Connect with us

Aktualitet

SPECIALE/ Transparency International: Korrupsioni në Shqipëri vazhdon lirshëm

Korrupsioni në Shqipëri ka mbetur në vendnumëro. Kështu tregonin qartazi të dhënat e Transparency international, për indeksin e perceptimit të korrupsionit në nivel global. Nga 13 burime të dhënash, pikët e CPI-së mund të luhaten lehtë nga viti në vit, si pasojë e ndryshimeve të vogla të këtyre burimeve, të cilat nuk konsiderohen satistikisht të rëndësishme. Rezultati i Shqipërisë ka mbetur në stanjacion që nga viti 2018, duke shënuar 35 ose 36 pikë, prandaj Transparency International, nuk e konsideron këtë një përmirësim të dukshme. Ky rezultat mbetet poshtë mesatares botërore të 43 pikëve, madje edhe nën rezultatin minimal të një shteti anëtar të Bashkimit Europian, minimum i cili është në kuotën e 42 pikëve. Kjo tregon që duhet bërë një punë domethënëse në luftën kundër korrupsionit. Indeksi i Perpectimit të Korrupsionit për Shqipërinë ka shënuar rezultatet më të larta në vitin 2016-2017, kur vendi pati përmirësime domethënëse në demokraci dhe mbështetjen në zbatimin e ligjit. Megjithatë, që nga ajo kohë vërehet stanjacion. Shqipëria ka përparuar përsa i përket reformës në gjyqësor (vettingut) dhe forcimit të Strukturës së Specializuar Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), por këto arritje janë lënë në hije nga kufizimi i hapësirës qytetare. Transparency International, thotë se qeveria ka forcuar kontrollet mbi median, përfshirë fushata baltosjeje dhe intimidimi, dhe ka bllokuar të dhënat publike dhe llogaridhënien mbi vendimmarrjet, duke u lejuar institucioneve publike që të krijojnë baza të reja ligjore për refuzimin e ndarjes së informacionit. Edhe pse Shqipëria është angazhuar për të luftuar korrupsionin në sektorin publik në kuadër të reformave për anëtarësimin në BE, vendi nuk ka bërë sa duhet dhe prej shumë vitesh ka mbetur në stanjacion. Rezultatet e studimit përputhen me vlerësimin e Bashkimit Europian në Shqipëri dhe sipas Transparency International, korrupsioni mbetet një shqetësim serioz. Procesi i vettingut po merr kohë por ka pasur rezultate pozitive, thotë kjo organizatë. Në fakt, përqindja e lartë e përjashtimeve ose dorëzimi i mandateve nga ana e gjyqtarëve dhe prokurorëve është tregues se ky proces po vërteton nivelet e larta të korrupsionit në gjyqësor. Me bërjen sërish funksionale të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë si dhe forcimin e kapaciteteve të SPAK, situata po përmirësohet gradualisht. Sidoqoftë, procesi i vettingut nuk mund të jetë e vetmja politikë për të luftuar korrupsionin në drejtësi. Institucionet e tjera përgjegjëse për zvogëlimin e konfliktit të interesit, deklarimit të pasurisë ose transaksioneve të dyshimta, duhet të luajnë një rol shumë të madh. Shqipëria mund të ketë sukses vetëm nëse mundet të krijojë një sistem funksional kontrolli dhe ekuilibrash dhe të ndërrojë kulturën e ndëshkimit të korrupsionit, sidomos kur vjen fjala tek zyrtarët e niveleve të larta, theksojnë përfaqësues të lartë të Transparency International. Shqipëria, e krahasuar me vendetr që konsiderohen të suksesshme në kontrollin e korrupsionit në sektorin publik, duket qartë se duhet të përmirësojë rezultatet e saj në të gjitha fushat. Kjo do të thotë se nëse reformat përqëndrohen vetëm në disa fusha atëherë nuk ka një përmirësim të qendrueshëm dhe reformat anti-korrupsion duhet të shoqërohen nga reformat demokratike. Vendi ka nevojë për mekanizma frytdhënës me qëllim mbajtjen nën kontroll të ndikimit aktual tepër të tepruar të ekzekutivit dhe duhet të mbështesë hapësirën qytetare, në mëyrë që organizatat e shoqërisë civile dhe media mund të veprojnë pa qenë nën presion ose të frikësuar. Zyrtarët publikë duhet ta kuptojnë se suksesi kundër korrupsionit do të jetë i kufizuar deri kur ata të lejojnë që vendimet që marrin të jenë të hapura për publikun, shton më tej Transparency International. Performanca e Shqipërisë është dobësuar veçanërisht kur flitet për rreziqe politike, përfshirë patronazhimin dhe nepotizmin, shkëmbimin e ndereve, vendet e përcaktuara të punës, mbajtjen sekret të financimit të partive publike dhe lidhje të ngushta e të dyshimta mes biznesmenëve dhe politikanëve. Performanca e demokracisë në Shqipëri ka qenë në stanjacion në pjesën dërrmuese.

Advertisement