Kosova
Përplasja Serbi-Kosovë dhe lufta e re në Ballkan
Gjatë një reagimi për “Newsweek”, ambasadorët e Serbisë dhe Kosovës kanë paralajmëruar se një rigjallërim i grindjes së tyre dhjetëvjeçare, të nxitur nga ndarjet etnike dhe territoriale rrezikon të prodhojë një krize të re në një kontinent tashmë të ndikuar shumë nga lufta e Rusisë në Ukrainë.
Fërkimet midis 2 vendeve i kanë rrënjët në shpërbërjen e trazuar të Jugosllavisë, një federatë multietnike socialiste në Europën Juglindore, e cila u shemb në vitet 1990 në shtetet pasardhëse të Bosnje Hercegovinës, Kroacisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Sllovenisë.
Ndërsa gati gjysma e botës, nuk e konsideron Kosovën si subjekt politik të ndarë nga Serbia.
Një paqe e brishtë është ruajtur falë një sërë marrëveshjesh ndërkombëtare, por asnjëra prej tyre nuk ka arritur që t’i sheshojë këto armiqësi që e mundojnë ende qendrën e Ballkanit.
Kosova ka një shumicë të konsiderueshme të shqiptarëve etnike, por atje jetojnë edhe komunitetet e pakicave, duke përfshirë boshnjakët dhe serbët. Për këta të fundit, zyrtarët serbë në Beograd pretendojnë se janë në shënjestër të autoriteteve kosovare dhe viktima të praktikave diskriminuese.
Në një nga incidentet e fundit, shkarkimi muajin e kaluar i një oficeri të policisë serbe të Kosovës për shkak të refuzimit të tij për të ndërruar targat e tij të vjetra serbe me targat e Kosovës, solli një dorëheqje masive në mesin e oficerëve dhe ligjvënësve serbo-kosovarë.
Trazirat u përshkallëzuan këtë muaj me arrestimin e një polici tjetër serb të Kosovës, i akuzuar nga autoritetet e Kosovës për terrorizëm, teksa ka pasur raportime për përleshje me armë midis serbëve dhe policisë së Kosovës, si dhe sulme ndaj personelit të Bashkimit Europian.
Për shkak të këtyre trazirave, Serbia ka paralajmëruar hapur dërgimin e trupave në Kosovë.
“Beogradi ka qenë dhe do të jetë gjithmonë pjesëmarrës konstruktiv në dialog, duke mbrojtur paqen, stabilitetin dhe kompromisin. Por Prishtina, kryen vazhdimisht akte provokative dhe të njëanshme në kundërshtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Marrëveshjen e Brukselit të lehtësuar nga BE-ja. Masat e fundit paraqesin një kërcënim ekzistencial të sigurisë për popullatën serbe dhe të drejtat e tyre, duke rrezikuar kështu paqen dhe e rritur më tej mosbesimin ndëretnik”- tha për “Newsweek” ambasadori serb në SHBA, Marko Gjuriç.
“Prandaj, ne kërkojmë lirimin e të gjithë serbëve të arrestuar dhe po përpiqemi të gjejmë mënyra për të depërshkallëzuar situatën, dhe për të zbutur tensionet në veri të Kosovës. Fatkeqësisht, 2022-shi është një vit rekord për nga numri i incidenteve të motivuara etnikisht, ndalimeve të paligjshme dhe të pabaza, sulmeve ndaj serbëve, pronës së tyre dhe trashëgimisë fetare, historike dhe kulturore serbe”-shtoi ai.
Ndërkohë duke folur nga ambasada e Kosovës në Uashington, që ndodhet më pak se 3 km larg homologes serbe, ambasadori Ilir Dugolli argumentoi se “ajo që po shohim është e fundit në listën e gjatë të përpjekjeve të Serbisë për të destabilizuar Kosovën”.
“Regjimi autokratik në Beograd, është i angazhuar në përpjekje të vazhdueshme për të shkaktuar trazira. Dhe ata po e bëjnë këtë jo vetëm në Kosovë, por edhe në vende të tjera si Mali i Zi dhe Bosnje Hercegovinë”- u shpreh Dugolli për “Newsweek”.
