Connect with us

Shkrime

Artan Fuga: Nuk na duhet një Kuvend me më shumë se 50 deputetë

Kriza e tanishme e Kuvendit të Shqipërisë që tregon degradimin e tij të plotë si institucion të bën të mendosh: Përse ky lloj parazitizmi? Përse të paguajmë një institucion të fryrë kur ai e bën shkel e shko punën e tij, me ligje për ibret nga ana juridike, krejt i shkëputur nga elektorati, me shpenzime kolosale që kanë krijuar një kastë shumë herë më të pasur se qytetari mesatar, ku pra hyzmeqari, deputeti, është më i pasur se padroni i tij, pra se qytetari!
Gjithçka e kthyer me kokë mbrapsht.
Përse të paguajmë një institucion që në vend të na zgjidhë probleme, na krijon probleme?
Prej vitesh deputetët nuk dihet se të kujt kanë qenë, ca të ligjshëm, ca nga listat, kur deputetët e opozitës janë bërë kashtë e koqe, kurse mazhoranca i ka si grup celiku rreth kryeministrit, ndërkohë që ky i fundit deklaroi dje se nuk shkon më në Kuvend!!!
Pse? Sepse opozita nuk paska etikë!!! Po pse ai e zgjedh opozitën??? Mos duhet ta presin me hymnin kombëtar? T’i bëjnë reveranca, t’i shtrojnë qilimin e kuq dhe t’i dejtohen si Mbretit : Madhëri, nëse më lejoni desha të them vetëm dy fjalë për të thurrur lavde fjalës Tuaj sublime!!!
Dhe në këto kushte kur si qytetarë po shohim atje dramën dhe komedinë, tragjizmin shekullor të shtetit të vogël shqiptar, kur jemi bërë për turp në sytë botës, dhe nuk ka defter që quhet gazetë me nder, që e fshin dot këtë turp ngjitës, pyetja që lind është:
Pse na duhen më shumë se 50 deputetë?
Kam bindjen se nuk na duhen.
E para sepse krahasuar me numrin e popullsisë aq kanë përpjestimisht edhe demokracitë e mëdha. Me nja njëmilion e gjysëm votues realë, 140 deputetë, i bie që të kemi një deputet për 1000 banorë. Lluks i madh për ne si popull që varfëria na ka lënë me tuta dhe vetëm me brrekë! Pa sytjena!
E dyta sepse me 50 deputetë, secili prej tyre do të kishte pra një masë më të madhe, tre herë më të madhe se tani, zgjedhësish, pra do të kishte nje sitë më të fortë për të zgjedhur atë që duhet, dhe deputeti do të kishte më shumë legjitimitet.
E treta sepse ka zona ku në lista ka popullsi, por realisht janë të zbrazura, dhe kanë ngel pranë ndonjë sobe të vjetër pesë plakapleq që deputeti u mjel votat dhe u thotë: çiaooo bambini! Cfarë turpi!!!
E katërta, nga disa llogari të miat do të kurseheshin rreth 700 milonë lekë të reja minimumi në vit, me të cilat mund të rriteshin pensionet e pensionistëve që nuk kanë bukë të hanë dhe brrekë të veshin!
Deputetët kanë rroga, privilegje, dhe shijnë në lëmë me paratë e qytetarit të varfër, dhe as pjerdhin për të! (Ndjesë për fjalorin, por është shumë më i mirë se ai që dëgjojmë në seancat e Kuvendit).
E pesta, sepsee dhe tani në fakt, realisht, vetëm nja 10 deputetë janë aktivë, kurse ca të tjerë, ndonjëri tani në fund madje kujton se është edhe specialist për hedhjen e satelitëve, për akademinë e shkencave, për lloj lloj aventurash që nuk i kanë hije! (Por me këtë do të merrem veçanërisht)! Turp!
Cfarë na duhen 140 deputetë që bëjnë 100 ligje në muaj dhe pastaj i prishin dhe i ribëjnë përsëri sikur të ishin komente pisanjose në platforma sociale patronazhistësh!
Jo më shumë se 50 deputetë, dhe ata të zgjidhen ndryshe, jo si këta që gjithë meritën e kanë t’i prishin mendjen kryetarit t’i verë në listë!
Kjo është reforma e vërtetë! Por as ato që e quajnë veten parti të reja nuk ja u mban këtu sepse duan vende për drejtuesit dhe miqtë e tyre në Kuvend.
Dhe meqë jemi këtu, pyes kabinetin e Kuvendit : Sa parà në vit harxhohen për Kuvendin e Shqipërisë në vit?

