tha se kam informuar Udhëheqësin e Partisë(Enver Hoxhën). Gjatë gjithë kohës, kam vënë re se me pretendime të ndryshme, i pandehuri Feçor Shehu, ja fshihte informacionet e plota Partisë…

Kryetari: -Në lidhje me këtë, kur bëre informacionin pastaj?

Tahiri: -Për informacionin lart, u caktuan dy zëvendësministra dhe unë me ta. Ishim në zyrën e Mehmet Çakës, bashkë me Raqi Ifticën dhe Mehmet Çakën. I pandehuri Feçor Shehu erdhi atje dhe u mundua për të na thënë që këto janë probleme që janë informuar dhe nuk ka mbetur gjë pa u informuar Komiteti Qendror?!

Desha të theksoj diçka për sa i përket personelit të ambasadës franceze dhe të teknikës së survejimit në përgjithësi. I pandehuri Feçor Shehu na thoshte që duhet të keni kujdes të veçantë me francezët, e se ‘këtë e kam porosi dhe nga Kadri Hazbiu,’ për arsye se mjaft shokë nga udhëheqja e Partisë shkojnë në Francë për t’u kuruar…

Kryetari: -Po në lidhje me informacionin, ke thënë diçka që kur bëtë ju informacionin, Feçor Shehu ka thënë që të vini domethënë, këto informata që keni pasur për Marjeta Shehun, e këto s’kanë qenë të sakta?

Tahiri: -Ky rasti ka qenë kur bënim informacionin, që duhet thënë se janë të pasakta, të pavërtetuara, domethënë, janë burim i survejimit…

Ndihmësgjyqtari: -Kemi një pyetje shoku kryetar, nëse mbani mend për ata kosovarët e dëbuar, ishin për agjitacion e propagandë, apo për spiunë?

Tahiri: -Jo, vetëm për agjitacion e propagandë, asnjeri për spiun…

Prokurori(Rrapi Mino): -Po për Qazim Turdiun, keni bërë ndonjë informacion?

Tahiri: -Unë kam një informacion me urdhër të të pandehurit Feçor Shehu që i kanë vajtur Mehmet Shehut për dy biografi, për dy persona, për Kreshnik Tartarin dhe për një mjek në maternitet, të cilët i kërkonte sipas porosisë…

Kryetari: -Keni ndonjë pyetje?

Feçor Shehu: -Këto arrestimet e emigrantëve kosovarë i bëja unë apo vinin rregullisht nga rrethet…?

Tahiri: -Kjo është praktikë e njohur… Por ama, po mos vinte firmë i pandehuri Feçor Shehu, nuk mund të miratohej asgjë…

Kryetari: -Ju keni kundërshtuar për këto?

Tahiri: -Kemi kundërshtuar edhe tek Kadri Hazbiu dhe tek Feçor Shehu…

Kryetari: -Tjetër pyetje ka…?

Feçor Shehu: -Unë kam thënë, pasi erdhe ti, që raportove se ai Alen Zherardi na ka ekspozuar edhe po tallet me survejimin. Është e vërtetë kjo?

Tahiri: -Nuk i kam thënë… Edhe, i pandehur Feçor Shehu, duhet të dini një gjë, që duke kryer survejimin sipas urdhrave tuaja, në atë mënyrë e në atë formë që e organizuam, patjetër që zbuluesi francez që do ta zbulonte. Ka të bëjë me qëllimet e tuaja…

Kryetari: -Tjetër pyetje ka?

Feçori: -Për të bërë këtë informacionin për udhëheqjen e Partisë, nga kush është ngarkuar?

Tahiri: -Mua më thirrën Mehmet Çaka dhe Raqi Iftica…

Feçori: -Po këtyre, Mehmet Çakës e Raqi Ifticës kush ua ka kërkuar?

Tahiri: -Mehmet Çaka është gjallë, Raqi Iftica është gjallë, të gjitha çështjet ua kam dhënë unë…

Prokurori(Rrapi Mino): -Po kur, në ç’kohë?

Feçori: -Ky informacion është jo vetëm për këtë, por për çfarë kishim ne në Ministrinë e Brendshme…

Kryetari: -Mirë, po kur është bërë?

Feçori: -Kur u vra Mehmet Shehu…

Kryetari: -Pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut…

Feçori: -Kemi bërë para vetëvrasjes së Mehmet Shehut ne dy raporte për këtë problem dhe ja kemi dërguar Komitetit Qendror…

Kryetari: -Ke bërë?

Feçori: -Si, kemi bërë ne raporte për takimet e Marjeta Shehut!

Tahiri: -Jo. Ju keni thënë para meje e zëvendësministrave që keni njoftuar gojarisht Komitetin Qendror. Raport me shkrim nuk ekziston.

Kryetari: -Tjetër gjë ke? Mund të largohesh… (DITA)

Continue Reading

DOSSIER

Dëshmia e ushtarëve, për vrasjen e vëllait të këngëtares së famshme, në shkurt 1990: Ne e qëlluam dhe ai u rrëzua duke thënë…

Nga Kastriot Dervishi

Fletën e parë të vrasjeve në kufi të vitit 1990, e çel ngjarja e hidhur e ndodhur në Kolonjë, në postën e Rehovës, aq e përfolur për pjesëmarrje në këto krime. Sipas komunikatës nr. 28, datë 3. 2. 1990 të Ministrisë së Punëve të Brendshme, më 2. 2. 1990, rreth orës 24.00 njësiti i shërbimit i postës kufitare Rehovë, në rajonin e piramidës 6, kuadrati 6776, “ra në përpjekje” (e pavërtetë në fakt), me 3 shkelës të kufirit nga brenda jashtë. Si rezultat i zjarrit të njësitit, mbeti i vrarë Ilirian Ismail Zari, vjeç 30. I spiunuar nga një fshatar i zonës, në orën 05.00 të datës 3. 2. 1990, u kap Agim Ismail Zari, vëllai i Ilirit. Vazhdonte kërkimi për kapjen e të tretit Ylli Qemal Keti, me origjinë nga Kolonja, banues në Tiranë, martuar me motrën e dy vëllezërve Zari, i cili nuk rezulton i diktuar dhe arrestuar.

