Kosova
Kearns krtitika Britanisë për Kosovën: Ata kanë shpresë te ne
Kryetarja e Komitetit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Britanisë së Madhe, Alicia Kearns, në një intervistë për “Këshillin Atlantik”, ka shprehur frustrimin e saj me Bashkimin Evropian, por edhe me politikanët britanikë në përgjithësi, lidhur me qasjen e deritanishme në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën ndërmjetësimin e Unionit Europian. “Ne duhet të shohim që Bashkimi Europian shpërblen sjelljen e mirë dhe ndëshkon sjelljen e keqe. Duhet të shohim një paanësi bazike nga ana e Unionit. Unë mendoj se kemi nevojë që Britania e Madhe të gjejë shtyllën e saj kurrizore si partnere e QUINT-it dhe të luajë një rol edhe më aktiv në bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit. Jam shumë e frustruar nga fakti që Britania e Madhe nuk ka qenë një lojtare madhe në këtë proces” – deklaroi Alicia Kearns. Në këtë drejtim, deputetja britanike ka thënë se BE-ja e ka për detyrë të flasë me përfaqësuesit e vendeve mos-njohëse të Kosovës brenda Unionit – Spanja, Greqia, Sllovakia, Rumania dhe Qipro – dhe t’i shtyjë ato që të njohin pavarësinë e Kosovës, pasi sipas saj, vetëm në këtë mënyrë mund të kthehet ekuilibri në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Eskalimi në shkallë të gjerë i situatës në veriun e trazuar të Kosovës ka ndikuar substancialisht në bllokimin e ecurisë së procesit të dialogut që po i mbanë të zënë diplomatët perëndimorë përgjatë kësaj kohe, megjithëse BE-ja pret nga palët që të rikthehen në tryezën e negociatave nën kujdesin e lehtësuesve evropianë në Bruksel. Deputetja Kearns ka mirëpritur faktin që Britania e Madhe ka dislokuar rreth 200 ushtarë për t’iu bashkuar kontingjentit britanik prej 400 trupash që tashmë po stërvitet në Kosovë dhe Rumania ka njoftuar gjithashtu për përforcime të mëtejshme për t’i dhënë mbështetje misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë. Kryetarja e Komitetit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Britanisë së Madhe, më herët, nëpërmjet një postimi në llogarinë e saj në platformën “X”, tha se ngjarjet e fundit në pjesën veriore të Kosovës të banuar kryesisht me serbë etnikë, ilustrojnë më së miri dështimin e politikave që kanë për synim të kënaqin autokratët dhe theksoi se “realiteti i tmershëm” nxjerr në pah shumë gabime të bashkësisë së organizuar ndërkombëtare.