Shkrime

Rama dhe Kurti në luftë për liderin shqiptar, konflikt politik dhe personal

“Mes Albin Kurtit dhe Edi Ramës ka konflikte shumë të thella, të natyrës personale dhe politike. Në thelb është një luftë për supremaci, pra kush do të jetë lideri shqiptar, sepse në korpusin shqiptar këto dy role nuk janë të përcaktuara dhe Rama e Kurti e shohin veten si liderët kryesorë mbarëshqiptarë. Derisa të kristalizohen marrëdhëniet hierarkike mes tyre, ndoshta nuk mund të presim që të ketë takime të ndërsjella” – keshtu tha  politologu Ognjen Gogiç.
Duke komentuar faktin se kryeministri i Shqipërisë ka vizituar Prishtinën të hënën, por nuk është takuar me kryeministrin Kurti, dhe nuk ishte as në ngjarjen që shënoi përvjetorin e Lidhjes së Prizrenit po atë ditë, sipas Gogiç kjo tregon ndër të tjera se nuk ka dashur të marrë pjesë në “triumfin e Kurtit”, sepse ishte ai qe do dilte “në skenë” teksa në atë tubim, ai dërgoi mesazhe mbarëshqiptare.

“Nëse Rama do ishte atje, do kishte një rol dytësor. Ai e gjykoi se ishte e pamatur politikisht që të merrte pjesë. U takua vetëm me Vjosa Osmanin në Prishtinë, gjë që tregoi se ai bën dallimin në lidershipin e Kosovës dhe se e njeh dallimin që ekziston mes tyre. Rama gjithahstu është takuar edhe me kryebashkiakun e Prishtinës dhe më pas dërgoi mesazhe kritike për qeverinë në Prishtinë. E gjithë kjo kur shikohet së bashku, tregon shkallën e konfliktit mes tij dhe Kurtit dhe që të dy përdorin çdo mundësi për ta nënvizuar këtë hendek mes te dyve” – vlerësoi Gogiç, duke theksuar se dt kryeministrat shqiptarë i ndajnë shumë gjëra, e njëra prej tyre është se Rama do donte të kishte një rol të caktuar në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, siç kishte në kohën kur Hashim Thaçi drejtonte negociatat nga anën e Kosovës.

“Por Kurti nuk e dëshiron këtë. Ai nuk do që Rama të faktorizohet, por se është vetëm Prishtina që i përcakton kushtet e dialogut me Beogradin pa rolin e madh që mund te merrte kryeministri I Shqiperise. Kësaj Rama iu përgjigj në mënyrën e tij, duke tentuar ta margjinalizojë Kurtin duke bërë vetë një draft të statutit të asociacionit, duke folur për çështjen, por edhe për marrëveshjet si ajo franko-gjermane dhe në përgjithësi kritikoi politikën dhe qasjen e Kurtit në dialog. Dhe tani në Prishtinë ai kritikoi qeverinë e Kosovës teksa tha se ajo bën politikë të jashtme krahas funksionit të politikës së brendshme” – deklaroi Gogiç.

Kurti, shtoi ai, nuk është pa përgjegjësi për marrëdhënien siç ekziston, sepse dikur ai drejtoi fushata kundër Ramës në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, në të cilat kishte kandidatët e tij dhe mes tyre kishte edhe mosmarrëveshje përsa i përket Nismës së Ballkanit të Hapur, një nga propozuesit kryesorë të së cilës ishte Rama, ndërsa Kurti ishte kundërshtar i nismës dhe e perceptoi atë si një tradhti qe vinte nga Shqipëria……………

“Në marrëdhëniet e tyre janë kontestuese edhe marrëdhëniet mes kryeministrit Rama dhe presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçic, të cilët kanë një lloj partneriteti që Kosova asnjëherë nuk e ka parë me miratim dhe gjithmonë ka pasur frikë se do të margjinalizohet. Gjithashtu Rama kishte Marrëdhëniet shumë të mira me Hashim Thaçin, Rama e mbështeti Thaçin gjatë negociatave me Beogradin dhe para disa kohesh e vizitoi Thaçin në paraburgim në Hagë, gjë që Kurti e konsideroi si sulm ndaj vetes se tij, pasi kundërshtari kryesor politik i Kurtit vazhdon te jete Hashim Thaçi” – potencoi analisti politik.

Ai tha gjithashtu se është interesant fakti që Rama është takuar të hënën me Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani pasi siç shprehet ai, të dy nuk kanë pasur marrëdhënie të mira në të kaluarën.

“Marrëdhëniet e Ramës me Thaçin dhe Vuçicin dikur rëndonte edhe marrëdhëniet që kishte me Osmanin. Mirëpo, kohet e fundit ka pasur një çarje në marrëdhëniet mes Osmanit dhe Kurtit, dhe duket se Osmani në njëfarë mënyre po i kundërvihet Kurtit duke i dalë krah Ramës. Kjo në fakt tregon se marrëdhëniet mes liderëve shqiptarë janë shumë më të ndërlikuara dhe më komplekse sesa do të supozonim dhe se ato madje ndryshojnë në disa çështje kyçe të interesit të tyre kombëtar” – theksoi politologu Ognjen Gogiç

 

Continue Reading

Shkrime

Kecat që ulërinin si këlyshë ujqish për të shqyer Bashën, tani do poshtërohen nga ujku Berisha

Nga Artur Zheji

Përfundimisht Sali Berisha dhe grupi i tij më i ngushtë, politik dhe ekonomik, janë vështirësisht të konkurrueshëm. Sepse të fitosh betejat në një terren rrëshqitës dhe armiqësor, duke patur administratën amerikane dhe Brukselin kundra, është padyshim në kufirin e të pamundurës.