Dugolli theksoi se “motivimi kryesor për këto përpjekje” mund të gjendet në ndikimin e vazhdueshëm të ish-udhëheqësit serb dhe jugosllav Sllobodan Millosheviç, i cili i rezistoi shpërbërjes së Jugosllavisë dhe i mbështeti revoltat nacionaliste serbe në të gjithë Ballkanin në mesin e luftërave të përgjakshme që nxitën ndërhyrjen e drejtpërdrejtë e NATO-s. Millosheviç u rrëzua nga pushteti në vitin 2000, dhe u transferua në Hagë për t’u përballur me akuzat për krime lufte, por vdiq në qelinë e tij në 2006.
Ambasadori i Kosovës i mbrojti edhe veprimet e fundit të zbatimit të ligjit në veri të vendit, duke thënë se “arrestimi i një ish-polici, që dyshohet se ka kryer një sulm terrorist kundër objekteve të Komisionit Komunal të Zgjedhjeve, është vetëm një pretekst për këto sulme” të organizuara nga Serbia.
“Beogradi është qartazi i interesuar të sabotojë marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve, në qendër të së cilës duhet të jenë njohjet e ndërsjella ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, diçka që e kanë bërë të qartë një sërë liderësh dhe institucionesh, nga presidenti amerikan Xho Bajden deri tek Parlamenti Europian. Për më tepër, është e rëndësishme të theksohet se kjo është një taktikë e palës serbe për të vendosur barriera shtesë për integrimin e Kosovës në Bashkimin Europian”- shtoi diplomati kosovar.
BE-ja e ka konsideruar Kosovën një kandidate të mundshme për anëtarësim dhe Prishtina ka aplikuar zyrtarisht për anëtarësim të enjten e shkuar, nën sfondin e përkeqësimit të tensioneve me Beogradin. “Ndjenja e rreme e urgjencës e krijuar përmes dezinformimit dhe manipulimit të mediave, formon një perceptim të rremë të tensioneve etnike, sikur Kosova po i vë në rrezik qytetarët e saj etnikë serbë. Megjithatë, kjo narrativë nuk ka asnjë bazë në realitet dhe është vetëm një mjet për të fituar simpatinë nga komuniteti ndërkombëtar.
Në realitet, Beogradi është siguruar të kërcënojë dhe të mos e lejojë lidershipin lokal serb në Kosovë që largohet nga politika e presidentit Vuçiç. Në anën tjetër, nuk ka raste të dokumentuara të shkeljes sistematike të të drejtave të serbëve të Kosovës nga qeveria e Kosovës”- thotë Dugolli.
Mosmarrëveshja e vazhdueshme Kosovë-Serbi, zhvillohet në sfondin e rivaliteteve më të gjera gjeopolitike, të cilat kanë pasur prej kohësh një ndikim shumë të madh në Ballkan. Ndërsa Kosova ka hedhur hapa seriozë për të ndërtuar marrëdhënie me Perëndimin dhe aleatët e saj, Serbia ka mbajtur lidhje të ngushta me Rusinë, së bashku me vende të tjera shpesh kritike ndaj politikave perëndimore.
“Mos harroni se përmes përshkallëzimeve dhe tensioneve, Serbia synon vazhdimisht të shpërqendrojë vëmendjen nga aktivitetet e saj në fusha të tjera, qoftë ky refuzimi për të harmonizuar politikën e jashtme me BE-në dhe SHBA-në lidhur me sanksionet kundër Rusisë, apo zgjerimin e bashkëpunimit me Iranin, Venezuelën dhe regjime të tjera të ngjashme”- shprehet ambasador i Kosovës në SHBA.
Moska ka shprehur vazhdimisht mbështetje për pozicionin e Beogradit. Ambasadorin rus në Serbi, Aleksandër Botshan-Karçenk deklaroi se fundmi:Ne qëndrojmë së bashku me miqtë tanë serbë. Një retorikë e tillë ka ngritur shqetësime në Kosovë, pasi Serbia kërcënoi se mund të vendosë njësi ushtarake në atë që ajo e konsideron si krahinën e saj, diçka për të cilën Dugolli tha se do t’i rezistohej me të gjitha mjetet.
“Në territorin e Republikës së Kosovës nuk do të ketë më policë dhe ushtarë nga Serbia, dhe ëndrra hegjemoniste e Serbisë nuk do të realizohet kurrë. Kjo nuk do të thotë se deklaratat dhe veprimet e Serbisë nuk duhet të alarmojnë të gjithë ata që kujdesen për paqen dhe stabilitetin në Ballkan. Kërcënimet e Serbisë nëpërmjet forcave të armatosura duhet t’i zemërojnë të gjithë”- theksoi ai.