Kufoma e Ilirit, u varros në mënyrë të fshehtë në fshatin Mësiçkë, në mes të një pylli. Ajo u zhvarros nga të afërmit më 3. 9. 1991. Në lidhje me këtë ngjarje, kanë dëshmuar edhe ushtarët. Gjuha e tyre që duket në shprehjen; “Ku do të vini o maskarenj”, është tipike e një urrejtjeje të verbër e tejet të indoktrinuar, siç ishin në përgjithësi ushtarët e kufirit të asaj kohe. Një pjesë e dëshmive të tyre, paraqitet më poshtë dhe bashkë me këtë ngjarje, në këtë shkrim po publikojmë edhe dy histori të tjera të vrasjeve në kufi, në vitin 1990.

Te vendi i shërbimit u vendosëm rreth orës 18.30. Rreth orës 24.00, unë pashë 3 vetë, të cilët vinin për të kaluar kufirin në Greqi. Kur ata ishin afruar rreth 50 metra, unë i dhashë sinjal përgjegjësit të njësitit, për kalim kufiri. Astriti i pa ata dhe doli lart, për të bllokuar vijën e kufirit. Kur ai kaloi për të bllokuar vijën e kufirit, unë u ula pak më poshtë.

Në këtë kohë, Astriti bëri ndaljen e tyre. Ai që ishte i pari, tha; “Mos qëlloni se jemi edhe ne të armatosur”, kurse dy të tjerët që ishin pas tij, u larguan pak nga ai, duke u s’postuar anash tij. Në këtë kohë, desh të largohej edhe ai që ishte i pari.

Në këtë moment, neve të dy qëlluam në drejtim të tij. Me qenë se e goditëm, ai u rrëzua dhe tha: “O më vratë”. Sa dëgjuan krismën e automatikëve tanë, ata të dy u larguan me vrap poshtë. Astriti i ndoqi ata. Unë pashë personin që kishim qëlluar, i cili kishte vdekur.

Pasi u sigurova që kishte vdekur, kalova në bllokim të kufirit, të mos kalonin ata të dy. Unë di të them, se ai që vramë ishte i pari dhe dy të tjerët, ishin pas tij, rreth 3 – 4 metra larg njëri – tjetrit. Pas pak erdhi njësiti tjetër për ndihmë”.

Dëshmia e ushtar Astriti, lindur 4. 2. 1969 në Ballsh, me arsim 8 vjeçar:

“Në ora 18.30, vajtëm te vendi i cili ishte në afërsi të vijës së kufirit dhe u vendosëm në vendin e shërbimit. Unë isha përgjegjësi i njësitit. Unë organizova shërbimin sipas rregullores që ma kishte dhënë komandanti i postës. Në ora 24.00 anëtari i njësitit Albani kishte parë 3 persona të cilët po tentonin për të kaluar kufirin.

Ai më sinjalizoi mua sipas sinjaleve që kemi. Unë sapo mora sinjalin nga ai, pashë 3 persona që ishin duke kaluar nga brenda – jashtë shtetit për në Greqi. U ngrita, dola me kujdes nga lart për t’u bllokuar rrugën që to mos kalonin kufirin. Duke kaluar nga sipër, shkava në akull dhe u rrëzova. Kur u rrëzova doli krehri i automatikut.

Menjëherë vendosa krehrin tjetër dhe bëra ndaljen. U thashë: “Ndal mos lëvizni, jeni të rrethuar”. U bëra thirrje shokëve që t’i kapnin. Kur unë u bëra ndaljen, njëri prej tyre që ishte më afër meje tha: “Mos ushtar, se jemi me armë”. Ai desh të largohej poshtë. Unë i thash përsëri: “Mos lëviz se të vrava”. Ai u nis për të ikur poshtë dhe u tha shokëve të tij: “Hë juve, çfarë bëni me armë”.

Në këtë kohë, unë i thashë edhe anëtarit të njësitit Albanit, “zjarr” dhe vetë qëllova në drejtim të tij. Neve e goditëm dhe ai u rrëzua, duke thënë: “O ushtar, më vrave”. Sa u rrëzua ai përtokë, dy të tjerët ikën në drejtim të fshatit Starje. Unë i thashë Albanit; “Dil shpejt nga lart, që të mos kalojë kufirin” dhe në të njëjtën kohë, u thashë atyre; “Ndalni, ku do të vini o maskarenj” dhe i ndoqa duke i qëlluar me automatik me breshëri.

Unë i ndoqa rreth 1 mijë letra poshtë megjithëse ata ikën me vrap dhe unë nuk i shikoja dot. Dua të shtoj se kur i pashë unë, ata të tre ishin njëri pas tjetrit. I pari ishte ai që vramë. Mua mu dukën të gjatë, që të tre. Te vendi që u rrëzua ai që vramë, unë lashë krehrin e prishur me fishkë. Mbasi i ndoqa ata, siç thashë më lart, u ktheva te banditit i vrarë dhe pashë se kishte vdekur”.

Vrasja në kufi e 18-vjeçarit, në vitin 1990 dhe dëshmitë e vrasësve

Sokol Lika, ishte nxënës në shkollën e mesme Gjeologjike të Korçës. Pas një zënke në shkollë, së bashku me shokun e tij Besim Qose, vendosën të arratiseshin në sektorin e postës kufitare të Starjes, në rrethin e Kolonjës. Sokoli kish njerëz në Stamboll, ndërsa Besimi në Australi dhe një mik në Brazil.

