Aktualitet
Ministri i Jashtëm grek: Do bëjmë gjithçka për lirimin e Belerit
Ministri i Jashtëm i Greqisë Georgios Gerapetritis në fjalimin e tij në parlament ka paraqitur aspektet e politikës së jashtme të vendit në katër vitet e ardhshme.
Sa i përket vendeve të Ballkanit Perëndimor ai ka thënë se ka shumë sfida përpara dhe se rreziqet që ekzistojnë janë të shumëfishta, ndërkohë që nacionalizmat ndikojnë në sigurinë e rajonit dhe minojnë perspektivën evropiane të këtyre vendeve.
“Greqia, ka thënë ai, mbetet e përkushtuar ndaj zhvillimit, sigurisë dhe prosperitetit të Ballkanit Perëndimor dhe 20 vjet pas Samitit të Selanikut do të vazhdojë të ndërmarrë iniciativa për të përshpejtuar rrugën evropiane të vendeve ballkanike. Sidomos në lidhje me Shqipërinë- ka theksuar Gerapetritis- do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për t’i dhënë fund ndalimit të përkohshëm të kryetarit të zgjedhur të Himarës Fredi Beleris. Shqipëria duhet të respektojë rregullat e shtetit ligjor nëse dëshiron vërtet të bëhet anëtare e familjes europiane”.
Më pas ministri i ri i Jashtëm, një prej njerëzve më të besuar të kryeministrit Mitsotakis, ka deklaruar se politika e Jashtme greke do të jetë një politikë multimodale. Nga njëra anë, ajo do të përfshijë të gjitha format moderne të diplomacisë, siç është diplomacia publike, që ka të bëjë me imazhin e vendit në botë dhe nga ana tjetër do të përdorë çdo mjet që mund të nxjerrë në pah pozitat kombëtare.
“Ne do të vazhdojmë të mbështesim Ukrainën, duke shpresuar për një fund të shpejtë të konfliktit të armatosur dhe rivendosjen e plotë të integritetit të saj territorial. Greqia do të vazhdojë të mbështesë Republikën e Qipros me synimin për të gjetur një zgjidhje për problemin e saj bazuar në rezolutat e Kombeve të Bashkuara. Gjithashtu do të vazhdojmë të investojmë në bashkëpunimin rajonal në Mesdheun Lindor me Qipron dhe Izraelin, me theks në sektorin e energjisë, si boshti qendror i politikës sonë rajonale, por edhe në marrëdhëniet me Egjiptin, Jordaninë dhe vendet e Gjirit, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, si në planin dypalësh, ashtu edhe përmes skemave të bashkëpunimit rajonal.Pjesëmarrja e ShBA në skemën 3+1 mund të jetë baza për një arkitekturë të re sigurie në Mesdheun Lindor»-ka thënë kreu i diplomacisë greke.
“Për marrëdhëniet tona me Turqinë- ka deklaruar Gerapetritis- busull mbetet respektimi i së drejtës ndërkombëtare dhe disponimi praktik i bashkëpunimit dhe dialogut. Vendi ynë kërkon të zgjidhë, në bazë të së Drejtës Ndërkombëtare të Detit, dallimin e vetëm mes dy vendeve tona, përcaktimin e ZEE dhe shelfit kontinental, pikërisht sipas modelit të marrëveshjeve që kemi bërë tashmë me Italinë, Egjiptin dhe shpresojmë së shpejti dhe me Shqipërinë. Shtyrja e vazhdueshme e këtyre çështjeve në të ardhmen nuk funksionon në të mirë të asnjërit vend. Ne do t’i qasemi këtij dialogu me besimin që na jep pozita jonë e forcuar diplomatike në mjedisin ndërkombëtar».
Vlen të përmendet se deklaratat e ministrit të Jashtëm në lidhje me përcaktimin e ZEE për zgjidhjen në bazë të modelit që u gjet me Italinë dhe Egjiptin, me ndikim të reduktuar nga ishujt në kufijtë detarë, janë kritikuar në parlament nga partitë e ekstremit të djathtë./TCh