Sepse beteja e Doktorit, nuk ishte rikthimi në pushtet, por pushteti i plotë mbi Partinë Demokratike, të cilin ja lëkundi për disa kohë vetëm Lulzim Basha.

Porse ambicia verbuese dhe etja e pasosur për vrarë politikisht Bashën, që nuk kishte pas vetes grupime ekonomike, apo grupime të fortësh të mirë armatosur, punoi mirë e bukur, në interes të Doktorit.

Grupi i brishtë i deputetëve të rinj rreth Bashës, gjykuan krejt para kohe, se Saliu, politikisht morri fund dhe vrapuan te oborri i Doktorit, me shpresë t’i rrëmbenin Partinë Demokratike.

Doktori, një ujk i sprovuar politik, i joshi me dhurata dhe me xhingla vezulluese, përderisa të zgjidhte dy çështje kryesore:

– Rrëzimin politik të Bashës

– Marrjen e vulës, pra aktin përfundimtar noterial të pronësisë ndaj Partisë, godinën madhështore dhe truallin e pafund përreth…

Tani Doktori, ka lluksin e trashëgimisë së pronës së vet, tapinë e së cilës, të gjithë ambiciozët me brirë, i dhanë një dorë që ay, ta fitonte, ta fitonte me çdo kusht, edhe duke gënjyer ujqit e rinj, si të ishin ca keca me këmborë.

Një bravo të madhe për Doktorin, që korri një fitore të fundit, të denjë për manual studimi, në shkencat politike shqiptare.

Kardiologu, u rrëfye mbi të gjitha një psikolog i përkryer! Dhe me fyellin e një Fakiri persian, luajti fort bukur me gjarpërinjtë dhe gjarpërueshet e reja.

Fillimisht i magjepsi që të kafshonin me dhëmbkat e helmuara Lulzim Bashën e njomë, e më pas i joshi të lodronin si “liderët” e të ardhmes, duke i futur përmes tingujve të të njëjtit fyell magjik, në thesin e tij, thurur me fije kërpi dhe premtimesh që mrekulluan kecat apo gjarpërushët pa kërbisht!

Tani Sali Berisha, është rikthyer përfundimisht!

Është në pushtet të plotë të lojës politike dhe komunikon me kode vetëm me Edi Ramën!

Gjykoj se vetëm Argita dhe Shkëlzeni mund të trashëgojë natyrshëm këtë Parti, të tjerat janë fjalë dhe tinguj plot fantazi të Flautit magjik, që ja mbërriti deri këtu!

Se çdo bëjnë kecat që ju fal ca kohë e drejta të ulurinj si këlyshë ujqish, është çështje garniture dhe sallaturinash… rizgjimi i tyre do të jetë një dramë e vockël dhe e parëndësishme.

Game over!

Sali Berisha në poltronën e PD ndërsa Edi Rama, në poltronën e kryeministrit, edhe për një mandat të katërt!

Kjo është marrëveshja, që të gjithë do ta mohojnë dhe do të përbetohen, se nuk ka ndodhur kurrë!

Dhe madje, shumë kush do ti besojë këto përbetime, për të “mirën” e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Spak, nëse do të vazhdosh të jesh SPAK-u! Është rasti ta kesh mirë mendjen, tash e tutje!

Kaq për sot…

Continue Reading

Shkrime

Asgjë e re nga Fronti i Lindjes në “Botën serbe”

Nga Enver Bytyçi

Të dielën u zhvillua parada e asaj që quhet “Bota serbe”! Ceremonia e kësaj parade u zhvillua në Beograd dhe morën pjesë deputetët dhe zyrtarë të lartë të Serbisë, Republikës Srpska, si dhe ata të Listës Srpska të Kosovës. U përfaqësuan në këtë asamble paradë edhe përfaqësuesit e Kishës Ortodokse të Serbisë, si dhe anëtarët e akademive të Shkencave të Beogradit dhe Banja Lukës. U konstitua një organ jo legjitim, por që paraqet rrezik për paqen dhe stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor. U miratua dhe një dokument, të cilin parlamenti i Republikës Srbska do ta miratohet në korrik, d.m.th në kohën kur nga këta serbë u krye para 25 vitesh Masakra e Srebrenicës.