Pasi blenë një shishe fërnet, një vazo reçel, dy komposto, bukë dhe qofte, me një makinë që kishte ngarkuar qepës, udhëtojnë në drejtim të Ersekës. Në fshatin Starje, u vra Sokoli më 23 maj 1990, ndërsa Besimi, u arrestua. Pas disa muajsh, Besimi u dënua me 8 muaj burg, në bazë të nenit 127, të Kodit Penal.

Dëshmia e Besim Qoses, shoku i Sokolit:

“Sokoli ishte pranë meje. Unë nuk e pashë kur u afruan ushtarët. Unë ju thashë ushtarëve të mos qëllonin, se isha aty dhe ngrita duart lart. Pastaj mua më ngritën më lart ushtarët. Aty pashë se Sokoli, ishte i shtrirë. Nga ushtarët, dëgjova të thoshin se “njëri qenka vrarë”. Ora duhet të ketë qenë rreth 22 – 23.00”.

Dëshmia e ushtarit Blerim Allhidri, nga Rrajca:

“Isha bashkë me ushtarin Ilirian Luto. U vendosëm sipas rregullores, në vendin e caktuar. Unë zura pozicion dhe i bëra ndaljen shkelësit. Unë ju kam thënë: “Ndal mos lëviz, je i rrethuar, dorëzohu”. Të dy shkelësit u shtrinë përtokë dhe në këtë kohë, unë kam qëlluar me armë. Po kështu edhe shoku im, Ilirjan Lato, qëlloi mbi ta.

Unë dhashë sinjalin e alarmit në postë. Zumë pozicion dhe vazhdonim të qëllonim. Shkelësit na humbën, se ishte errësirë, ra edhe mjegulla. Ne qëndruam në bllokim dhe qëllonim një nga një, deri sa na erdhi ndihma nga posta kufitare, rreth orës 21.00 – 21.30. I pari erdhi, ushtari Kastriot Çela me Altin Broçin. Pas këtyre, erdhën shokët e tjerë. U rrethua vendi ku ishin shkelësit e kufirit. Afroheshim në drejtim të tyre duke qëlluar”.

Dëshmia e ushtarit Ilirjan Lato:

“Nxituam që të zinim vijën e , sepse ishin shumë afër saj, rreth 200 metra. Pasi bllokuam vijën e kufirit, i lamë ata të dy të afroheshin. Kur u afruan rreth 50 metra, Blerimi bërë ndaljen. Ata ndaluan dhe në këtë kohë, unë u thashë të ndalnin, se do i qëlloja. Ata po studionin, për të ikur. Blerimi bëri një qitje në ajër. Ata u shtrinë barkas. Në moment, unë qëllova në drejtim të tyre, me breshëri.

Blerimi kaloi në krahun tjetër e, zuri vend më lart. Ai filloi që qëllonte, që të afrohesha unë. Ata nuk lëviznin, por rrinin shtrirë. Në këtë kohë, ra një mjegull. Ne qëndruam në përgjim, për të parë nga vajtën, se nuk dukeshin nga errësira dhe mjegulla. Blerimi më pyeti mua, nëse dëgjoja gjë se nga vajtën. Unë i thashë se; nuk kanë kaluar. Ai më tha se; nga unë nuk kanë kaluar. Unë i thashë Blerimit, se janë futur në bunker, se ishin ca të tillë afër.

Për t’i frikësuar, unë thirra emra kot, që të dilnin lart e poshtë. Ne, vazhdonim të qëllonim në drejtim të tyre. Në këtë kohë, erdhën shokët nga posta për ndihmë. Edhe shokët qëlluan në drejtim të tyre. Hodhëm shenjëdhënëse, por nuk pamë gjë. Ndaluam zjarrin, nga frika mos vrisnim njëri – tjetrin. Shokët kontrolluan bunkerin, por nuk gjetën gjë. U ngritëm e po bisedonim. Në moment, njëri nga shokët që erdhi për ndihmë, qëlloi me breshëri.

Ne u afruam në formë rrethi. Ndaluam zjarrin e bëmë rrethimin, se mos dëgjohej ndonjë zhurmë. Me elektrik, pamë një gjumë sandaleje, që e kishte drejtimin për në thellësi të tokës tonë, menjëherë u vendosëm nëpër pozicione dhe qëndruam në heshtje. Shkelësit mendonin se neve ikëm dhe filluan të lëviznin. Kastriot Çela, dëgjoi një rrokullisje guri. Ai tha; ecni pas meje, ja ku janë. Erdhi njësiti ynë nga poshtë dhe qëllonte.

Shkelësit qëndruan pa bërë zhurmë, por ne nuk shikonim gjë. Kastrioti i pa, që po rrinin mbështetur te një shkëmb. Ai i thirri një shoku dhe ata lëvizën nga vendi. Limoz , qëlloi në drejtim të tyre dhe vrau njërin nga ato. Ai tjetri thirri: “Mos qëllo xhaxhi ushtari”. Ne ndërpremë zjarrin dhe u afruam te ai që ishte gjallë. Ai nuk lëvizi fare. E kapëm dhe e lidhëm. Ai qante”.

Një letër në xhepin e të vrarit në kufi, në vitin 1990

Sami Daja i vrarë dhe letra me adresën që iu gjet në xhep Më datën 25.5.1990, rreth orës 24.00, rreth 200 metra larg kufirit, në sektorin e postës kufitare Rehovë të rrethit të Kolonjës, i përbërë nga ushtarët Dod Kapsori dhe Xhelal Elezi, vrau Sami Dajën, teknolog në Kombinatin Metalurgjik Elbasan dhe ndaloi shokun e tij, Mezanin, i cili dënohet me 4 vjet burg.

