Connect with us

LAJMI I FUNDIT

Topi është në fushën e Beogradit/ Von Cramon: Godasim regjimin e Vuçiçit

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian (PE), Viola von Cramon, në një intervistë për gazetën serbe “Nova“, ka përsëritur se tashmë janë “skicuar” disa nga “masat ndëshkuese” ndaj Serbisë për shkak të dyshimeve se është përfshirë në sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës.

“Nuk mund të jap detaje, sepse është ende konfidenciale dhe diskutimet janë në vazhdim. Megjithatë, atë që kam thënë për disa media më herët, mund ta konfirmoj tani – masat janë vërtet në tavolinë dhe topi është në fushën e Serbisë”, ka nënvizuar eurodeputetja gjermane nga radhët e “Aleancës 90/Të Gjelbërve”.

Ajo ka theksuar se vendosja e “masave ndëshkuese” ndaj Serbisë varet nga bashkëpunimi i plotë dhe i pakushtëzuar i presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, në kryerjen e hetimeve në lidhje me sulmin terrorist në Banjskë, ndonëse Qeveria e Kosovës ka prezantuar në baza ditore materiale që implikojnë shtetin serb në sulmin e armatosur.

“BE-ja ka, përafërsisht, dy pika kryesore për Serbinë – paratë dhe regjimin e udhëtimit pa viza për qytetarët serbë. Rivendosja e vizave do të prekte më së shumti qytetarët e thjeshtë dhe kjo është arsyeja pse në përgjithësi jam kundër. Duhet të godasim aty ku do të dëmtojë regjimin në pushtet– dhe ky është reduktimi i parave nga fondet e BE-së” – deklaroi Von Cramon

Politikania gjermane e cila kishte vizituar pjesën veriore të Kosovës në kohën kur ekzekutivi kosovar vendosi t’i dërgojë krytarët shqiptarë legalë, ndonëse jo legjitimë, në objektet komunale pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç, nuk është e befasuar me sulmin terrorist, por me shkallën e tij. “Ka ende shumë pyetje pa përgjigje. Çfarë ka ndodhur konkretisht, si ka mbërritur në veri kjo sasi mjetesh të blinduara me armatim dhe pajisje ushtarake? Kush qëndron pas kësaj dhe cilat grupe kriminale fshihen ende atje? A është i mundur ky lloj veprimi pa qenë në dijeni apo edhe pa ndihmuar autoritetet serbe? Nuk kemi ende qartësi”

Advertisement