Manifestimi i 8 qershorit ishte një lloj demonstrimi force kundër Perëndimit, kundër popujve dhe shteteve të tjera të rajonit e sidomos kundër Kosovës, shqiptarëve, si dhe kundër boshnjakëve dhe Bosnjë-Hercegovinës. Ai i ngjante mitingut të madh të Milosheviçit në Fushë-Kosovë më 28 qershor 1989. I ngjan memorandumeve të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Serbisë për asgjësimin e elementit shqiptar në Ballkan e sidomos në trevat e ish-Jugosllavisë. Por ka një qasje edhe si ato të memorandumeve të Sinodit të Kishës Ortodokse të Serbisë.

Aty u bënë bashkë të gjitha elitat serbe në Ballkan me qëllim që të mobilizohen për mbrojtjen e asaj që Aleksandër Vulin e quan “Bota serbe”!

sigurt është se të gjithë politikanët serbë në Serbi, në Republikën Srpska dhe në Kosovë duan të strehohen nën çatinë e nacionalizmit ultrashovinist. Milorad Dodik, Aleksandër Vulin, kryeministri i ri i Serbisë, ministri Ivica Daçiq e disa të tjerë janë më entuziastë për këtë, sepse i besojnë Botës ruse të Vladimir Putin dhe Aleksandër Dugin në Moskë.  Dodik sapo u kthye nga Petersburgu, ku takoi presidentin Putin. Nuk ishte rastësi vizita e tij dhe takimi me Putin pas përpjekjeve të fundit për shpalljen e Republikës së Pavarur Srpska dhe në prag të këtij takimi të madh nacionalist të së shtunës në Beograd.

Të gjithë këta ishin shumë optimistë për atë që po ndodhte dhe janë gati që të ndezin sërishmi një konflikt tjetër në Ballkan në emër të Serbisë së Madhe.

Por, presidenti Vuçiq ishte i dyzuar. Ndërsa fliste për Botën serbe, thoshte se respekton DAYTO-n dhe vendimet e tij për krijimin dhe funksionimin e shtetit të Bosnjë-Hercegovinë. Foli për unitet, për kohët e vështira që e presin Serbinë, por u angazhua për “paqe”! Pra, vetëm Vuçiq shfaqi dualitetin e vet, me të cilin ka operuar gjatë një dekade. Dhe me këto dy fytyra e kanë besuar perëndimorët. Mendon se do ta besojnë sërishmi. A do t’ia dalë? Nuk besoj! Sepse janë bashkëpunëtorët e tij në qeverisje po e dekonspirojnë atë vazhdimisht. Sepse është Kisha Ortodokse dhe Akademia serbe që vendosin për rrugën që do ndiqet. Ai pushtetin e tij e mbron me nacionalizmin e këtyre aktorëve në Serbi.

Dhe në thelb është i detyruar të veprojë sipas programeve kishtare dhe akademike të përkrahura nga shumica dërmuese e politikanëve serbë, pra për “Botën serbe” edhe me mjete ushtarake. Për pasojë nuk ka ndodhur të shtunën diçka e paparashikuar! Gjithçka që u bë pardje në Beograd, është skenar i praktikuar nga Serbia për më shumë se një shekull! Asgjë e re nga Fronti i Lindjes së “Botës serbe”!

Continue Reading

Shkrime

Çfarë fshihet pas dhurimit të vulës, karota e Ramës dhe mirazhi zhgënjyes

Nga Andi Bushati

Vendimi i gjykatës së apelit për të legjitimuar edhe “de jure” opozitën reale të vendit ka ringjallur iluzionin se në drejtësinë e re mund të ekzistojnë edhe ishuj lirie dhe pavarësie. Rikthimi i vulës tek Sali Berisha, në një këndvështrim sipërfaqësor, mund të duket si një sfidë, në të kundërt të gjithë asaj çka donte dhe kërkonte regjimi i Tiranës.

Edi Rama ka patur si sllogan mosnjohjen e opozitës së non gratës, gjykata e çertifikoi atë si legjitime. Ai kërkon zgjedhje me një rival pa financim, pa komisionerë dhe pa emër kryetari në fletën e votimit (si në 14 maj), drejtësia i’a pamundësoi këtej e tutje këtë ëndër. Ai do në të djathtë të tij, një grup parlamentar demokrat, deputetët e të cilit i cakton vetë, ndërsa zhveshja e Lulzim Bashës nga sigla e PD-së i’a vrau këtë shpresë.

Pra, po e pe nga ky këndvështrim, të krijohet përshtypja se sot është zbrapsur autokracia dhe ka fituar drejtësia. Kjo u duk edhe në reagimet e para të disa prej eksponentëve të PD-së që ngritën dy gishtat lart, i’a morrën valles tek selia dhe filluan të lëshojnë parrulla emtuziaste për fundin e lojës së Ramës dhe fitoren e afërt të demokratëve.