Eksperti mjeko – , përcaktoi se vdekja e Sami Dajës, ishte shkaktuar nga pesë plagë të rënda. Mezani që ishte nga Peqini, kishte udhëtuar drejt atij vendi kufitar, pasi e njihte mirë terrenin, për shkak se kishte kryer ushtrinë andej. Për këtë arsye, ai ka udhëtuar së bashku me djalin e tezes, Sami Dajën, i cili kishte edhe një adresë në Greqi.

Kanë udhëtuar të dy fillimisht me makinë e, më pas me tren, nga Peqini, deri në Gurin e Kuq në Pogradec. Prej andej, kanë marrë autobusin e linjës deri në Ersekë, qytet ku kanë mbërritur rreth orës 17.30. Në restorantin e këtij qyteti, kanë ngrënë darkë. Rreth orës 21.00, kanë blerë edhe një shishe vodkë dhe janë nisur në drejtim të kufirit. Në xhep, Samiut iu gjet adresa ku do të shkonte.

Dëshmia e ushtarit, Dod Pal Kapsori:

“Rreth orës 24.00, në drejtimin tonë për nga vija e kufirit, po afroheshin dy persona, që nuk dalloheshin mirë nga errësira. Ishte një natë pa hënë. Ne kujtuam se po vinin shokët e komandës, për ndihmë e për kontroll, sepse po vinin nga rruga që vijmë ne, në vendimin e shërbimit.

Kur u afruan rreth 15 – 20 metra, ushtar Xh.E., u kërkoi parullën dhe u bëri ndaljen. Ata të dy u kthyen prapa, duke ecur në krahun e anëtarit, pra në krahun e majtë tonin. Ushtar Xh.E., qëlloi në ajër një herë. Kur pa se nuk qëndruan, shtimë të dy në drejtim të tyre, me breshëri. Pamë se njëri u rrëzua përtokë, kurse tjetri iku dhe na u zhduk në errësirë.

Unë hodha paketën shenjëdhënëse, por me gjithë këtë, prapë nuk e pamë. Pastaj ne bllokuam kufirin, bashkë me njësitet e tjera që na erdhën. Kur ne e vramë, u afruam për ta parë se mos ishte gjallë. Ai kishte vdekur dhe xhaketën e kishte hedhur në tokë. Kur ne qëlluam, ai tha: “Mos qëlloni se më vratë”.

Dëshmia e ushtarit, Xhelal Elezi;

“Rreth orës 24.00, ne dalluam se në drejtimin tonë, po vinin dy persona nga poshtë – lart, në drejtim të kufirit me Greqinë. Unë i pashë në horizont, se ishte një natë pa hënë. Kujtova mos ishte kontrolli, se po vinin nga rruga e shërbimit. Menjëherë sinjalizova përgjegjësin dhe u pozicionuam për të bërë ndaljen. Pasi u afruan në drejtimin tim, rreth 15 metra, unë dallova se ishin civilë.

I thashë të ndalonin e të thoshin parullën dhe në të njëjtën kohë, njëri u ul në gjunjë, e tjetri iku me vrap. Unë qëllova njëherë në ajër me një fishek, duke u thënë; mos lëvizni, se do i qëlloja. Ky që ishte në gjunjë, tentoi të largohej, po në atë drejtim. Në këtë moment, unë dhe shoku im, kemi hapur zjarr bashkërisht, me breshëri.

Pamë se personi u shtri përtokë ,duke thënë: “Më vrave o ushtar”. Përgjegjësi i njësitit kaloi në anën tjetër dhe hodhi pistoletën shenjëdhënëse. Unë hapa zjarr, edhe në drejtim të personit që u largua. Së bashku me përgjegjësin, e ndoqëm prapa, duke qëlluar me breshëri…! Në mëngjes mora vesh, se tjetrin e kishin kapur ata të postës së Gjonçit.

Continue Reading

DOSSIER

Lef Lekaj, kompozitori i ‘Qingjit të vogël’, me pranga në duar, arratisja dhe si fjeti në një varr të hapur

Nga Admrina Peçi

4 korriku i vitit 1979 ka lënë një shenjë të thellë në kujtesën e qytetit të Kuçovës. Pas një mbledhjeje demaskuese, mes shumë kolegëve e bashkëqytetarëve të tij, ishte arrestuar kompozitori dhe poeti i njohur Zef Lekaj.

Në atë qytet ai kishte sjellë në mesin e viteve ’60-të, frymën artistike të vendlindjes së tij Shkodrës, që artin e kishte në ADN, kishte sjellë shpirtin e tij, dijet dhe përvojat e tij jetësore, punën  e palodhur dhe frytet e frymëzimeve të tij artistike.

Prej vitesh këngët e tij kishin ushqyet shpirtin e atij qyteti të vogël por kishin ngritur peshë edhe zemrat e gjithë publikut shqiptar.

Sot ato  këngë janë pjesë e fondit të artë të muzikës shqiptare… kush nuk e kujton këngën “Qingji i vogël”. Atë ditë të fillim korrikut të vitit 1979, autori i Qingjit të vogël, ishte vënë në pranga me akuza absurde, tre ditë para se të dilte në pension.

 

 

Continue Reading

DOSSIER

Andi Tepelena: 2 korrik 1990, ja si hymë në Ambasadën Italiane

Andi Tepelena ishte i ftuari i mbrëmjes në Esencë. Tepelena rrëfeu për 2 korrikun 1990 dhe mënyrën e futjes së shqiptarëve në Ambasadën Italiane, në kohën kur sapo kishte nisur mësymja apo hyrja e shqiptarëve nëpër ambasadat e huaja. Emisioni Esencë shfaqet çdo të premte dhe të diel në ekranin e Report Tv, ora 21:00.

