Aktualitet
Rritja e pagave/ Eksperti: Diskutimet janë politike, duhet të…
36 miliardë lekë është shifra e përllogaritur për rritjen e pagave në administratën shtetërore, pa përjashtuar ministrat apo deputetët.
Eksperti i ekonomisë Arben Shkodra ka bërë një analizë më konkrete të piramidës së pagave.
Ai u shpreh se indeksimi i pagave duhet të jetë i njëjtë për të gjitha kategoritë.
“Për vite me radhë kam shërbyer në administratën shtetërore dhe jam marrë me çështjen e pagave, sidomos në nivelet më të larta. Dhe ka sens që reforma të jetë krejtësisht gjithëpërfshirëse, paçka se diskutimet bëhen lidhur me një kategori të caktuar që janë diskutime nganjëherë politike, populiste, morale etj. Ne e dimë shumë mirë që paga është një kompensim për punën e kryer dhe punën e mirë kryer. Dimë shumë mirë që kemi një administratë publike shumë të fryrë, pra kemi më shumë njerëz nga ç’kemi mundësi dhe funksione për t’u kryer.
Teknikisht e gjithë piramida duhet të indeksohet sepse ne nuk mund të kemi presione të pagave të tjera të disa kategorive që kanë tjetër funksion, pra nuk mund të kemi punonjës të varësisë së tyre që afrohen shumë me ato. Ka raste dhe që i tejkalon sepse varet dhe nga indeksimi prandaj e gjithë piramida duhet të shkojë në mënyrë unike. O shkohet e gjithë piramida përpara, ose nuk shkohet asgjë.”
Shkodra theksoi se janë disa raste të veçanta që kanë devijime nga ky indeksim si përshembull paga e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë.
“Unë nuk mund ta them nëse Kryeministri ka dijeni për çdo gjë në shtet, por di që ka njerëz shumë të aftë në administratën shtetërore të cilët e dijnë se si funksionon piramida e pagave dhe kush janë problematikat e përplasjet. Nëse ato e këshillojnë ose jo ky është diskutim tjetër. Janë diskutime më tepër populiste, politike, e gjithë piramida teknikisht duhet të shkonte në indeksim duke marrë në referencë pagën e Presidentit. Kemi disa devijime, siç është Guvernatori i Bankës së Shqipërisë apo Autoriteti i Kontrollit Ajror. Këto dy, por ka dhe të tjera që kanë paga të caktuara që krijojnë një lloj devijimi, por në përgjithësi piramida duhet të jetë me distanca të barazlarguara nga kategoria në kategori.”/