Por, sado e bukur të tingëllojë kjo përrallë, sado që të kenë nevojë për optimizëm idhëtarët e persekutuar të opozitës, fatkeqësisht e gjitha është vetëm një mirazh zhgënjyes. Një analizë e ftohtë të kthjellon se nuk ka vend për të shikuar dritë në fund të tunelit.

E para, sepse nuk mund të kesh shpresë, kur sheh se për një vendim kaq të thjeshtë forca kryesore e opozitës u sorollat në dyert e gjykatave për dy vite e gjysëm. Ajo u paraqit e çarmatosur në dy palë zgjedhje, në ato të pjesshme të 6 marsit dhe në ato të përgjithshme bashkiake të 14 majit, falë kalkulimeve të drejtësisë së re. Vendimi udhërrëfyes i Gjykatës së Lartë sipas të cilit, një palë që nuk është pjesë e procesit (Basha- Alibeaj) nuk mund të ketë të drejtë ankimimi dhe zbatimi i tij, këtë 11 qershor prej apelit, dëshmuan se gjithçka qe krejt e kollajshme dhe se e gjithë zvarritja ka pasur prapavijë politike. Rilindja e ka përdorur drejtësinë si një faktor të rëndësishëm të ndikimit mbi zgjedhjet.

Pavarësisht se në këtë moment, e la të lirë gjykatën të lëshojnë vulën, partia në pushtet njësoj si ujku ka ndryshuar vetëm qimen. Ajo nuk ka hequr dorë nga zakoni i përdorimit të prokurorëve dhe togave të zeza. Kjo fitore e vogël e berishistëve u lejua vetëm pasi drejtësia e kaloi provën gjenerale se mund të shërbejë si mashë për penalizime të reja kundër opozitës.

Së pari, në zgjedhjet e 12 majit, pushteti tregoi-, me një rast që do të njolloste çdo demokraci-, se mund të prangosë një kundërshtar vetëm dy ditë para zgjedhjeve dhe se mund të përdorë SPAK dhe GJKKO, për të penguar betimin e një kryebashkiaku të zgjedhur nga populli. Tashmë për zgjedhjet e ardhshme precedenti është i gatshëm.

E dyta dhe më kryesorja, duke i rikthyer vulën PD-së reale, duket sikur bashkë me të drejtën për të përdorur flamurin, financat dhe për të pasur komisionerë në zgjedhjet e ardhshme, gjykata i’a zgjidhi gjymtyrët asaj për të vepruar e lirshme në zgjedhje. Por nuk është kështu. Përpara së ti “dhuronte” këtë karrotë Prokuroria dhe Gjykata e Posatçme e goditën PD-në me shkop. Ato e izoluan, ende pa i shpallur dot as akuzën liderit të opozitës, duke përdorur trukun e zhveshjes së tij prej mandatit të deputetit pa kaluar përmes kuvendit.

Kështu pra, kjo drejtësi ndërsa me njërën dorë i dha atë që i takonte, me tjetrën e kish zhveshur ndërkohë nga diçka tjetër. Vertet në garën e ardhshme elektorale demokratët mund të mos privohen më nga pasja e emrit të liderit të tyre në fletën e votimit, por ama, ata nuk do ta kenë atë prezent në fushatë. Pushteti dhe drejtësia i falën atyre vulën, por i rëmbyen Berishën.

Prandaj në këto kushte, të flasësh për ishuj të pavarur drejtësie, nëse nuk është manipulim, përbën naivitet. Edhe pas këtij vendimi të Apelit, pavarësisht nga mjetet që përdoren asgjë nuk ka ndryshuar: pushteti vijon t’i përdorë “heronjtë e fëmijve” tanë si leva të shkatërrimit të lojës së barabartë politike.

Continue Reading

Shkrime

Beleri hidraulik në PE, Berisha ‘vulos’ PD në ballkon dhe Albin Kurti kontrapedal

Nga Jakin Marena

Zgjedhjet për në Parlamentin Evropian kanë përfunduar dhe shumë ‘mite’ tashmë janë rrëzuar, ndërkohë që ‘mite’ të tjera janë ngritur. Me apo të drejtë. Partitë e ekstremit të djathtë pësuan një rritje drastike në këto zgjedhje, duke shkaktuar edhe ‘viktimat’ e para politike në qeverisjet e vendeve anëtare të BE. I pari që dha sinjalin e tronditjes së thellë politike ishte presidenti i Francës Emanuele Macron, i cili pësoi një humbje rrënuese përballë rivales radikale dhe anti-evropiane Mari Lë Pen.

Macron, në vend që të priste, në ardhjen e ditëve më të mira dhe momentin kur votuesi francez të kthjellohej për votën që kishte dhënë pro një partie radikale, anti-evropiane e pro ruse, i ra shkurt, shpërndau asamblenë kombëtare dhe shpalli zgjedhjet e parakohëshme deri në fund të këtij muaji. Pra Macron lozi ‘fit a fit’, duke sakrifikuar tre vite mandat në dizpozicion, për të mos pritur tmerrin pa fund, por për të provuar nëse ka shpëtim apo dhe një fund të tmerrshëm.