Eljan Tanini: -Kam kohë që dua të bëj këtë intervistë me ty Andi Tepelena, në lidhje me 2 korrikun 1990 të Ambasadës Italiane. Më në fund të rrëmbeva dhe ja ku jemi.

Andi Tepelena: -2 korriku 1990, është ngjarje epokale që përsëritet një herë në njëqind vite. Çabej ka disa kujtime ku shkruan se ne jemi popull shtegtar.

Eljan Tanini: -Si ishte jeta e një 18 vjeçari në Tiranën e viteve 80-90?

Andi Tepelena: -Kam qenë nxënës te Sami Frashëri dhe te Çajupi. Ka qenë kohë e zymtë, te Zëri i Amerikës rrinte gjithmonë veshi. Ushqimi në shtëpi ishte si për të gjithë shqiptarët, çohesha në 4 të mëngjesit për të marrë qumështin.

Eljan Tanini: -Ku banonit në atë kohë?

Andi Tepelena: -Banonim në një shtëpi përdhese, i ra plani, dhe nisem të banojmë te 9 katëshet, pamje shumë e bukur, kati i nëntë. Kishim shumë ëndrra si të gjithë, shikonim Elektrik Blu, filma pornografikë, bulevardi ishte bosh në atë orar dhe niste koha e kthimit të antenave. Te Saimir Maloku bënim kanoçet e famshme të televizorit, na hapi sytë. Babai ishte sizmiolog, mamaja kishte një jetë shumë të vështirë, llogaritare. Për shkak të mbiemrit Tërshana, Edip Tërshana, mamaja bëri punë shumë të keqe.

Eljan Tanini: -Edip Tërshana ka një shprehje shumë të bukur: “Përkulem por nuk thyhem”!

Andi Tepelena: -Babai ka qenë antikomunist i rrezikshëm, jemi fis me firmëtar pavarësie. Jugu nuk ka qenë gjithmonë i majtë, sepse ka një keqkuptim të thekur për këtë gjë. Babai thoshte që komunizmin e kemi të importuar nga stepat e Rusisë.

Eljan Tanini: -Kishit ashensor te 9 katëshet?

Andi Tepelena: -Po, kishim, prishej shpesh. Edhe vetë teknikët Fredi dhe Josi ikën herët nga Shqipëria.

Eljan Tanini: -Si e morët vesh lajmin që do të hapeshin ambasadat?

Andi Tepelena: -Tirana ziente nga këto lajme. Në Ambasadën Franceze u fut një djalë që për muaj me radhë i binte kitarës aty brenda saj, siç duket ajo muzikë ishte ftesë për të hyrë nëpër ambasada.

Eljan Tanini: -Nuk e kam kuptuar kurrë, përse u futën njerëz te Ambasada Kubaneze?!

Andi Tepelena: -Për mua ka qenë provokim, nuk e kam kuptuar kurrë! As te turku, bullgari, kinezi etj… Shumë futeshin nëpër ambasada se i kishin afër. Ne në lagje e kishim një vatër disidence!

Eljan Tanini: -Ku dhe si e morët vesh lajmin që po gëlonte diçka në Ambasadën Italiane?

Andi Tepelena: -Më tha një shok, fjalë pas fjale! Se kur do të hapeshin ambasadat nuk kishim informacion, por dihej tashmë që do të bëhej ky veprim. Qarkullonte në Tiranë si lajm.

Eljan Tanini: -Si u përgatitët për të shkuar në Ambasadën Italiane me nënën, babain dhe vëllain?

Andi Tepelena: -E menduam 2-3 ditë përpara të hynim në Ambasadën Gjermane. Po bënim plane, i binim rreth e përqark ambasadave, te gjermani na u duk më e mundur, ndër të tjera edhe gjermani do të na siguronte një të ardhme më të mirë. Një shok na ndaloi rrugës, nuk ishte e mundur. Ndërkohë takojmë një shok tjetër, bëjmë një takim dhe nisemi për te Ambasada Italiane. U futëm në Ambasadën Italiane rreth orës 10:00, na kënaqi fakti që kishte familjarë, jo vetëm të fortët. Unë dola nga kangjellat për të marrë prindërit.

Eljan Tanini: -Bëhet fjalë për Ambasadën Italiane atje ku është sot Ambasada Amerikane.

Andi Tepelena: -Unë gjeta një të çarë, kishin hapur kangjellat. Vajta mora prindërit në shtëpi, babain e binda kollaj, u çua menjëherë në këmbë, mamaja mezi u bind, me rroba trupi ikëm për në ambasadë. Brenda kishte romë me klarinetë, brenda në Ambasadën Italiane. Gabriela nga Ambasada Italiane ka ndihmuar shumë njerëz. Nga palët politike shqiptare dhe italiane kishte tension të madh. Ambasadat kishin nivele të ndryshme njerëzish.

Eljan Tanini: -Futeni me prindërit tuaj në Ambasadën Italiane, si shkon jeta aty brenda?

Andi Tepelena: -Gjatë ditës ishte vapë në ambasadë, natën ishte tmerrësisht ftohtë, e që të mendosh ishte korrik, lagështirë, mbase edhe nga bimësia. Kishte mikroklimë. Njerëzit u futën pa tesha, pa batanie. Ditën e tretë sollën arka me bukë dhe me qumësht, qumësht që shkaktoi edhe çudira. Kishim një banjo për 850 vetë, mund të plaste edhe kolera. Nga aspekti higjeno sanitar nuk ishte e mirë gjendja. Natën kishte provokime të ndryshme, provokatorë. Limoni ishte një personazh nga Varri i Bamit, kishte bërë burg, tallej me Enver Hoxhën, njihte tipat spiunë, ai i njihte edhe sigurimsat që ishin futur aty brenda. Kur i gjente Limoni i gjuante turma.

