Connect with us

Kosova

Kosovë-Serbi/ Beteja për ‘vijat e kuqe’, ngriti më shumë pyetje sesa përgjigje

Padyshim se në marrëdhëniet ndërkombëtare aktorët përdorin strategji të ndryshme në përpjekje për të afruar pikën e arritjes së marrëveshjes përfundimtare pranë qëllimit të tyre, ndërsa është detyrë e liderëve të skicojnë “vijat e kuqe” përgjatë procesit, por është e çuditshme që këto të fundit janë marrë parasysh nga Bashkimi Evropian në lidhje me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

Kështu thonë njohësit e çështjeve politike teksa komentojnë deklaratën e Emisarit Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, në lidhje me “propozimin modern evropian” për statutin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, i cili, sipas tij, përveç se është në përputhje me “standardet më të mira evropiane”, nuk i kalon as “vijat e kuqe” të palëve, teksa “pyetjet dhe shqetësimet” mbeten të hapura dhe priten të adresohen në të ardhmen.

Eksperti i politikës së jashtme të BE-së nga Këshilli i Politikave të Demokratizimit në Bruksel, Toby Vogel, thotë se në radhë të parë, deklarata e Lajçakut për “vijat e kuqe” është një përpjekje e dukshme për të fshehur “dështimin e plotë” të procesit të dialogut për normalizimin e raporteve, i cili, sipas tij, kohën e fundit është kthyer në një mjet për menaxhimin e krizave dhe nuk ka prodhuar ndonjë marrëveshje kuptimplotë, edhe pse ka nisur para një dekade.

Pavarësisht se liderët e Bashkimit Europian kanë mirëpritur gatishmërinë e kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandër Vuçiç për zbatimin e Marrëveshjes Bazë, ajo në Bruksel më 27 shkurt, dhe Aneksit të Implementimit në Ohër, më 18 mars, palët nuk kanë arritur dakordancë për formalitetet, posacërisht për draft-statutin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. “Padyshim që palët deklarojnë vijat e tyre të kuqe dhe është e qartë se cilat janë ato – Kurti nuk dëshiron të krijojë një Asociacion të Komunave me shumicë serbe me kompetenca të paqarta, kurse Vuçiçi nuk dëshiron të bëjë asgjë si koncesion për Prishtinën disa javë para zgjedhjeve në Serbi. Mendoj se të dyja palët tani në thelb po luajnë me kohën” – thekson Vogel.

Drejtori i Institutit për Politika Sociale “Musine Kokalari” në Prishtinë, Visar Ymeri, thotë se përtej thellimit të mungesës së transparencës, shumë e çuditshme është përpjekja e eurokratëve për t’i fshirë “vijat e kuqe” të palëve kur kërkohen nga marrëveshja dy gjëra kundërshtuese me njëra tjetrën. Lajçaku nuk ka shpjeguar më gjatë, prandaj vështirë të kuptohet më shumë, shton ndër të tjera Ymeri.

Procesi i dialogut midis Kosovës dhe Serbisë ka kaluar nëpër disa valë, duke ndërruar drejtim si përgjigje ndaj krizave të reja, por as përfshirja direkte e liderëve të shteteve kryesore të BE-së dhe ftesa e kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë, në samitin e Këshillit Evropian në Bruksel, nuk ka arritur t’i përmbushë pritshmëritë për një marrëveshje kompromisi të negociuar me pajtim të qartë e të shprehur me nënshkrim. Vogel megjithatë e ka një shpjegim edhe për këtë.

“Unë dyshoj se pengesa specifike në raundin e fundit ishte afati i zbatimit – insistimi i Kurtit që të arrihen rezultate më herët se sa parashikohej me draftin e mëparshëm dhe refuzimi i Vuçiçit” – thotë Vogel, ndërsa shprehet skeptik përsa i përket progresit planit funksionalist në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve nën ndërmjetësimin e BE-së.

Advertisement