Sport
Ëndrra Euro 2024/ Sot ‘shqiponjat kuqezi’ sfidojnë Çekinë
Sot është një ditë e rëndësishme për kombëtaren shqiptare, pasi ditën e sotme do të përballet me Çekinë, në “Fortuna Arena”. Kjo është një nga ndeshjet më të rëndësishme të viteve të fundit për kuqezinjtë, pasi përballet me Çekinë, kryesuese të grupit për kualifikueset e Europianit 2024. Ndeshja do të luhet në orën 20:45. Kjo nuk është hera e parë që dy kombëtaret përballen, por historia favorizon çekët pavarësisht se herën e fundit fituan 3-1 sfidën miqësore. Trajnerin Sylvinho e shqetëson gjendja e Qazim Laçit, që do jetë mungesë e madhe për tanët në mesin e fushës, kjo për shkak të gjendjes gripale që po kalon “luftëtari”. Lojtari ka qëndruar në Shqipëri dhe stafi teknik shpreson ta ketë në dispozicion për ndeshjen e dytë ndaj Polonisë, që luhet më 10 shtator. Pjesa tjetër e grupit është e plotë dhe të gjithë gëzojnë formë të mirë. Pas ndeshjes me Çekinë, tanët i pret përballja e radhës po për grupin E të Euro 2024 kundër Polonisë, të diel në “Air Albania” në orën 20:45, me stadiumin në Tiranë që do jetë i mbushur në kapacitetin maksimal. Për grupin E kualifikues, Çekia me shtatë pikë mban vendin e parë pas tre ndeshjeve, ndjekur nga Shqipëria me gjashtë pikë dhe Moldavia me pesë pikë (një ndeshje më shumë). Polonia mban vendin e katërt me tre pikë dhe Ishujt Faroe në fund me një pikë. Formacioni i mundshëm kundër Çekisë: Shqipëria (4-3-3): Berisha; Balliu, Ismajli, Gjimshiti, Hysaj; Bare, Ramadani, Bajrami (Gjasula); Asani, Uzuni, Cikalleshi Trajner: Sylvinho