Kur një i ri po futej te kangjellat, diku pas orës 13:00, kur e pikasën policët, provuan ta tërhiqnin, iu futën hekurat në trup. Morëm vesh që vdiq rrugës për në spital. Unë e kam parë me sytë e mi artistin e cirkut që kapërceu policin. Policët na kthenin krahët ne. Në çastin kur një polic po bënte muhabet me Limonin, vjen një nga pas që ishte i cirikut, ai i cirkut i kërcen sipër policit, bën një saltro dhe hyn brenda në Ambasadën Italiane nga hekurat.

Eljan Tanini: -Sa ditë ndenjët aty brenda në ambasadë?

Andi Tepelena: -Jo më shumë  se 8 ditë, çasti më dramatik ishte kur u mblodh Byroja Poltike që mund të na nxirrnin me forcë nga ambasada. Byroja na akuzonte për krime dhe tradhëti ndaj vendit, në ditën e 5 ose të 6.

Kur përfaqësuesi i OKB erdhi atje për ne ishte shpëtim! Një ditë përpara se të niseshim, ishte finalja e futbollit mes Gjermanisë dhe Argjentinës. Shumë nga tifozat gjermanë, kishin frikë të mos bënin tifo ndaj Gjermanisë e cila e kishte mundur Italinë. Frika ishte të mos bënim shumë tifo ndaj Gjermanisë me shprehjen e habitur: “Aman mos na bëni shumë tifo ndaj gjermanit se nuk na lënë të ikim”!

Eljan Tanini: -Të kishe frikë të bëje tifozllik! Sa për informacion. Ambasada Italiane dikur, gjendej atje ku është sot Ambasada Amerikane, pasi kjo e fundit këtë e kishte tokë të sajën.

Andi Tepelena: -Pati një informacion për të nisur një revoltë brenda në ambasadë, u përgatit një letër nga disa intelektualë që ne nuk dalim nga këtu. Dalim vetëm të vdekur.

Eljan Tanini: -Ne 8 ditë aty brenda, a laheshin njerëzit?

Andi Tepelena: -Jo, fare. Nuk kishte mundësi të ndodhte kjo gjë. Aty kishte një çezmë për të larë sytë, vetëm kaq. I kemi ftuar edhe policët të hynin me ne atje brenda. Pati edhe sherre aty brenda, u rrahën të infiltiruarit. Aty ishte edhe vëllai i Josif Budos nga protesta antikomuniste e Kavajës.

Eljan Tanini: -Si e mban mend Llaskon e lotarisë së famshme?

Andi Tepelena: -Shumë person inteligjent, organizonte edhe skedinat dikur pas Pallatit të Kulturës.

Eljan Tanini: -Po motrat Belishova si i mban mend?

Andi Tepelena: -Ishin motra të bukura, mbesat e Liri Belishovës, aty e mora e vesh. Ishin gjëja më e bukur në aspektin njerëzor në atë hapësirë!

Eljan Tanini: -Kavajas interesant kishte atje brenda në ambasadë?

Andi Tepelena: -Po kishte disa, Beni sampisiti që kish dorëzuar detyrën. Pilo, ishte edhe një Besim, një me flokë të gjata, biond.

Besimi ishte futur në ambasadë për të shitur zarzavate. Ngeci atje, kish ardhur nga Kavaja. Pa njerez dhe u fut aty brenda. Rreth 18 vjeç. Donte të dilte, qante! Donte të shkonte në Luz të Kavajës. U bind, e mbajtën, e frenuan. Edhe pse shkuam në hotelin më të shrenjtë në Itali, donte të ktheheshe. U kthye në Shqipëri, më pas shkoi në Itali me anijen e famshme. Ishin personazhe të një filmi të mundshëm. Edhe Arian Kalari, skulptori ishte atje, madje edhe Fabian Kati.

Eljan Tanini: -Erdhi data 10 korrik, do të iknit. Si u bë zhvendosja?

Andi Tepelena: -Pasi na pajisën me pasaporta dhe me viza turistike, nga ora 2 e natës, erdhën autobusat për të na çuar në Durrës, autobusa transporti ku në krye rrinin përfaqësuesit e OKB me flamujt e tyre. E gjitha u bë me një shpejtësi të madhe. Në ato vite Ambasada Franceze ishte përballë Ambasadës Italiane, atje ku është sot Ambasada Amerikane. Gjithë ky karvan autobusash ndaloi në Vorë, ndaluam një orë atje. Kishte dhe plasi shumë panik. Erdhi Sigurimi nëpër autobusë.

Eljan Tanini: -Çfarë u bë me shtëpinë te 9 katëshet?

Andi Tepelena: -Pas mitingut që mbante anën e sistemit, u dha një urdhër që shtëpitë e atyre që ikën do të ziheshin. Madje ka shumë sharje kjo kohë! Kam folur me Kadarenë, dhe ai nuk e ka thënë atë frazën e “jashtëqitjeve të kombit”. Shtëpinë e mori, e zuri djali i atij që drejtonte Bashkimet Profesionale. Më pas Qeveria Meksi nxori një ligj që shtëpitë të liroheshin, ne e morëm pas shumë vitesh pas një procesi gjyqësor. Provuam me forcë ti nxirrnim, përfunduam në polici.

Eljan Tanini: -Po dokumenti yt?

Andi Tepelena: -Atë dokument ma ka nisur Kastriot Dervishi, ishin hedhur dokumenta të hedhura në cep, në një kosh. Aty në atë foto më ka kapur dielli, dukem si kurd, vesha kemishën e një shoku që të bia në sy për mirë sa për të bërë foton e ikjes.

Eljan Tanini: -Ju e ndatë rrugës se ku do të shkonit?