Rrënim pësuan në këto zgjedhje dhe të majtët në qeverisje të Scholz, i cili zbriti në vendin e tretë përsa i përket numrit të votave dhe eurodeputetëve në Gjermani. Gjithçka në favor të partive ekstremiste. Por ama kancelari gjerman po i reziston kërkesës së kundërshtarëve politikë për dorëheqje dhe deklarimin e zgjedhjeve të parakohëshme. Po i reziston dhe ironisë së Rusisë, me të cilën po i përcjell zgjedhjet evropiane. Normal, Rusia s’ka probleme të tilla, ka gati 20 e ca vite që fiton më ato mënyrat e veta Putin, dhe kush e kundështon, Siberia afrohet “një hap”.

Tronditje pësoi dhe Spanja, ku e majta humbi mjaft peshë në Parlamentin Evropian, pasojë e të cilës ishte dhe dhënia e dorëheqjes nga drejtimi i partisë aleate në qeverisje i lideres së saj njëherësh dhe zv.kryeministre e parë e këtij vendi.

Fituan në qeverisje të djathtët e Melonit, të Mitsotakisit, të majtët e Tusk në Poloni dhe mbi të gjitha humbja e pro-evopianistëve nuk ishte e asaj shkalle sa të rrezikohej dominanca e tyre në Parlamentin Evropian, por dhe të rrezikohej zgjerimi i BE.

Duket se sërish Ursula von der Leyen do të jetë në krye të Komisionit Evropian për një mandat të dytë si Presidente. Ndërkohë që “çelësin” e funksionimit, me sa duket do ta ketë  Giorgia Meloni e Italisë, një e djathtë pro-europianiste, që mbështet luftën e Ukrainës kundër Rusisë. Por që do të shënojë dhe përparësitë e veta duke i dhënë një tol akoma më të fortë Italisë në raport me vendet e tjera anëtare të BE.

Fitoi dhe Kyriakos Mitsotakis një deputet më shumë, pikërisht progonatasin e ‘transfuzuar’ në grek, Fredi Bejleri, pinjoll nga bejlerët e hershëm të Tepelenës. Dikush mund të thotë se ka dhe një copë Shqipëri të përfaqësuar në Parlamentin Evropian. Aspak. “Gjakprishurit” s’përfaqësojnë asnjë komb, madje as atë që pretendojnë se e përfaqësojnë.

Beleri pasi u kap në fragrancë duke blerë vota dhe u burgos tre ditë para zgjedhjeve vendore të vitit të kaluar, arriti që me pak vota, sa gishtat e dorës, të quhej kryetari i zgjedhur i bashkisë së Himarës. Kishte garuar përballë një të ‘mbaruari’ në fakt. Por Beleri kishte siguruar dhe vota nga Greqia, pak me mbështetje, shumë me blerje dhe premtime për karta greke, megjithëse vijon të jetë në burg dhe pret vendimin e Apelit për të parë më në ‘detaje’ fatin e tij politik.

Megjithatë fitoi mandatin e deputetit në Parlamentin Evropian, i kandiduar nga Mitsotakis në listën e partisë që ai drejton, Demokracia e Re. Pasi humbi ‘betejën’ deri më tani me drejtësinë e re shqiptare, prokurorët dhe gjyqtarët e posaçëm me mbështetje amerikane dhe të BE nuk lëvizën nga ‘sinorët’ e drejtësisë, pasi u zemërua shumë me kryeministrin Edi Rama,  kërcënoi dhe me veto për Shqipërinë në procesin e integrimit në BE, duke deklaruar se rruga për në Bruksel kalon nga Athina, pasi bënë të dërguarit e tij zyrtarë e partiakë vizita pafund në burgun e Rrogozhinës, më në fund Mitsotakis e ‘gjeti’ zgjidhjen, e kandidoi Belerin për eurodeputet. Dhe fitoi. Mblodhi votat e Agimit të Artë, parti ekstremistë e nxjerrë jashtë ligjit nga vetë Greqia, dhe Beleri doli i katërti në listën fituese. Belerin fitoi më tepër nga mandati i kaluar i Demokracisë së re Kyriakos Mitsotakis, dhe një grek allasoj mori, nga Progonati madje.

