Kosova
‘Do keni para dhe mbështetje, mos hiqni dorë’/ Flasin Sarazin dhe Hill
Ambasadori i SHBA-së në Beograd, Christopher Hill, theksoi sot se de-përshkallëzimi i situatës në Kosovë është vendimtar në këtë moment, se përgjegjësit e sulmit të armatosur në fshatin Banjskë të Zveçanit, duhet të dalin para drejtësisë, se nevojitet zgjidhje politike e çështjes së Kosovës dhe që duhet rinovim i dialogut, sepse ka shumë çështje që mund të zgjidhet vetëm me mekanizma politikë. Ambasadori amerikan theksoi se është e pamundur t’i japësh vetëm njërës palë gjithçka që dëshiron dhe palën tjetër ta lëmë mënjanë, pa asgjë. I pyetur nga Eduard Jozef, nëse lidershipi politik i Serbisë është ende partner për bisedime pas ngjarjeve në Banjskë, Christopher Hill tha se SHBA-të po përpiqen të gjejnë një zgjidhje. “Ju keni qëndrimin tuaj për problemin. Unë kam të miat, dhe nuk përdor rrjetet sociale për t’i paraqitur ato. Tani është e nevojshme për të siguruar de-përshkallëzimin dhe respektimin e dialogut. Kjo nuk është një çështje e lehtë, por duhet të zgjidhet përmes marrëveshjes politike,” – Deklaroi ambasadori amerikan. I pyetur për shtimin e trupave të NATO-s në rajon, Hill tha se sa herë që shihet prania e trupave të NATO-s, vërehet edhe ulje e tensioneve dhe sipas tij, NATO-ja shpeshherë kontribuon për zgjidhjen dhe është shumë aktive në rajon, veçanërisht në Kosovë. Përkrah Hill, këshilltari special i të dërguarit të BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Jožef Pandur, tha se Bashkimi Evropian ka hartuar një marrëveshje të mire, se Prishtina duhet të formojë Unionin e Komunave Serbe dhe Serbia të zbatojë pjesën e saj të detyrimeve. Ai u shpreh se është e rëndësishme që SHBA-të të jenë të gatshme të pranojnë se dialogu është çështje evropiane, të cilën duhet ta mbështesin. Në të njëjtin panel diskutimi në Beograd, i dërguari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarazin, tha se Ballkani Perëndimor aktualisht po humbet shumë mundësi, se është e vërtetë që fokusi i BE-së tani është zhvendosur në lindje, por për shkak të pozitës gjeografike, Ballkani mbetet një rajon kyç. Emisari gjerman u shpreh se kushdo që mendon se Rusia dhe Vladimir Putin do të jetë me Serbinë deri në fund, nëse nuk është në interesin e tyre, gabohet dhe theksoi se është e rrezikshme që shoqëria serbe, më shumë edhe se politika, të ecë në atë drejtim të gabuar. Ai tha se problemi është se shumica e shoqërisë në Serbi është kundër ndryshimeve pozitive në lidhje me Kosovën, ndërsa shumica në Kosovë është kundër Asociacionit. “Ne kemi nevojë për liderë të vendosur për demokraci. Do të bëjmë gjithçka që t’u japim mundësi, mbështetje, perspektivë, ndonjëherë edhe para, por gatishmëria politike është në dorën e tyre. Ne duhet të përfitojmë nga momenti i krijuar nga marrëveshja e Ohrit. Mos hiqni dorë prej saj, por qëndroni të përkushtuar” – deklaroi emisari gjerman