Andi Tepelena: -Në ambasadë na dhanë disa formularë, shumica donin të shkonin në Amerikë. Llasko, ishte ai që na frymëzoi për të shkuar në Australi, sipas tij do të merrnim toka, sipas tij do të bëheshim latifondistë etj… Në Portin e Durrësit arritëm vonë, ushtarët rrinin me shpinë nga ne. U rrëzua një person në moshë, ishte shumë i madh në moshë, ishte prift, nja 80 vjeç mos më shumë, turma e mori përpara, e ndihmoi një person nga OKB. I ndamë dilemat mes Gjermanisë dhe Italisë, ne vendosëm të qëndronim në Itali për shumë arsye. Na çuan në Sardenjë, kemi qëndruar atje për 8 muaj. Na kishin dhënë rreth 1 milion e 200 mijë lireta. Ne  i kishim të paguara të gjitha ushqim dhe fjetje. Më tha një shqiptar që paratë i kanë harxhuar pak më poshtë te një shtëpi publike! Më pas na lanë të gjenim vetë rrugën. Qeveria e Andreotit na dha abone të lëviznim nëpër Itali për 2 muaj falas. Prindërit i lamë në Sardenjë, ndërsa unë me tim vëlla morëm rrugën e flinim nëpër trena që ishte mbushur me shqiptarë. Nuk kisha para të flija nëpër hotele, më ndihmoi një Italian ku të dy ishim fansa të De André. Kam futur para në firmat piramidale, aty humbëm shumë.

Eljan Tanini: -Shpresa vazhdon sipas teje?

Andi Tepelena: -Shqiptarët ikin gati çdo ditë sot, nuk duhet të ikim më kështu, na ndjek një mallkim me aq sa duket. Dua ti rris fëmijët e mi këtu!

Continue Reading

DOSSIER

The Guardian: Futbolli në Shqipërinë staliniste! 90 minutat e vetme kur njerëzit mund të ishin vetvetja

Phil Harrison – The Guardian

Futbolli në Shqipëri është një fiksim kombëtar. Megjithatë, midis fundit të viteve 1960 dhe vdekjes së ngadaltë e të zgjatur të stalinizmit në 1991, ai u bë më shumë se një fiksim i thjeshtë. Në një vend ku rishkrimi i kushtetutës në vitin 1967 u mohoi njerëzve lirinë e besimit, futbolli u bë feja e re, me pelegrinët nga Gjirokastra në Shkodër, Lezha në Sarandë, që mbushnin stadiumet çdo të dielë pasdite në adhurim të “perëndive” të tyre të reja.

Në ato momente të kaosit të urdhëruar, shqiptarët u shfaqën të lirë nga sprovat dhe padrejtësitë e jetëve të tyre të varura, të mbytura nga regjimi, duke transportuar nëpërmjet futbollit dhe përvojës së përbashkët njerëzore, në një fushë më të lartë, atë të gjelbërt; një pamje harmonie dhe lirie.

Për tifozin e mirënjohur të futbollit që jeton në Tiranë, përgatitjet për ditën e ndeshjes nisnin pasditen e së mërkurës.

Në orën 17:00, nga e hëna në të shtunë, sheshi Skënderbej zhytej në një valë trafiku njerëzor, ndërsa punëtorët e Shqipërisë u larguan nga puna e qytetit si funksionarë të regjimit, duke bërë shëtitjet e tyre të shkurtra, ose xhirot me biçikleta nëpër bulevardet e brendshme me pemë në Tiranë, në apartamentet e tyre parafabrikate të ndërtuara nga sovjetikët në periferi të qytetit.

Në atë kohë nuk kishte makina, përveç turbullirës së automjeteve shtetërore me dritare të zeza që dërgonin personalitete në zyrat e tyre të Partisë, ose ulërima e papërmbajtura të kamionëve GAZ-69 në “vrapimet” e tyre të përditshme të municioneve. Autobusët ishin të paktë, taksitë inekzistente.

E mërkura, çdo dy javë, ishte ditë pagese. Pas marrjes së shpërblimit për orët e investuara në kryerjen e roleve të tyre të vogla në realizimin e ëndrrës socialiste të Enver Hoxhës, punëtorët e Shqipërisë, siç është ritual në të gjitha shoqëritë, do të shpenzonin.

Rrugët për shprehjen e vetë-kënaqësisë ishin të kufizuara; një paketë cigare, një revistë e zgjedhur ndoshta, por për sportdashësit e zjarrtë në qytetin më të madh të Shqipërisë, dita e pagesës zakonisht paraprihej nga një vizitë në kioskën e Gimit, pak larg nga sheshi ‘Skënderbej’, nën hijen e Ushtarit të Panjohur.

Gimi, një partizan nga ditët e revolucionit, drejtonte një kioskë metalike vertikale të zgjatur, afërsisht sa një kabinë standarde telefonike. E ngulitur me fjalët ‘Gazeta Revista’, kioska shiste gazetën kombëtare “Zëri i Popullit” dhe revista rekreative, por për sportdashësit në dijeni ajo shërbeu edhe si bileta e miratuar nga qeveria për Federatën Shqiptare të Futbollit.

Futbolli u bë një çlirim social thelbësor për meshkujt shqiptarë, veçanërisht, dhe stadiumet, pa përjashtim ishin plot, me shumicën e tifozëve që merrnin biletat nga Gimi ditë më parë. Ishte e zakonshme që një mbështetës të bllokonte blerjen, zakonisht pesë bileta në të njëjtën kohë: tre për blerësin plus miqtë, përgjithësisht me shtimin e një komisioni prej pesë lekësh. Një çmim i lirë, ndonëse ishte ndër të pakta gjëra në Shqipërinë staliniste. Thjesht duhej të siguroheshe që të mos të kapnin në stadium, ku bashkë me tifozllëkun të flisje diçka më tepër si shfryrje.