Duket si një hakmarrje e Mitsotakis ndaj vendeve të BE, të cilat s’ia vërshëllyen për kërcënimet që bëri ndaj Shqipërisë, kërcënimin përmes vetos për integrimin nëse nuk lirohet urgjent Beleri nga burgu dhe të betohet si kryetar i bashkisë së Himarës. Hakmarrje që u përkthye në dërgimin në Parlamentin Evropian të një hidrauliku nga profesioni, të një burgaxhiu funksional dhe të një të dënuari tre herë, një prej tyre dhe në Greqi, për armëmbajtje pa leje. Ndërsa në Shqipëri për pjesëmarrje në vrasjen e ushtarakëve shqiptarë në postën kufitare të Peshkëpisë dhe fyerje të simboleve kombëtare shqiptare. Nuk duhej të ishte kandiduar në fakt.

Për hir të së vërtetës, përfaqësimi i Greqisë në Parlamentin Evropian me Bejlerin është ulje e ‘stekës’ nga ana e Athinës, përkundër historisë që ajo trashëgon. Në të vërtetë ka humbur Greqia me Belerin, duke dërguar në Bruksel këtë nivel të ulët përfaqësimi. Nuk e dimë se çfarë do bëjë Bejleri në Parlamentin Evropian, nëse ia del të lirohet nga burgu e të bëjë betimin.

Nëse drejtësia e re shqiptare vijon standardin e bërjes së punës së saj, njësoj për të gjithë. Pra dhe për Bejlerin blerës votash dhe kryetar i zgjedhur i bashkisë së Himarës, dhe për Bejlerin në burg e të zgjedhur si eurodeputet në emër të Greqisë. Krimin elektoral e ka bërë në Shqipëri në fakt. Aty gjykohet me ligjet e drejtësisë shqiptare, pa prevalime të drejtësisë së vendeve fqinje apo dhe evropiane.

Nuk e imagjinojmë dot se çfarë do të bëjë Bejleri në Parlamentin Evropian, por të sigurtë jemi që Greqia ka dërguar një eurodeputet të akuzuar dhe dënuar për armëmbajtje pa leje, vrasje e fyerje të simboleve kombëtare shqiptare, një të paarsimuar, i cili maksimumi mund të rregullojë tubat e ujit në selinë e Parlamentit Evropian, ose mund të arrijë deri tek bravat.

Por nga ana tjetër, Mitsotakis mendon se mund të dërgojë në Evropë dhe frymën e përplasjes me qeverinë shqiptare, duke pasur Bejlerin në karrigën e eurodeputetit. Ndonëse nuk shpresohet të ‘thyhet’ BE dhe të pranojë veton greke për Shqipërinë, askush të mos mendojë se Bejleri do të na marrë erzin neve si shqiptarë. Ai është grek tashmë, zyrtarisht dhe mendërisht. Është punë dhe përgjegjësi e Greqisë dhe votuesit grek se kë dërgojnë në Parlamentin Evropian,

Për hir të së vërtetës Mitsotakis fitoi një eurodeputet më shumë për në PE, por ama humbi shumë në sytë e evropianëve, pasi ata tashmë panë dhe do të shohin akoma më shumë se deri ku shkon strategjia e fqinjit tonë jugor në kurriz të Shqipërisë dhe shqiptarëve, se si e ka ndërtuar Athina politikën rajonale e fqinjësore, deri më tani të kamfluar. Por me kandidimin e dërgimin e Bejlerit në Parlamentin Evropian, gjithë pisllëku i tërë këtyre viteve doli në dritë të diellit.

U ekspozuan rëndshëm. Ndoshta, të detyruar dhe nga qëndrimi i prerë i kryeministrit Rama që nuk pranoi të ndërhynte në punët e drejtësisë, kishte dhe mbështetjen e SHBA, BE dhe Britanisë në këtë qëndrim, ndërsa Athina zyrtare i kishte kundër. Ekspozimi grek doli dhe për vetë faktin se Shqipëria nuk është më ajo e para disa viteve kur gjithçka politike në këtë vend, madje dhe ekonomike e sociale, lëvizte sipas humorit të qeverisë greke të radhës.

Por dhe në Shqipëri kanë fituar me zgjedhjen e Bejlerit eurodeputet. Sidomos ata që nuk e kanë mbështetur kurrë. Por ndjehen mirë dhe në zenith dhe ata që e mbështesin, kanë interesa financiare me të, interesa politike apo të bashkuar me të për inatin të Edi Ramës. Siç ka qënë dhe kreu i Rithemelimit Berisha, i cili bashkë me Metën e kandiduan Bejlerin për kryetar bashkie në Himarë në emër të koalicionit të tyre “Bashkë Fitojmë”. Duke dalë jashtë ‘rrezes’ së qëndrimit të tyre të kahershëm politik, të akuzave kundër Belerit.

Një kandidim dhe për të lënë ‘litarin jashtë’ në marrëdhëniet me Greqinë e me qëllimin për të dëmtuar Ramën. E kandiduan, e mbështetën dhe e mbrojtën gjatë gjithë kohës që ka qënë e është në qeli. Madje merrnin në mbrojtje dhe Mitsotakisin dhe këdo që vinte nga Greqia, vetëm që të thonin një fjalë kundër Ramës. Si shqiptarë vendi kuptohet.

