Connect with us

Kosova

Vuçiç: Kam frikë se Asociacionin s’do ta shohim shpejt

Përkundër se Kosova ka pranuar draftin evropian për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka thënë se ka “frikë” se krijimi i këtij mekanizmi s’do të ndodhë “shpejt”.

Këto komente, Vuçiç i bëri në një konferencë për media me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës së kësaj të fundit në Beograd.

Për Vuçiç, njohja e pavarësisë së Kosovës “nuk është çështje”, duke theksuar se një gjë të tillë nuk e ka problem që ta thotë edhe para Presidentes së Komisionit Evropian, por përkundrazi, pohoi se është “krenar” për këtë.

“Për ne njohja e pavarësisë së Kosovës nuk është çështje, me krenari e them para Presidentit të Komisionit Evropian, ne i dimë obligimet tona nga dialogu, jemi të gatshëm t’i përmbushim, por duhet të theksoj një gjë që 11 vjet dhe para të gjitha marrëveshjeve, Prishtina e cila kishte vetëm një obligim – Asociacionin, nuk e bëri këtë”, tha Vuçiç.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, Kancelari Gjermanisë, Olaf Scholz dhe Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, një ditë pasi që takuan ndaras Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në Bruksel, kërkuan që Kosova ta themelojë Asociacionin, ndërsa Serbia njohjen de facto.

“Serbia është e përkushtuar për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, ajo i di detyrimet e saj, do t’i përmbushë ato në përputhje me marrëveshjet”, potencoi Vuçiç, duke shtuar se për shtetin që ai udhëheqë “është e qartë se çfarë nuk mund të bëjë kundër Kushtetutës”.

Presidenti serb vazhdoi ta akuzoi Kosovën për moszbatim të marrëveshjeve, ndonëse vetë ka një numër të madh të tyre që si ka zbatuar.

“Nëse doni të jem plotësisht i sinqertë”, pohoi ai, “kam frikë se Asociacionin nuk do e shohim së shpejti se i di mirë truket ballkanike”.

Asociacioni ka qenë gjithmonë tema e “nxehtë” në dialogun Kosovë-Serbi. I dakorduar që nga viti 2013, zbatimi i tij nuk ka patur kurrë epilog, madje në Kosovë është përdorur për qëllime politike nga partitë, e posaçërisht nga ajo që tani ka pranuar një draft të propozuar nga BE, Lëvizja Vetëvendosje.

Në deklaratën e përbashkët, Scholz, Meloni dhe Macron theksuan se i kanë marrë parasysh komentet e dy liderëve, përkatësisht Kurtit dhe Vuçiç-it, për statutin evropian për themelimin e Asociacionit në Kosovë dhe “gatishmërinë e tyre të shprehur për ta zbatuar”.

“Faza e zbatimit duhet të përparojë me të dyja palët që të përmbushin detyrimet e tyre përkatëse paralelisht në mënyrë hap pas hapi bazuar në parimin që të dyja palët duhet të bëjnë diçka për të marrë diçka. Fokusi tani duhet të jetë në avancimin e zbatimit të plotë të Marrëveshjes pa parakushte apo vonesa”, thuhej ndër të tjera në komunikatën e përbashkët të liderëve europianë.

Advertisement