LAJMI I FUNDIT
“Sulmi terrorist i 24 shtatorit e dobësoi ndjeshëm pozitën e Serbisë”
Ish-diplomati serb dhe profesori shkencave politike, Ivan Vujaçiç, në një intervistë për gazetën serbe ‘Danas’ ka thënë se gjendja aktuale në Veri të Kosovës është e rëndë dhe se sulmi terrorist i 24 shtatorit e dobësoi ndjeshëm pozitën e Serbisë. “Është e qartë se ngjarja në fshatin Banjë pati pasoja të rëndësishme në politikën e jashtme dhe se dobësoi ndjeshëm pozitën e Serbisë, e cila deri atëherë shihej si një palë disi më konstruktive në negociatat ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës” – u shpreh Vujacic, duke shtuar: “SHBA e morën këtë ngjarje shumë seriozisht. Fakti që Sekretari i Shtetit Anthony Blinken ka telefonuar presidentin Aleksandër Vuçiç dhe se një deklaratë në lidhje me ngjarjen është bërë nga një zyrtar i lartë i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të ShBA-së, është dëshmi e mjaftueshme për këtë”. Ai ka theksuar gjithashtu se çdo përpjekje e Serbisë për t’i fshehur kriminelët do të ketë një ndikim negativ në marrëdhëniet jo vetëm me ShBA-në, por edhe Bashkimin Evropian. “Shtetet e Bashkuara, BE dhe vendet evropiane nuk mund të përballojnë të humbasin besueshmërinë e tyre ndërkombëtare. Kjo vlen veçanërisht për BE-në, së cilës i mungon besueshmëria në Ballkanin Perëndimor” – tha ish diplomati serb Kujtojmë se një grup i armatosur të dielën e 24 shtatorit, ka sulmuar Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin, Afrim Bunjaku. Autoritetet e Kosovës akuzuan drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm. Radojiçiç u arrestua nga autoritetet serbe, për t’u liruar një ditë më pas. Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, dhe kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë. Nga ana tjetër, Serbia nuk është distancuar nga ky sulm, përkundrazi ka shpallur ditë zie kombëtare, për t’i nderuar kështu terroristët e vrarë. Përveç kësaj, Beogradi zyrtar, pas sulmit terrorist, dislokoi një numër të madh të trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën. Ky veprim i Serbisë nxiti reagimin e bashkësisë ndërkombëtare, të cilët kërkuan që menjëherë të zvogëlohet numri i trupave ushtarake. Pas këtyre thirrjeve të qarta të ndërkombëtarëve, Beogradi njoftoi se ka filluar reduktimin e trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën