Kosova
Eksperti: Qeveria e Kurtit rrezikoi jetën e qytetarëve
Të martën me 14 shkurt, u bënë plotë dy vite që kur kryeministri aktual, Albin Kurti, doli i pari në zgjedhjet parlamentare dhe në muajin mars filloj zyrtarisht mandatin 4 vjeçar qeveria Kurti II.
Për punën e kësaj qeverie pati shumë vërejtje e ankesa, në shumë fusha duke përfshirë këtu edhe fushën e sigurisë.
Madje po cilësohet si një ndër qeveritë më të dobëta sa i përket sigurisë së përgjithshme të vendit, e nga ekspertët e sigurisë po akuzohet edhe për rrezikim të jetës së qytetarëve.
Kështu e ka cilësuar dy vjetorin e qeverisë Kurti eksperti i sigurisë, Bedri Elezi.
Ai ka thënë se edhe qeveritë e kaluara kanë pasur vështirësi me veriun e Mitrovicës por që në qeverinë Kurti është degraduar çështja e përgjithshme e sigurisë pavarësisht përpjekjeve të saja për të zbatuar ligjin.
“Dallimi në mes të Qeverisë Kurti dhe qeverive tjera, ka dallime të vogla pasi në të kaluarën në veriun e Mitrovicës kemi pasur barrikada të cilat kanë qenë problem serioz jo vetëm për Kosovën por edhe për faktorin ndërkombëtar. Njëjtë është përsëritur edhe në kohën e zotëri Kurtit por në fakt dallimi është se në të kaluarën nuk ka pasur rast që Qeveria e Kosovës të mos ketë një marrëdhënie të mirë me institucionet e zbatimi të ligjit, siç është prokuroria e shtetit dhe të kemi mungesë të një drejtori të Policisë së Kosovës për një kohë kaq të gjatë dhe po ashtu të kemi mungesë të një kryeprokurori të prokurorisë së shtetit kaq gjatë”, ka thënë Elezi.
Duke folur për mungesën e krerëve në këto institucione të rëndësishme të drejtësisë, Elezi ka thënë se kjo ndikon drejtpërdrejtë në sigurinë e vendit.
Madje eksperti i sigurisë, ka thënë që me ardhjen e qeverisë Kurti në pushtet ka pasur përplasje të shumta në sistemin e drejtësisë, duke bërë që ekzekutivi dhe drejtësia të ndahen në shtet dhe pushtet.
“Me ardhjen e Qeverisë Kurti kemi pasur një lloj përplasje në mes të këtyre institucioneve madje e keni parë dhe ju vet që në disa takime ku janë ftuar nga ministria e drejtësisë apo Qeveria e Kosovës, ka pasur mospjesëmarrje nga institucionet e gjykatave dhe prokurorisë meqë është thelluar një ndarje, janë ndarë pushtetet qeverisëse dhe jo qeverisëse në njëfarë forme ardhja e Qeverisë Kurti në aspektin e sigurisë ka ndarë Kosovën në shtet dhe pushtet, në çka nënkupton jo siguri sepse me detyrim duhet të ketë një bashkëpunim në mes të institucioneve që veprojnë për të sjellë siguri të plotë në republikën e Kosovës. Në përgjithësi mund te japim notë negative sa i përket punës së Qeverisë së Republikës së Kosovës në sigurinë e përgjithshme në dy vitet e fundit dhe e kishim krahasuar me qeveritë e kaluara si më të dobëtën duke ju referuar ato që i ceka më parë”, ka deklaruar Elezi.
Por cilat janë sipas tij disa nga problemet më të mëdha që ka bërë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“Kemi parë disa tentativa të qeverisë Kurti ngase ka vepruar duke e ndërruar Drejtorin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë ku ka sjellur një drejtor për të cilin nuk e di nëse ka kapacitetet e nevojshme për të kryer detyrën e një drejtori të një institucioni kaq të rëndësishëm duke marrë parasysh faktin se ky person nuk kishte më herët pozita në fushën e njëjtë por kryesisht kishte punuar si zyrtar në çështje si asistent i ministrit të punëve të brendshme apo edhe në çështje organizative por jo edhe në aspektin e përgjithshëm operativ dhe sigurisë”, ka thënë ai.
Ndërsa fjalë të mira nuk pati as për drejtorin e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës.
“Pastaj gabimi i dytë që mund të konsideroj ishte zgjedhja në krye pikërisht të këtij institucioni të një djali i cili në fakt mund të themi se ndoshta kishte përgatitje minimale dhe ishte vetëm një zyrtar operativ me përgatitje jo adekuate dhe i cili kishte shërbyer në agjencinë e Kosovës për inteligjencë për një kohë jo të gjatë por që ishte totalisht joadekuat për të udhëhequr këtë institucion të rëndësishëm të sigurisë”, ka thënë Elezi.