Megjithëse me gjysmë zëri, Berisha e ka uruar fitoren e Bejlerit. Pasi u zgjodh nga burgu. Nuk kuptohet nëse e ka uruar si ‘shok’ burgu apo si eurodeputet. Pasi Sali Berisha sërish në majë të ballkonit ka mbetur, nën arrest shtëpiak, për korrupsion pasiv. Me dosje të tjera të rënda që shtohen e shtohen përditë nën hetimin e SPAK, duke i dhënë vetes shpresë se një ditë mund të jetë dhe shok qelie me Bejlerin. S’ka fituar asgjë as Rithemelimi dhe aleati i tij Meta, kreu i Partisë së Lirisë. Sondazhet serioze po nxjerrin çdo ditë rrënimin politik të tyre.

Desh harruam! Sot Berisha fitoi vulën dhe logon e PD me vendim të Gjykatës së Apelit. Shënoi një fitore të madhe përballë Lulzim Bashës, të cilin e nxori pa parti. Megjithëse si me vulë si pa vulë, Berisha i ka mbyllur demokratët në rrugicën e pallatit të tij, ku është izoluar nën arrest shtëpiak. Nuk ngre as ul asnjë votë Berisha, thjeshtë dhe vetëm me vendimin e sotëm të Apelit, PD ‘vuloset’ zyrtarisht në ballkonin e shtëpisë së tij në rrugën “Mustafa Matohiti” në Tiranë. Duke ia lehtësuar PS rrugën dhe për mandate të tjera qeverisëse, sa të jetë Berisha zotërues i vulës së PD. Pasi Gjykata e Lartë pak gjasa ka të ndryshojë qëndrimin e Apelit, dhe nëse Basha ankimon brenda 5 ditësh.

E themi se Berisha po rezulton një humbje e madhe për PD, pavarësisht vulës, sepse është një ‘non grata’ funksional dhe i vënë para drejtësisë. Asnjë aleat nuk e takon, s’e mbështet. Dhe të vetmin aleat që kishte shpresë të fitonte në zgjedhjet evropiane, sikurse fitoi, Gorgia Melonin, e bëri armike, Vetëm pse nënshkroi marrëveshjen me kryeministrin Edi Rama për emigrantët. Dhe kur mendon se grupimi i vetëm politik, në qeverisje, ai i Melonit e uroi për zgjedhjen në krye të Rithemelimit, ndërsa më vonë e shpalli armike vetëm për hir të konjukturave të çastit e nevojës për të përdorur grupimin politik  përballë drejtësisë, kuptohet se cili është qëllimi i vërtetë i Berishës. Bashkohet me humbësit, vetëm që të zgjasë sadopak agoninë e grupimit që drejton, për ta pasur si mburojë përballë drejtësisë.

Të njejtën gjë bëri dhe Albin Kurti, i cili në vend që të mbështeste fituesit, pra grupimin pro-evropianist, mbështeti ata që ishin kundër. I vinte për ‘osh’ Kurtit, i cili është vënë kundër të gjithë aleatëve. Të majtët radikalë humbën. Duke shtuar shanset për zgjatjen e qëndrimit të Kurtit në ‘karantinën’ në të cilën e kanë vënë vendet anëtare të BE, SHBA por dhe Britania. Të cilët kanë zgjedhur si partnere komunikimi presidenten Vjosa Osmani. Që po bën të që ka për detyrë të bëjë Kurti, të mbajë Kosovën në mesin e vendeve mike dhe krah atyre që e çliruan nga genocidi serb e po e mbajnë në këmbë si shtet. Pra dhe Kurti kontrapedal në Kosovë.

Eshtë luks i tepërt ky, si për Berishën, si për Kurtin, por dhe për Mitsotakis pavarësisht se pak na intereson ky i fundit, që për inat të Ramës, të lëvizin në kahjen e kundërt të rrjedhës. Rama, thjeshtë me qëndrimet e tij tregoi se di të orientohet, në favor të mirëqenies dhe prosperitetit të vendit që drejton. Por ama nxori ‘zbuluar’ dhe ata që bëjnë politikë në kurriz të qytetarëve të vet, u imponojnë atë që nuk duan. Thjeshtë dolën ‘zhveshur’. Tani mbetet në dorë të qytetarëve të shohin, të vendosin dhe të orientojnë fatet e tyre. Në Shqipëri e kanë zgjidhur vetë shqiptarët, Berisha s’votohet kurrë më për të qeverisur këtë vend. Të shohim si vendos Kosova, pasi fqinji ynë jugor e ka në dorë vetë të bëjë ç’të dojë. Madje të na ‘tërheqë’ andej dhe “Bejlerët” e tjerë, si eurodeputetë, si deputetë apo dhe përgjegjësa porti.

 

 

 

 

 

Continue Reading
Advertisement

TRENDING