Kosova
Serbia minon paqen/ Merezhko: Serbia de facto e ka njohur Kosovën
Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Ukrainës, Aleksandar Merezhko, gjatë fjalës së tij në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ka kërkuar nga “disa shtete” në rajonin e Ballkanit Perëndimor të ndalojnë praktikën e përdorimit të pakicave kombëtare në shtetet fqinje si “mjet politik” kundër sovranitetit të shteteve përkatëse – një referencë indirekte për Serbinë e cila në vazhdimësi ka përdorur serbët e shpërndarë nëpër vendet fqinje për të minuar paqen, posaçërisht në Kosovë dhe Bosnje-Hercegovinë.
“Çdo shtet ballkanik, duke përfshirë edhe ato të krijuara si rezultat i gjenocidit të kryer kundër tyre, meritojnë të jenë të pavarur dhe të lirë nga ndërhyrjet e jashtme në punët e tyre. Disa shtete në Ballkan duhet të ndalojnë përdorimin e pakicave kombëtare në shtetet fqinje si një mjet politik kundër sovranitetit të atyre shteteve” – ka theksuar Merezhko.
Në këtë drejtim, deputeti ukrainas ka potencuasr se Serbia mund të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian (BE) vetëm nëse shkëputet nga e kaluara e saj, lëvizë drejt njohjes de jure të pavarësisë së Kosovës dhe do t’i bashkohet BE-së në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë për agresionin e nisur ndaj Ukrainës në shkurt të vitit të kaluar.
“Unë nuk besoj se Aleksandër Vuçiç ka ndonjë iluzion në lidhje me mundësinë për të rivendosur kontrollin mbi Kosovën. Mua më duket më shumë si një lojë politike, ku Vuçiç përdor çështjen e njohjes së Kosovës si levë në këtë lojë. Është interesante se Serbia de facto e ka njohur tashmë Kosovën. Do të ishte e përshtatshme dhe e drejtë të bëhej de jure” – deklaroi Aleksandar Merezhko