Gabim tjetër i kësaj qeverie që ka ndikim të drejtëpërdrejtë në sigurinë e vendit është edhe mos emërimi i një drejtori në krye të Policisë së Kosovës. Sipas tij kjo qeveri ka dështuar sepse i ka lënë ta pakompletuara institucionet e drejtësisë.
“Problemi kryesor mbetet çështja e zgjedhjes së komandantit të policisë së Kosovës, ju e keni parë që një kohë të gjatë Kosova është pa udhëheqës së policisë së Kosovës më çka e bënë jo mjaftueshëm funksional institucionin në fjalë institucion shumë i rëndësishëm në çështjen e zbatimit të politikave të sigurisë problem tjetër mbetët po ashtu edhe zgjedhja e kryeprokurorit të shtetit njeriut kryesor të organit të ndjekjes së bashku me gjykatën dhe policinë merret me çështjen e ligjit përkatësisht drejtësinë me çka mund të themi se në aspektin e sigurisë së përgjithshme qeveria Kurti ka dështuar jo duke mos i zgjedhur këto që i përmendëm por duke lënë pa u kompletuar çështja e institucioneve të cilat janë tejet të rëndësishme në zbatimin e ligjit’, ka thënë tutje eksperti i sigurisë.
Ndërkaq i pyetur për veriun e Mitrovicës si një ndër çështjet që ka trazuar më së shumti Kosovën këtë vit, Elezi i bënë përgjegjës kryesor kryeministrin Kurti por edhe presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin.
Eksperti, Bedri Elezi, deklaroi se veprimet e njëanshme të të parit të ekzekutivit por edhe të presidentes e duke mos marrë parasysh rekomandimet e amerikanëve, e dërguan Kosovën në një situatë ku u cenua rëndë siguria por që edhe vuri në rrezik drejtpërdrejtë jetën e shumë qytetarëve.
“Problemi me veriun e Mitrovicës unë mendoj që në këtë rast përgjegjës direkt është kryeministri i Republikës së Kosovës (Albin Kurti), dhe presidentja e Republikës së Kosovës, (Vjosa Osmani), sepse të njëjtin jo që nuk ishin koordinuar për veprimet e tyre, por ishin komplet në kundërshtim me kërkesat e qeverisë amerikane ngase qeveria amerikane kishte kërkuar një afat shtesë prej 10, muaj në mënyrë që mos të shkaktonin tensione në veri dhe të mos lejonin zbatimin e agjendave të huaja të shërbimeve të caktuara inteligjencë dhe sidomos ato ruse dhe serbe të cilat në atë kohë ishin të interesuara të destabilizonin jo vetëm veriun e Mitrovicës por edhe gjithë rajonin. Andaj Qeveria Kurti duke mos marrë parasysh as një rekomandim të qeverisë amerikane dhe institucioneve të saja veproi njëanshëm duke mos dhënë një afat të shtesë për çështjen e targave dhe si rezultat i saj kishim veprime që cenuan rëndë sigurinë vendit”, u shpreh Elezi.
Ndërsa sipas tij këto vendime të qeverisë ishin jo vigjilente e ku si rezultat i kësaj erdhi deri tek presioni për themelimin e Asociacioni të Komunave me Shumicë Serbe.
“Si rezultat i kësaj kishim probleme pastaj edhe me prioritetet që ka Bashkimi Evropian dhe SHBA që kanë në Kosovë ku së fundmi e dinë që si rezultat i këtyre veprimeve kemi një presion të jashtëzakonshëm të qeverisë amerikane dhe partnerëve të saj për zbatimin e Asociacionit një prioritet i cili nuk ishte i renditur që të ishte në presion por duke mos pasur mundësi që Qeveria e Kosovës të organizojë zgjedhje tani më në veriun e Mitrovicës, për shkak të rrezikut që mund të shfaqin nëse institucionet të Republikës së Kosovës tentojnë që të organizojnë zgjedhjet dhe atëherë partnerët e qeverisë amerikane dhe vetë SHBA-ja kanë vendosur që të ushtrojnë një presion apo të kërkojnë që të kemi një zbatim të Asociacionit në mënyrë që vetëm në këtë formë të vihet sovraniteti i Republikës së Kosovës dhe në veriun e Mitrovicës”, është prononcuar Elezi.
Nga ana tjetër në këtë periudhe dy vjeçare kjo situatë solli rezikun më të madh për Kosovën.
