Sport
Anglia përmbys 3-1 Italinë në ‘Wembley’ dhe kualifikohet, kampionët në fuqi rrezikojnë Europianin
Italia rrezikon pjesëmarrjen në fazën finale të Europianit 2024. Të kaltrit e Spallettit janë kampionët në fuqi të këtij eventi, teksa u mundën 3-1 në përmbysje nga Anglia në “Wembley”, pikërisht në stadiumin ku kundër anglezëve ngritën trofeun e kampionit për Euro 2020. Pas kësaj fitoreje, Anglia bëhet skuadra e tetë që merr një biletë për në “Gjermani 2024”. Për ndeshjen e grupit C kualifikues, miqtë italianë kaluan të parët në avantazh me Scamacca në minutën e 15-të. Në të 32-të minutë Harry Kane shënoi nga pika e bardhë e penalltisë për ekuilibrat 1-1. Në fraksionin e dytë të lojës, të besuarit e Southgate morën kontrollin e lojës dhe shënuan dy herë të tjera. Fillimisht Rashford në të 57 minutë i dha epërsinë vendasve, teksa ishte kapiteni Kane që në minutën e 77 shënoi dopietën personale në këtë përballje dhe golin e tretë për “Tre Luanët”. Kësisoj, Anglia me këtë sukses ngjitet në kuotën e 16 pikëve në vendin e parë dhe kalon më tej si e kualifikuar, duke lënë pas Ukrainën me 13 pikë, që sot fitoi 3-1 me Maltën. Italia me 10 pikë dhe dy ndeshje për të luajtur (Ukrainë dhe Maqedoni e Veriut) rrezikon mos marrë pjesë në Euro 2024 me formën e treguar. Në ndeshjet e tjera të kësaj mbrëmjeje, Serbia fitoi 3-1 kundër Malit të Zi, Sllovenia mundi 0-1 Irlandën e Veriut, Danimarka fitoi 1-2 kundër San Marinos jo pa vështirësi dhe Lituania e Hungaria barazuan 2-2.