Connect with us

Aktualitet

Korrupsion me rrugën Kardhiq-Delvinë, SPAK merr të pandehur Elona Gogon

Elona Gogo, motra e drejtoreshës së Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Dallëndyshe Bici, është marrë e pandehur për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera.

Akuza i është komunikuar dy ditë më parë nga Prokuroria e Posaçme, e cila në finale të një hetimi 3 vjeçar zbuloi shkelje të kryera në tenderin e rrugës Kardhiq-Delvinë. Sipas SPAK Elona Gogo, ish-kryetare e komisionit të vlerësimit të ofertave, në kundërshtim me ligjin skualifikoi nga gara kompaninë Gjoka, duke favorizuar atë fituese.

Burimet konfirmuan se Gogo, e cila ka mbajtur pozicione të ndryshme ne administratën publike dhe institucione të rëndësishme shtetërore, u paraqit në institucionin e akuzës dy ditë më parë e shoqëruar nga avokati i saj Sokol Hazizaj. Pasi është njohur me aktet, ka deklaruar se brenda afatit 10 ditor do të paraqesë argumentet e saj kundër akuzës.

 

 

Për të njëjtin tender, pritet t’i komunikohet akuzë edhe ish-drejtoreshës së autoritetit Rrugor Shqiptar Sonila Qato. Ish-zyrtarja ishte ftuar nga SPAK për t’u njohur me rezultatet e hetimit me datë 20 tetor, por nuk u paraqit, për arsye shëndetësore. Burimet thanë se ish-zyrtares pritet t’i dërgohet një fletëthirrje e re nga ana e prokurorisë.

Hetimi për abuzime me tenderin e rrugës Kardhiq-Delvinë nisi pas kallëzimit të kompanisë Gjoka, e cila merrte pjesë në tender për ndërtimit e njërit prej lotëve. Kompania në fjalë kishte paraqitur mes të tjerash edhe një dokument, përmes të cilit kishte ndërtuar 70 për qind të tunelit në rrugën e Arbrit, rrugë që po e ndërton me koncesion. Atëkohë drejtoresha e Autoritetit rrugor ngriti një grup pune për të verifikuar volumet e punimeve në tunel e duke vlerësuar se dokumenti i paraqitur nga Gjoka përmbante të dhëna jo të sakta u vendos skualifikimi i kompanisë nga tenderi i Kardhiq-Delvinës.

Për shkak të përplasjes së fortë më kompaninë në fjalë, Sonila Qato dha dorëheqjen. Ajo u pyet pak ditë më parë në prokurorinë e posaçme ku dha shpjegimet e saj për çështjen.

Advertisement