“Në fushën e sigurisë në aspektin e përgjithshëm qeveria Kurti ka pasur shumë problem në çështjen kryesore i cili është integrimi i veriut të Mitrovicës pasi që ju edini që problemi kryesor në aspektin e sigurisë në Kosovës është veriu i cili ndërlidhet edhe me aktivitete politike dhe jo vetëm me aktivitete të sigurisë por që në fakt të gjitha këto aktivitete politike determinojnë sigurinë në atë zonë pasi që siç e kemi parë ka qenë pikërisht veprimi i qeverisë Kurti në aspekt e targave e cila rezultoi me kundërpërgjigje nga serbët përkatësisht grupeve kriminale serbe ku edhe patëm një zhvillimi tejet të rrezikshëm pasi që u rrezikuan policët e Kosovës policia e UNMIK ut qytetarët KFOR dhe këto ishin një momentum i cili mund të themi që në aspektin e sigurisë mund të konsiderohet goxha problem dhe me njërin ndër sfidat kryesore të qeverisë kurti periudhën e saj përkatësisht në vitin e fundit”, theksoi Elezi.
Mirëpo, eksperti i sigurisë, nuk anashkalon disa të arritura që sipas tj janë bërë në fushën e sigurisë nën qeverinë Kurti.
Ai tha se qeveria fillimisht kishte filluar goxha mirë sa i përket çështjes së kriminalizimit të institucioneve përkatësisht luftës së krimit të organizuar.
Derisa tani sipas tij Kosova është bërë vend tranzit për personat që dyshohet se kanë ardhur nga vendet e treta siç është Siria e Pakistani.
Po një ndër arritjet më të mëdha sipas tij Kurti e kishte bërë me buxhetin dhe rritjen e kapaciteteve të Forcave të Sigurisë së Kosovës.
“Sa i përket arritjeve më të mëdha të kësaj qeverie kujtoje që është buxheti për forcën e sigurisë së Kosovës, kjo qeveri kishte një qasje të duhur sa i përket rritjes së kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe mbështetjes së këtyre kapaciteteve në aspektin financiar dhe kjo qeveri vendosi që të rritë buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes përkatësisht Forcës së Sigurisë së Kosovës me çka nënkuptojmë që është një veprim i duhur sepse rritja e kapaciteteve apo profesionalizimi i FSK nënkupton krijimin e standardeve të institucioneve të sigurisë për të u bërë anëtare të NATO-s me çka edhe do të jemi sigurisht në aspektin e sigurisë në rregull”, është shprehur Elezi.
Mirëpo edhe pse ky veprim i Kurtit ishte një arritje e tij në aspektin e sigurisë, ky buxhet për rritjen e kapaciteteve të FSK-së, ka pasur edhe ngecje.
“Kishim ngritjen e buxhetit por njëkohësisht kemi ngecje në zbatimin e apo më mirë të themi në shpenzimin e këtij buxheti për qëllimin për të cilin ishte orientuar, ky buxhet duke referuar të gjitha këtyre mund të them se është një sukses i madh ai pasi që qeveritë e kaluara kishin fol mjaft për profesionalizimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës kishin folur mjaft për çështjen e anëtarësimin e saj të NATO por që në fakt nuk kishin veprime të cilat do të ju duheshin të ishin konfrom standardeve evropiane dhe te NATO-s që forcat e sigurisë se Kosovës të kishte kapacitetet e saj profesionale për të qenë anëtare e familjes më të madhe në planet,.. mbështetjes së aktiviteteve policore sidomos në çështjen e përpjekjeve të sigurisë së Kosovës për avancimin e ligjit për policinë e Kosovës pastaj çështja e rritjes së pagave por në përgjithësi mund të themi se ishin lëvizje shumë të vogla s ai përket asaj që mund të i konsiderojmë si suksese të qeverisë së Kosovës për aspektin e sigurisë në përgjithësi”, ka treguar Elezi.
Kujtojmë që dy vjet më parë në zgjedhjet e 14 shkurtit, votat e elektoratit nxorën të parën, Lëvizjen Vetëvendosje, me rezultat dukshëm para partive të tjera, gjë e cila nuk kishte ndodhur asnjëherë në historinë e zgjedhjeve në Kosovë.
Lëvizja Vetëvendosje kishte marrë mbi 51% të votave e ku ky rezultat i mundësoi Albin Kurtit që ta krijonte i vetëm kabinetin e ardhshëm qeveritar. Zgjedhjet parlamentare u mbajtën në Kosovë pasi Gjykata Kushtetuese kishte nxjerrë Qeverinë Hoti si jokushtetuese, meqë në procesin e votimit të saj kishte marrë pjesë edhe një deputet që ishte i dënuar me vendim të formës së prerë./Gazeta Infokus/