Biletat ishin përgjithësisht të disponueshme për tre seksionet e stadiumit: prapa portës dhe një tribunë karshi, ndërkohë, Tribuna, që quhej një zonë e mbuluar, ishte e rezervuar ekskluzivisht për ushtrinë, policinë dhe anëtarët e Partisë.

Tribunat me stola druri të zëna nga proletariati quheshin njëzet, 20-tshe pasi biletat kushtonin 20 lekë. Në njëzetshet, rreshtat dhe numrat e karrigeve nuk përfilleshin, përleshja para ndeshjes për ulëset më të mira, një akt javor i supozuar anarkie. Në rrethinat e regjimentuara të Shqipërisë staliniste, me të gjitha rregullat dhe kufizimet e saj, askush nuk e pranoi konceptin e radhës.

Arben Minga fiton një goditje me kokë për 17 Nëntorin (Tirana) në një ndeshje kundër Tomorit në stadiumin ‘Qemal Stafa’ në vitet 1980.

Vendi i vetëm që i viheshin re numrat e vendeve ishte në Tribuna. Nga njëzetshet, punëtorët mund të shikonin të pranishmit në Tribuna: ambasadorë të virtytshëm, të nderuar të Partisë, të veshur me palltot e tyre të mira dhe këpucët italiane, të mbrojtur nga elementët natyrorë nga mbulesa e sipërme.

Për ata që ishin mjaft të pakujdesshëm për të mos blerë bileta para ndeshjes, pasonte një përleshje e detyrueshme të dielën për çfarë kishte mbetur të disponueshëm nëpërmjet kapakut të vogël në kioskën e Gimit.

Skenat i ngjanin orëve të hapjes në bursën e Nju Jorkut. Në Shqipërinë staliniste, ku mosmarrëveshjet publike thuajse mungonin, zënkat ndodhnin rregullisht në shesh, pasi mbi 1000 tifozë patën privilegjin javor për të parë heronjtë e tyre të futbollit në veprim.

Ndodhnin edhe arrestimet, Sigurimi (policia sekrete shqiptare) zgjodhi të mbyllte një sy ndaj akteve të sjelljes së këqija të turmës jo-ideologjikisht të motivuar.

Ata që dështuan në kërkimin e biletave të ditës së ndeshjes do të duhej të provonin fatin tek shitësit e tjerë të Tiranës: vrima të vogla në mur, poshtë shkallëve në Stadiumi Dinamo ose Stadiumi Qemal Stafa.

Erdhi e diela, Tirana u gjallërua; një zhurmë e dukshme e emocioneve kolektive që përfshin qytetin. Tifozët mblidheshin në sheshin ‘Skënderbej’ disa orë para fillimit të ndeshjes në orën 15:00 për të pirë cigare dhe për të diskutuar mbi rezultatin e ndeshjes së ditës.

Por, si dukeshin lojërat gjatë këtyre kohërave të errëta e të zhdrejta? Miku im Irvin më tha: “Megjithëse fushat ishin në gjendje të mjerueshme, futbolli ishte i bukur, shumë konkurrues, plot cilësi, inteligjencë dhe aftësi. Dhe atmosfera ishte gjithmonë e mahnitshme; ne praktikisht jetuam për fundjavën. Ishin të vetmet 90 minuta të javës që njerëzit mund të ishin vetvetja; harrojnë jetën dhe gjithçka tjetër dhe bërtasin e këndojnë.”

Gëzimi, megjithatë, ishte gjithmonë i matur, pasi një koment i gabuar dhe i kundërt me sistemin, mund të kishte pasoja të tmerrshme.

“Nëse do të bënit një vërejtje negative për qeverinë, një spiun në turmë do të thërriste një agjent të Sigurimit i cili do të ndërhynte,” tha Irvin.

Golat u festuan në mënyrë euforike.

“Kafenetë dhe baret në ‘rrugën e Elbasanit’ dhuronin disa letra, ose tifozët prisnin gazetat në copëza të vogla për t’i hedhur kur skuadra e tyre shënonte. Por forma më imagjinative e festës ishin pëllumbat. Çdo familje në Shqipëri vazhdon të garojë me pëllumba edhe sot e kësaj dite dhe shumë tifozë do t’i lidhin shirita me ngjyrat e ekipit në këmbë pëllumbave dhe do t’i lëshonin në stadium. Ata do të të prisnin në kafazin e tyre të pëllumbave kur të mbërrije në shtëpi.”

Tifozët do t’i ndjenin ngjarjet në terrenet anembanë vendit duke marrë radiot e tranzistorit të prodhuar në Shqipëri, sa një tullë shtëpie, përthithës valësh primitive me antena të gjata që u montoheshin nëpër tarraca e çati jashtë si shpata duelesh. Në arkivat e videove të epokës, ju mund të shihni dukshëm një legjion thumbash të drejta që shkëlqejnë në diellin e mesditës.

Pak shqiptarë dinin për futboll jashtë kufijve të mbyllur hermetikisht të vendit. Kanë ekzistuar disa njohuri të pëshpëritura për futbollin jugosllav dhe italian, antena të bëra vetë nga konservat e sardeleve apo kanaçet me shkëlqim këpucësh që ofronin njohuri për një botë përtej bunkerëve dhe telave me gjemba. Dita e ndeshjes në Shqipëri rrëmbeu shpirtin e fshehur të një populli që ishte mësuar të bënte atë që i thuhej. Fëmijë të një republike, të cilët, një herë në javë, lejoheshin të dilnin për të luajtur, për të qenë një version i vërtetë i vetvetes. Dhe kjo ndodhte çdo të diel

 

Continue Reading
Advertisement

TRENDING