Connect with us

Aktualitet

Grupet kriminale/ Gazetari: Qytetarët kanë frikë të flasin

Mbrëmjen e sotme emisioni “Në Shënjestër” u ndal në vrasjet e fundit që tronditën qytetin e Shkodrës, ekzekutimi i Ismet Çekorjas dhe i Erjon Xhenjes.

Të ftuar në studio, ishin gazetari Eni Ferhati dhe avokati Dritan Jahja, të cilët folën për krimet e Shkodrës dhe se ku çedon policia që zbulimin e autorëve dhe grupeve kriminale dhe parandalimin e aktiviteteve të tyre.

“Goditja e një grupi kriminal presupozohet që përveç goditjes së autorëve, të ndërpresë dhe aktivitetin kriminal të grupit. Janë ngjarje që janë një alarm për organet që sinjalizojnë që mund të kemi ngjarje të tjera dhe prekje të personazhe shumë më të mëdhenj. Me kalimin e viteve edhe personazhet që mund të kenë pasur role dytësore në hierarkinë e grupeve kriminale, fuqizohen nga ana ekonomike. Për shembull Alban Bruçi ruhej në lëvizjet që bënte, madje edhe deri në ngujim, dhe sapo lëvizi, persona që ai kishte konflikt, aty për aty e organizuan një atentat”, tha Ferhati.

Por çfarë nuk shkon me policinë dhe prokurorinë që nuk arrijnë të arrestojnë këta personazhe të krimit dhe parandalimin e vrasjeve të grupeve në konflikt?

 

 

“Janë të gërshetuar shumë elementë që çojnë në dështim të arrestimeve të emrave konkretë, që janë si të dyshuar. E para ka të bëjë me një plan të detajuar të policisë dhe prokurorisë, pra nëse do ketë një plan për të survejuar, nuk duhet që thjeshtë të pres rastin kur ndodh por të vejë në zbatim planin për një periudhë të gjatë kohore. Sepse për hetime një apo tre mujore, nuk do ketë rezultat, kjo kërkon dhe investim. Nëse do ketë një strukturim, një grup i caktuar, atëherë dhe informacioni do jetë më i mbyllur dhe nuk mund të shpërndahet. Pra nuk ka një plan organizativ për të goditur një grup të mundshëm kriminal dhe të rrezikshëm. Është e gabuar të dalësh direkt me një emër konkret pas një ngjarjeje, duhet të pritet, të mbahet në vëzhgim një person, dhe më pas mblidhen edhe provat”, tha avokati

Ndërkohë, gazetari tha se arsyeja se përse qytetarët shkodranë duken të stepur për të folur për këto ngjarje apo për të dhënë informacion, është se kanë frikë.

“ Gjatë këtij viti janë tre sulme me lëndë plasëse në banesa apo automjete të punonjësve të policisë së Shkodrës, shenja të qarta se në rast se ti në Shkodër del apo jep informacione kundër një individi që mund të jetë pjesë e një grupi, t’i mund të jesh tagër për t’u sulmuar. Ndaj dhe qytetarët nuk flasin, sepse kur preken strukturat e policisë, çfarë mund të presësh për qytetarët e thjeshtë. Policia i ka të zbardhuara ngjarjet e fundit në Shkodër, dhe autori sot apo nesër do të ndalohet e kështu me radhë”, tha ai.

Advertisement