Connect with us

Aktualitet

Serbët po kalkulojnë, shqiptarët e marrin shtruar/ Shkrim nga Ben Andoni | Editorial NTV.AL

Shumë autoritete të huaja dhe shqiptare dikur iu shmangën propozimit të shkëmbimit të territoreve pasi sipas tyre mund të kishte efekt domino për hapësira të tjera. Një varg njerëzish iu turrën Hashim Thaçit dhe atyre pak që e mbështetën publikisht.

Edhe Kryeministri Rama nuk mbeti pa u anatemuar. “Shërbëtor i Vuçiçit” – ishte përcaktimi më i paktë për Kryeministrin shqiptar. Pas në atë histori qëndronin intelektualët serbë që parashikonin të ardhmen e errët. Individë dhe qarqe, duke përdorur autoritetin e Akademisë së tyre të Shkencave, Shoqata Shkrimtarësh të Serbisë etj., propozonin ndarjen e Kosovës. Përplasja me këtë koncept në Serbi s’do ishte e lehtë. Veçse, koha u dha deridiku të drejtë, pasi largimi i forcave ushtarake dhe detyrimet e Serbisë nga marrëveshja e Kumanovës e nxori sërish nga sirtarët e pluhurosur propozimin e kundërshtuar.

Pesë vjet më vonë, tollovia e vitit 2004 në Kosovë ishte një përpjekje e qarqeve të ndryshme Kosovë-Serbi për të treguar se duhej kërkuar një realitet ndryshe. Pse jo edhe ndarja. Edhe pse në ato ditë të errëta u vranë më shumë shqiptarë, Serbia e përdori në stilin e zakonshëm se popullata serbe gjendej në një rrezik potencial mbijetese. Se çfarë rrodhi më vonë dihej: Perëndimi e harroi “pakëz” gjenocidin mbi Kosovën dhe filloi të punonte ‘për të drejtat e komunitetit serb, tashmë të rrezikuara’. Edhe pse një pjesë e njerëzve sot e anatemojnë planin që duket i përshtatshëm për serbët, koha po na tregon se ky plan është një zgjidhje e konsiderueshme.

Nga shumë më tepër burime besohet se viti 2023 do të ndaj shumë gjëra për debatin Kosovë-Serbi. Kështu, njohësi i çështjeve të Ballkanit dhe Hulumtuesi në Universitetin e Kembrixhit, Timothy Less pohon se: “Qeveria në Prishtinë mund të konkludojë se dhënia e autonomisë serbëve është një çmim që ia vlen të paguhet për t’i mundësuar asaj të nis ofertën për anëtarësim në BE”. A preket Kosova? Duket se preket bajagi shumë. E para largohet një pjesë, që për hir të së vërtetës, ajo nuk ka ndonjë autoritet, por ndërkohë, Presheva mbetet në territorin serb.

Dhe, më shumë akoma: nëse kjo ndodh me Veriun dhe nga ana tjetër pjesës tjetër të komunave i mundësohet Asosiacioni, që palës shqiptare po i bëhet aq presion sot nga SHBA-ja deri në Bruksel, atëherë Kosova duket se e humbet edhe Preshevën e Bujanovcin. “Të dyja qeveritë duhet të jenë në gjendje të tregojnë gatishmëri për kompromis”, tha edhe Derek Chollet, këshilltari i Departamentit Amerikan të Shtetit në intervistën e tij të fundit. Chollet që i vizitoi vetë Prishtinën e Beogradin pas ditë më parë, pohoi se nga takimet që ka pasur në dy kryeqytetet “mendojmë se këto kompromise janë të mundshme”. Edhe këtu e kemi një ngërç, kur mendon se Beogradi e ka marrë seriozisht dhe po flet për privacione dhe vendime të vështira përpara vetes, në Prishtinë duket se e kanë marrë më shtruar.

Këtu të vinë ndërmend fjalët e ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi pak vite më parë kur shkroi se: vullneti i shprehur i qytetarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës më 1 dhe 2 mars 1992 për bashkëngjitje me Kosovën është institucionalizuar tek organet shtetërore të Republikës së Kosovës. “Kjo çështje do të diskutohet në kuadër të demarkimit të kufirit prej 430 kilometrave ndërmjet Kosovës e Serbisë dhe mund të zgjidhet.

Të mos mbesim rob të dhuratave të antishqiptarit famëkeq Aleksandër Rankoviç, por të punojmë për korrigjimin e historisë dhe rritjen e sigurisë për të ardhmen evropiane. Rezultate të marrëveshjes eventuale paqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të jenë njohja reciproke me Serbinë, njohja nga pesë vendet e Bashkimit Evropian, anëtarësimi në Këshillin e Evropës, anëtarësimi në OSBE dhe heqja e vetos ruse në Këshillin e Sigurimit, si parakusht për anëtarësimin e Kosovës edhe në OKB”, ka shkruar ai.

A do përfitojmë ne shqiptarët nga kjo situatë apo do humbim?! Duket se ndërsa serbët e Beogradit po ecin me ritëm të lartë për t’u ballafaquar me realitetin, pala shqiptare vazhdon me miq-armiqtë. Jemi para të panjohurës së pakëndshme apo një realiteti të pashmangshëm. Serbët kalkulojnë, ne po i falemi besimit…

Advertisement